E Shtunë, 31 Tetor 2026

F1, Buton fiton dhe nis arratinë

Xhenson Batën fitoi GP të Bahreinit, prova e katërt e botërorit të Formula 1. Në pistën e Shakhir, anglezi i Braun GP zhvilloi një garim perfekt, duke e rritur avantazhin e tij në klasifikim falë suksesit të tij të tretë sezonal. Me të, hipën në podium edhe Sebastian Vetel i Red Bull dhe Jarno Truli i Tojotës. Për Ferrarin rezultati ishte as mirë as keq, mirë Raikonen, i gjashti, keq Masa, që përfundoi i katërmbëdhjeti pas një kontakti kalimthi me shokun e skuadrës.

Trisi i Butonit erdhi në përfundimin e një gare të përgatitur përsosmërisht në tavolinë dhe të vënë në zbatim pa ndonjë vështirësi të dukshme. I nisur pas dy Tojotave, lideri i kampionatit e mori komandën pas "pit stop"-it të parë, duke mos e lëshuar më pozicionin e kryesuesit të garës. Dhe tani hajde ta kapësh. Vetel bëri të pamundurën, por në fund, përfundoi duke mbrojtur territorin e tij nga Truli, në vend që të hidhej në sulm. Gjermani pagoi gabimin e një nisjeje aspak brilante, i parakaluar edhe nga Hemilton. Ndërsa italiani, që për herë të parë në karrierë shënoi edhe xhiron më të shpejtë, nuk mundi të konfirmonte rregullin e këtij viti, që fitues bëhet kush niset nga "pole position". Ai pagoi edhe zgjedhjen e gabuar të garimit në pjesën qendrore me gomat e forta, gjë që penalizoi edhe shokun e tij të skuadrës, Timo Glok, i nisur me komandë dhe përfundoi i shtati. Për podiumin, praktikisht, luftuan vetëm ata, edhe pse Luis Hemilton tentoi t‘u hynte në mes. Por vendi i katërt që mori duhet konsideruar pozitiv. Shumë më tepër se Rubens Barrikelo.

E diela e Felipe Masës, u hodh shumë shpejt në erë nga një kontakt me Raikonen, gjë që e detyroi brazilianin të rihynte në boks për të ndërruar turirin e makinës. I miri Felipe, hyri pastaj në remont dhe në finale, rinis cikli i fatit të keq, me një goxha përplasje me derën e Xhankarlo Fizikelës, për t‘i rrëmbyer kështu vendin e katërmbëdhjetë. Komplet tjetër gjë për Kimi Raikonen. Finlandezi ishte madje në krye të garës për një sërë xhirosh, para fillimit të zhvendosjes. Pastaj ndërroi teknikë, duke u kujdesur të fuste në shtëpi sa më shumë pikë të ishte e mundur, të parat për Marinelon gjatë vitit 2009. Por gjithnjë më mirë se BMË-të, që dolën e parafundit dhe e fundit, me të pangushëllueshmit Kubika dhe Hidfelld.

Presidenti i Ferrarit, Luka Kordero di Montezemolo, zbarkoi në Shakhir dhe rrëfeu nervozizmin e tij mbi Federatën dhe Moslin: "FIA? Durimi e ka një kufi, por ne nuk dorëzohemi. Punojmë 24 orë në ditë dhe po shpenzojmë shumë para. FOTA është e bashkuar, por duhen qartësuar disa gjëra. Është e nevojshme një rregullore që të vendosë stabilitet. Ne montojmë ‘kers‘-at, por ka makina pa të tillë. Kjo është e drejta e tyre, por kjo kuptohet sikur nuk ka rregulla kompakte. Ka makina me zgjidhje totalisht ndryshe nga skuadrat që fituar 3 botërorët e fundit dhe kjo tregon që ka pjesë të errëta në rregullore. Mendoj se do ta gjej gjuhën. Ekleston? Thotë që letrat e FOTA-s ia ha qeni, por unë ia nis me e-mail".

Formula 1

Mbërritja

1. Xh. Baton Braun GP

2. S. Vetel Red Bull

3. J. Trulli Toyota

4. L. Hemilton MekLaren

5. R. Barikelo Braun GP

6. K. Raikonen Ferrari

7. T. Glok Toyota

8. F. Alonso Renault

9. N. Rosberg Uilliams

10. N. Piket Renault

Klasifikimi

Pilotët

1. Xhenson Baton 31 pikë

2. Rubens Barrikelo 19

3. Sebastian Vetel 18

4. Jarno Truli 14.5

5. Timo Glok 12

6. Mark Veber 9.5

7. Luis Hemilton 9

8. Fernando Alonso 5

9. Heiki Kovalainen 4

10. Nik Hajdfeld 4

Kontruktorët

1. Braun GP 50 pikë

2. Red Bull 27.5

3. Toyota 26.5

4. MekLaren 13

5. Renault 5

6. BMV Sauber 4

7. Toro Rosso 4

8. Uilliams 3.5

9. Ferrari 3

10. Force India -



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›