Pëllumbi: Grupi i të Urtëve i ngjan ish-Byrosë Politike, përdoret për relaks

Servet Pëllumbi
Profesori shpjegon mungesat e tij tek Të Urtët
Pjesëmarrja ime në këtë Këshill është e tepërt, mbledhjet përdoren për relaks
Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, shprehu dje rezervat e tij ndaj Këshillit Politik të PS, mospëlqim që ai e ka treguar dhe me mungesat e tij në dy mbledhjet e fundit. I kontaktuar në telefon nga Panorama, Pëllumbi tha se ky këshill ngjan me Byronë e dikurshme Politike, ku konsumohen biseda të lira, por pa asnjë vendimmarrje për tu bërë pjesë e axhendave politike të Partisë Socialiste. Kjo duket se është dhe arsyeja kryesore e mospjesëmarrjes së tij në këtë këshill, ose, siç ndryshe thirret, Grupi i të Urtëve. Vajta, pashë, ika, ishte përkufizimi që profesori dha për Grupin e të Urtëve. Mungesa ime nuk ka as arsye familjare dhe as shëndetësore. Janë disa rezerva që i kam ndaj këtij Këshilli Politik, i cili nuk është ngritur mbi bazën e Statutit, por funksionon pranë kryetarit. Nga pjesëmarrja në dy mbledhje të tij, me keqardhje konstatoj që ky këshill i ngjan një lloj Byroje Politike që përdoret për relaks, sepse asnjë lloj obligimi nuk ka në parti për të diskutuar rreth atyre problemeve që shtrohen në këtë këshill, u shpreh dje profesori i PS.
Funksioni
Për ish-drejtuesin e lartë të PS në vitet 92-96 dhe kryetarin e fundit socialist të Kuvendit të Shqipërisë deri në 2005-n, ky këshill duhej të miratohej nga Kongresi i PS, të përfshihej në Statusin e partisë, por dhe të kishte kompetenca të qarta në funksionimin e tij. Për më tepër që vetë konstituimi i këtij këshilli është i diskutueshëm, sepse mund të shtrohej në Kongres ngritja e tij më 5 nëntor, duke bërë dhe ndryshimet përkatëse statutore dhe të përcaktoheshin disa detyra dhe kompetenca të këtij këshilli, me qëllim që të mos spostoheshin forumet e PS, por dhe një farë obligimi duhet të ketë ndaj problemeve që shtron dhe diskuton ky këshill. Të gjitha këto, për mendimin tim, nuk janë zgjidhur, dhe për këtë arsye unë e quaj pjesëmarrjen time në këtë këshill të tepërt. Këshilli vetë mund të bjerë dakord për tematika të caktuara, por vetëm kaq, asgjë nuk diskutohet jashtë tij, u shpreh Pëllumbi.
Përbërja

Mbjedhje e grupit të Të Urtëve
Këshilli Politik u ngrit më 2 dhjetor në mbledhjen e parë të Asamblesë Kombëtare, pas Kongresit të 5 nëntorit 2011. Në përbërje të tij ka 12 anëtarë, të cilët janë figura të njohura, por dhe aktive në politikën e Partisë Socialiste. Namik Dokle, Gramoz Ruçi, Pandeli Majko, Arta Dade dhe Ethem Ruka janë aktualisht dhe anëtarë të Kryesisë së Partisë Socialiste, ndërsa pjesa tjetër janë personalitetet që kanë mbajtur pozicione të larta në këtë parti. Ish-presidenti Rexhep Meidani, ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, ish-ambasadori Bashkim Zeneli, ish-kryeministri i qeverisë së parë pluraliste, Ylli Bufi, një nga themeluesit e PS në vitin 1991, Maqo Lakrori, por dhe Luan Hajdaraga dhe Sabit Brokaj, janë politikanët jo shumë aktivë në PS, por anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Në ndryshimet statusore të bëra në 2009-n në Partinë Socialiste u hodh për herë të parë ngritja e një grupi të urtësh, në përbërje të të cilit do të kishte ish-figura të larta të PS që e kishin përfaqësuar atë në poste të larta shtetërore apo dhe partiake. Në atë kohë ishte propozuar që pjesë e këtij këshilli, me atributet e senatit në PS, të ishin ish-presidentët socialistë, ish-kryeministrat dhe ish-kryetarët e Kuvendit, ndoshta dhe ndonjë personalitet intelektual apo akademik i spikatur në fushën e tij. Por, struktura e re e propozuar dhe e zgjedhur nga Asambleja e 2 dhjetorit ka krijuar një përbërje mikse mes ish-figurave të larta të PS dhe disa anëtarëve të Kryesisë aktuale, të cilët kanë të drejtë të diskutojnë dhe të vendosin në Kryesinë e kësaj partie. Në mbledhjet e fundit të Këshillit Politik është folur dhe për kujdesin që PS duhet të ketë me koalicionin aktual dhe vëmendjen për aleanca të reja. Anëtarët e Këshillit kanë këmbëngulur në ndërtimin e një marrëdhënieje të hapur, të sinqertë dhe korrekte me aleatët aktualë, ata tradicionalë të PS, duke përfshirë këtu socialdemokratët, Demokracinë Socialiste, PSV 91, si parti të mirëfillta të majta.
Debati
Në një nga mbledhjet e Këshillit Politik të PS, profesori i socialistëve ka kërkuar që drejtuesit e PS, deputetët e saj dhe anëtarët e Kryesisë, të shpalosin epërsinë e alternativave të kësaj partie duke mos u mjaftuar vetëm me sharjet dhe akuzat ndaj qeverisë. Në periudhën kur qeverisja ka degraduar dhe jemi vetëm një vit e gjysmë para zgjedhjeve parlamentare, nuk mjaftojnë vetëm akuzat ndaj qeverisë për tu bërë të besueshëm para shqiptarëve. Kjo nuk mjafton. Për një forcë politike si PS, që kërkon të vijë në pushtet, duhet treguar alternativa, është shprehur Pëllumbi.
Presidenti i ri
Në mbledhjet e fundit të Këshillit Politik, Të Urtët i kanë sugjeruar kryetarit socialist ti propozojë Partisë Demokratike një tryezë konsultimi për Presidentin e ardhshëm. Sipas tyre, zgjedhja e Presidentit do të shihet me lupë nga faktori ndërkombëtar më shumë se çdo prioritet i KE, prandaj PS duhet të ndërtojë një proces sa më konsensual. Të Urtët janë shprehur se në arritjen e këtij objektivi duhet të ndërmjetësojë dhe faktori ndërkombëtar.
ARISTIR LUMEZI