E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha, në konflikt primitiv me të huajt

Kryetari i PS-së ka garantuar se pas zgjedhjeve, kur PS të vije në pushtet, do të vendose marrëdhënie të reja me Bankën Botërore


TIRANË- Pas qëndrimeve konfliktuale të kryeministrit Sali Berisha ndaj Bankës Botërore, Kryetari i opozitës, Edi Rama, përmes një konference për shtyp, ka garantuar dje se pas zgjedhjeve të 28 Qershorit, kur PS të vijë në pushtet do të vendosë me Bankën një marrëdhënie të re bashkëpunimi e respekti të ndërsjellë.


Kryetari i PS-së ka theksuar dje se qeveria është pozicionuar në një konflikt primitiv me partnerët ndërkombëtarë. "Kam ndjekur me shumë vëmendje e shqetësim përshkallëzimin e keqësimit të marrëdhënies së qeverisë shqiptare me Bankën Botërore.

Kundërvënia ndaj këtij institucioni ndërkombëtar të rëndësishëm ndodh pak kohë pas qëndrimit arrogant të qeverisë ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, që kulmoi me refuzimin e njëanshëm të zgjatjes së marrëveshjes së bashkëpunimit me këtë institucion, pikërisht në momentin kur kriza ekonomike globale është ulur këmbëkryq edhe në ekonominë shqiptare.

Dhe, ndërsa vendet e zhvilluara perëndimore kanë bërë thirrje për forcimin e rolit të këtij institucioni ndërkombëtar në ekonomitë e tyre, qeveria jonë dritëshkurtër i mbylli FMN-se derën me mosmirënjohje e papërgjegjshmëri të thellë",- tha Rama.

Kryetari i opozitës shtoi gjithashtu se, kundërvënia ndaj Bankës Botërore ndodh kur janë ende të freskëta pretendimet arrogante të qeverisë për rritjen ekonomike të vitit 2008 e 2009.

"Për shkak të paaftësisë proverbiale, të interesave personale dhe klanore të Sali Berishës e të ministrave të tij e të arrogancës provinciale, jo vetëm është pezulluar një projekt strategjik për Shqipërinë e të nesërmes, por është vënë në një pozitë të vështirë dhe aspak të merituar edhe vetë Banka Botërore për gjithçka ka bërë e bën prej 17 vjetësh për të asistuar Shqipërinë përgjatë një tranzicioni tejet të mundimshëm",- tha Rama.


Për këtë arsye, në cilësinë e kryetarit të opozitës, Rama garantoi se shqiptarët e shikojnë me shumë mirënjohje kontributin e jashtëzakonshëm e të pazëvendësueshëm që ky institucion ka dhënë për Shqipërinë.

"Unë siguroj gjithashtu se pas 28 qershorit qeveria jonë e re do të vendosë me Bankën një marrëdhënie të re bashkëpunimi e respekti të ndërsjellë",- tha ai. Rama sqaroi se, që prej vitit 1991, Banka Botërore ka miratuar për Shqipërinë 67 projekte me një vlerë totale rreth 997.5 milion dollarë, të fokusuara në sektorët me prioritarë të vendit tonë.


"Ne e dimë fort mirë këtë kontribut që e vendos Bankën Botërore në krye të listës së donatorëve në ekonominë e vendit tonë dhe nuk do të harrojmë asnjëherë se ky institucion nuk është vetëm një financues i drejtpërdrejtë i zhvillimit të Shqipërisë, po edhe një këshilltar i mirë, një nxitës i fortë e një mbështetës konstant i të gjitha reformave më të rëndësishme që janë ndërmarrë në këtë vend",- tha ai.

Rama theksoi se, Banka veproi sipas standardeve më të larta etike e profesionale të botës së zhvilluar duke nxjerrë përgjegjësitë e veta për të përmirësuar punën e saj. "Ndërsa qeveria shqiptare u soll edhe njëherë sipas kodit primitiv të një bashkësie të pazhvilluar, duke hedhur të gjithë baltën e mundshme mbi Bankën Botërore, edhe pse përgjegjësia kryesore në degjenerimin e projektit të Jugut është absolutisht e saja, që nga konflikti flagrant i interesit deri tek menaxhimi skandaloz i projektit",- tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›