Evropa si Eden në filmin e fundit në Gavrasit
Filmi më personal që regjisori i "Z" ka bërë në karrierën e tij.
Me "Edeni në Perëndim" Costa-Gavras ka realizuar filmin më personal. Regjisori i filmave të njohur edhe për publikun shqiptar "Z" apo "Amen" evokon emigracionin nëpërmjet kësaj historie si të shkujdesur.
Është një prodhim franko-italo-grek, interpretojnë Riccardo Scamarcio, Juliane Koelher, Eric Caravaca, Anny Duperey. Kritika franceze e ka cilësuar "një udhëtim plot deziluzione i një Uliksi të shekullit XXI".
Ndërsa filmi u shfaq jashtë konkurrimit në Berlinalen e fundit, në kinematë italiane del më 6 mars. Për të përditshmen franceze "France Soir" ai ka dhënë këtë intervistë.
"Edeni në Perëndim" është i zymtë dhe njëherësh me shpresë. Përse keni zgjedhur që ta trajtoni emigracionin në këtë mënyrë?
Deri më tash, për këtë temë nuk ka pasur veçse filma dramatikë. Dhe asgjë të mirë nuk ka për të shtuar nga drama në dramë. Me Jean-Claude Grumberg-un, me të cilin kam shkruar skenarin, kemi dashur që të sjellim një tjetër këndvështrim për emigrantin. Ka edhe shumë qartësi tek këto personazhe.
Keni marrë për bazë edhe historinë tuaj?
Ky nuk është film autobiografik, paçka se e vërtetë është që ka diçka shumë personale. Personazhi i Eliasit më prek mbi të gjithë. E kam nxjerrë prej vetes sime. E njihja gjendjen shumë më mirë se kolegët e mi francezë!
Dyzet vjet pas "Z", "Edeni në Perëndim" shënon një mënyrë të re të xhiruari?
Është thjesht një film tjetër që i korrespondon gjendjes së sotme të shoqërisë sonë dhe të botës.
Çfarë do të thotë ky titull?
Për shumë njerëz, parajsa ndodhet në Perëndim, që do të thotë në Francë. Dhe është e vërtetë... në krahasim me shumë vende, Franca, është parajsë! Në fillim fare, shohim qindra emigrantë mbi një anije mallrash.
Eliasi është i pari që hidhet në ujë... Të gjithëve u kanë premtuar Evropën, Edenin. Eliasi është ai që ka më shumë vullnet. Kur hidhet nga anija, i shkojnë pas shumë të tjerë, por vetëm fatin e tij do ndjekim. Ai ëndërron të shkojë në Paris.
Përse Parisi?
Parisi ka qenë gjithashtu edhe ëndrra ime. Për gjithë botën, është qyteti i Lumière-ve (i dritave) dhe i të drejtave të njeriut. Na kishin folur në shkollë. Në film, mediat janë të kudondodhura.
Çfarë keni dashur të vini në dukje?
Në fakt, teprimi nga ana e mediave është i dukshëm në sfond. Më duket se ka një histeri të vërtetë mediatike në shoqërinë tonë. Gazetarët duhet të shkojnë gjithkund për të raportuar nëpërmjet pamjeve që për më tepër harrohen përnjëherë. Policia gjithashtu ka një vend të dukshëm...
Për emigrantët ajo është sinonim i rrezikut. E shohim jo pak në film nëpërmjet vështrimit të Eliasit. Ai ka frikë nga cilado uniformë. Ai ia merr vrapit edhe zjarrfikës po të shohë, ashtu si Sharloja (Çarli Çaplin) me marinarët tek "Kohët moderne".