E Diel, 1 Nëntor 2026

LEHTESIM APO RENDIM I EFEKTEVE TE KRIZES GLOBALE?

A ka krizë në Shqipëri? Prej kohësh, opinioni publik është ndeshur me dy qëndrime diametralisht të kundërta. Nga njëra anë është qeveria që pretendon se nuk ka krizë. Kryeministri ka përsëritur refrenin se kriza botërore nuk e prek dot vendin tonë dhe se "qeveria disponon çdo qindarkë për të rritur pensionet dhe rrogat, sikurse ka premtuar". Nga ana tjetër, thuhet se kriza financiare e ekonomike do të ndikojë në ekonominë e vendit tonë. FMN, para një jave, shpalli qëndrimin e tij mbi situatën më të fundit ekonomike në Shqipëri dhe paralajmëron se ritmi i rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) parashikohet të jetë nga 0-1 për qind për vitin 2009.

Përtej këtij debati, biznesi në Shqipëri shpalli kërkesën për ngritjen e një komisioni antikrizë të nivelit të lartë, të përfaqësuar nga biznesi, Banka e Shqipërisë, Qeveria, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë.

Përkundrejt kësaj tabloje lind natyrshëm pyetja:

Ku është kriza që nuk po e shohim njësoj? Ǒduhet bërë? Diferenca në qasjet për krizën vjen nga kërkesa e përsëritur për vëmendje maksimale nga ana e qeverisë dhe e institucioneve tona kryesore ndaj zhvillimeve të pritshme në ekonominë reale. Në përpjekje për një analizë objektive, na duhet të pohojmë se shenjat e krizës në Shqipëri janë shumë të qarta. Është e rëndësishme që ato t‘i pranojmë dhe të marrim masat për të reduktuar efektin e tyre.

Rritja ekonomike për vitin 2009 parashikohet të bjerë në 0-1% (FMN) nga 6.8% në vitin 2008. Kjo e çon rritjen ekonomike praktikisht në stanjacion për vitin 2009, pavarësisht deklaratave të përsëritura propagandistike të qeverisë për rritje të lartë. Stanjacioni është rezultat i rënies së kërkesës që vjen nga rënia e dërgesave të emigrantëve, rënia e kredisë për ekonominë dhe përkeqësimi i llogarisë korente.

1. Dërgesat e emigrantëve kanë shfaqur shenja të qarta të rënies

Zhvillimet e ekonomisë globale sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të përballet edhe gjatë vitit 2009 me një reduktim të nivelit të remitancave dhe të hyrjeve kapitale. Sipas Raportit të Bankës së Shqipërisë, dërgesat e emigrantëve në vitin 2008 ranë nga 950 në 800 milionë euro, pra, një rënie vjetore prej rreth 16%. Sipas BSH-së, këto zhvillime përbëjnë një reduktim të mëtejshëm të mundësive të financimit të aktivitetit ekonomik dhe dëmtojnë balancat e kërkesës dhe ofertës për valutë. Por të mos harrojmë se remitancat janë burimi kryesor i zhvillimit ekonomik shoqëror në vendin tonë.

2. Pas një rritjeje disavjeçare, rënia e depozitave dhe kreditimit është e qartë

Treguesit e depozitave dhe kredisë janë ndër kryesorët ku mbështetet rritja ekonomike. Vitet e fundit ishte vënë re një rritje e dukshme, si e nivelit, ashtu dhe e ritmit të depozitave. Në kushtet e një sistemi bankar të konsoliduar, kjo përbën potencial për ritme relativisht të larta të rritjes së kredisë. Kredia për ekonominë ka pësuar ritme të larta rritjeje; ritmi i kreditimit ka qenë relativisht i lartë (50% më 2007 dhe 35% më 2008, kundrejt një viti më parë). Por niveli i kredisë ka qenë shumë i lartë edhe në terma absolutë. Mjafton të kemi parasysh se në vitin 2007, teprica e kredisë u rrit me rreth 100 miliardë lekë dhe me 103 miliardë lekë në vitin 2008, pra më shume ose sa rritja e GDP-së. Në këto rrethana, ka ndodhur dukuria që, edhe vitin e kaluar Shqipëria ka mundur të ruajë ritme relativisht të larta të PBB-së, rritje mbi 6%.

Por situata ndryshoi pas fillimit të krizës globale financiare dhe ndikimit të saj dhe në ekonominë shqiptare. Gjatë tremujorit të fundit të 2008-ës, periudhë kur ndikimi i krizës nisi të shfaqet edhe te ne, vërehet rënia e depozitave bankare, që nga 667.7 miliardë lekë në fund të shtatorit, ishin 619,8 miliardë lekë në fund të muajit dhjetor dhe po kaq në fund të muajit janar. Rënia dhe stanjacioni i depozitave bankare pas muajit tetor deri në janar, herët a vonë do të shoqërohej, siç dhe po ndodh, jo vetëm me marrjen e masave për kontrollin e kredidhënies, por edhe me tkurrjen e kredidhënies. Kjo duket qartë sidomos në muajin dhjetor 2008, kur shtesa e kredisë është vetëm 1 miliard lekë, ndërsa gjatë muajve të tjerë të vitit 2008 ishte në nivelin 8-12 miliardë lekë. Një situatë e tillë pritet, për fat të keq, të jetë e pranishme edhe gjatë vitit 2009. Rritja e kredive të këqija për vitin 2008 (7,8%) ka sjellë shtrëngimin e standardeve të kredidhënies. Kriza aktuale po shfaqet si "një krizë krediti", prandaj në muajt në vazhdim, krediti do të bëhet më i rrallë e më i shtrenjtë. Kredidhënia bankare po përkthehet në rënie të ritmit të rritjes ekonomike (ajo vlerësohet të ndikojë rreth 70% në rritjen e PPB-së), të zhvillimit të biznesit, e për rrjedhojë, edhe të të ardhurave buxhetore.

3. Deficiti tregtar është thelluar, për shkak të rënies së eksporteve, por edhe të importit të makinerive, pajisjeve dhe lëndëve të para

Deficiti tregtar u thellua edhe me rreth 300 milionë euro më 2008, duke arritur në 2.4 miliardë euro apo rreth 13.1% më i lartë se në vitin 2007. Nga kriza globale, prodhimi për shitje jashtë vendit ka pësuar goditje të fuqishme. Tremujori i katërt ka regjistruar dhe deficitin më të lartë prej 717 milionë euro përgjatë vitit, kryesisht për shkak të tkurrjes së eksporteve, që shënuan rënie tremujore prej 14%. Treguesi i deficitit tregtar ndaj PBB-së, për vitin 2008 vlerësohet në rreth 27.9%, nga 26.3% në vitin 2007. Ndërsa ritmet e rritjes së importeve kanë rënë gradualisht nga 18% në tremujorin e parë, në 11% në tremujorin e katërt të 2008-ës. Në fillim të vitit 2009, ekonomia shqiptare ka hyrë në një fazë më të madhe ngadalësimi dhe, sipas të dhënave, i gjithë aktiviteti tregtar i vendit ka rënë ndjeshëm në këta muaj të parë.

Të dhënat për importet e bëjnë edhe më të zymtë pamjen, nëse do të shohim shifrat mbi zërat e veçantë të tyre. Importet e makinerive dhe të pajisjeve për makineri e linja prodhimi gjatë tre muajve të parë të këtij viti kanë rënë me rreth 72% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Importet e materialeve të ndërtimit kanë rënë me mbi 42% dhe vijnë menjëherë pas atyre të makinerive, të pajisjeve për makineri dhe linja prodhimi; importet e ushqimeve kanë rënë në vlera shumë të ulëta, importet e karburanteve janë edhe ato në po të njëjtat shifra. Kjo do të thotë se biznesi është duke pakësuar investimet në mënyrë shumë të dukshme, dhe se aktiviteti ekonomik në përgjithësi ka rënë. Të dhënat mbi rënien e eksporteve janë edhe më të mëdha: nga 19% që ishte eksporti në 9-mujorin e parë të vitit 2008, ra në 6% në tremujorin e fundit. Eksportet dominohen nga shifra shumë të ulëta të prodhuesve me mall të porositur dhe, nëse nuk do të kishte një eksport të rëndësishëm të energjisë elektrike gjatë këtyre muajve, aktiviteti ekonomik në vend do ishte në gjendje më të vështirë. Duhen publikuar pa humbur kohë të dhënat e tremujorit të parë për import-eksportet për të ndjekur me kujdes tendencën e ndikimit të krizës.

4. Deficiti i llogarisë korrente të Shqipërisë po shënon rekord historik

Deficiti i llogarisë korrente për vitin 2008 shënoi rekord historik prej 1.3 miliardë euro, krahasuar me 831 milionë euro në vitin e kaluar, duke tejkaluar edhe vitin 1997, kur vendi gjendej në anarki të plotë. Ky deficit është ndikuar kryesisht nga rritja e shpejtë e importeve dhe ngadalësimi i remitancave përgjatë pjesës së dytë të vitit. Ky tregues vë në dyshim stabilitetin makroekonomik të vendit. Deficiti i llogarisë korrente është shoqëruar me rënien e vlerës së monedhës vendase. Në një ekonomi si ajo e Shqipërisë, e orientuar nga importi, zhvlerësimi i monedhës shoqërohet me ulje të fuqisë blerëse të popullatës, si dhe vështirësi në rritje për shlyerjen e kredive në valutë.

5. Rritet deficiti buxhetor i borxhit publik dhe kostos së tij

Deficiti buxhetor u rrit nga 34.1 miliardë lekë në vitin 2007 në 60.2 miliardë lekë më 2008. Sipas të dhënave të BSH, ky deficit përbën 5.7% të PPB-së, duke qenë më i lartë se ai prej 5.2%, që ishte parashikuar për vitin 2008 ose 2.2% më i lartë se një vit më parë. Kjo rritje e deficitit shënon një përmbysje të trendit rënës, të vërejtur prej disa vitesh në Shqipëri. Rritja e deficitit rezultoi nga rritja më e shpejtë e shpenzimeve, e sidomos atyre për invenstime, e posaçërisht për rrugën Durrës-Kukës. Shpenzimet u bënë, duke rritur jashtëzakonisht financimet e huaja me interesa tregtare të larta, si dhe bono thesari me interesa të larta, që kanë rritur njëkohësisht koston e borxhit publik. Kjo panoramë e financimit të deficitit buxhetor rezulton në një kosto të madhe të borxhit publik.

Niveli i borxhit publik shënoi rritje gjatë vitit 2008, duke arritur në 55.6 për qind të PBB-së nga 52.2 për qind një vit më parë. Ky deficit për vitin 2009 u programua në nivelin 4,2%, për një rritje të PPB-së me 6%. Por tashmë është pranuar pamundësia e realizimit të kësaj rritjeje, çka kërkon edhe korrigjimin e nivelit të deficitit për vitin 2009 nën nivelin 4,2%. Në këtë situatë duhet disiplinim i shpenzimeve, si domosdoshmëri për të shmangur veçanërisht rritjen e interesave në tregun e bonove të thesarit, të cilat kushtojnë sot mesatarisht 1% më shumë nga sa kushtonin vitin e kaluar. Vetëm interesat për borxhin e brendshëm pritet të rriten me rreth 35 milionë dollarë, ç‘ka tregon koston në rritje të borxhit si rrjedhojë e kësaj politike shpenzimesh. Interesat e sotme të bonove të thesarit janë më të lartat e shënuara që nga viti 2003.

Deficiti buxhetor, e për pasojë, edhe rritja e kostos së borxhit lidhet edhe me performancën e ulët të mbledhjes së të ardhurave. Vetëm mosrealizimi i të ardhurave doganore për këtë tremujor është 3 miliardë lekë, ndërsa një vit më parë, deficiti u shfaq në qershor, në nivelin e 2,4 miliardë lekëve, kurse në vitet e mëparshme ai shfaqej në tetor apo nëntor. Në këto kushte, nevoja e qeverisë për para për të mbuluar deficitin është bërë emergjente, veçanërisht pas dështimit të përpjekjes për të marrë kredi në tregun ndërkombëtar. Derisa kredia në euro të mbërrijë, qeveria do të mbulojë nevojat e veta me borxhe në lekë, të marra në tregun e brendshëm nëpërmjet bonove. Kjo politikë e qeverisë, përveç rritjes së kostos së borxhit, sjell ulje të kreditimit për biznesin dhe individët, pasi bankat kanë shumë pak hapësirë për të rritur kredinë në valutë. Këtë e tregon rënia e ritmit të kreditimit të sektorit privat në Shqipëri, i cili ra ndjeshëm gjatë muajve të parë të vitit. Në këto kushte, kur në maj do të merren masa që rritin më tej shpenzimet dhe pakësojnë të ardhurat (nga ulja e sigurimeve shoqërore) pritet të ketë përkeqësim të dukshëm të deficitit buxhetor. Pa harruar t‘i shtojmë kësaj rritjen dukshëm të kostos së borxhit.

6. Pushteti i informacionit përkundrejt informacionit të pushtetit

Trajtimi i duhur i krizës financiare ekonomike nuk mund të realizohet pa veprime të koordinuara, fleksible e të shpejta. Por këto veprime nuk mund të realizohen pa një qëndrim transparent dhe informacion të shpejtë nga institucionet publike. Informacioni është pushtet për vendimmarrje efikase në kohë për ekonominë, por e kundërta ndodh te ne kur informacioni është pronë e pushtetit. Në këto raste, vështirë të merren vendime të koordinuara e të shpejta për t‘i paraprirë apo zvogëluar efektet e krizës. Përvoja e mjaft vendeve flet aktualisht për një konsensus e dialog politik mjaft të hapur e transparent të të gjitha forcave politike dhe aktorëve kryesorë socialë. INSTAT vazhdon të publikojë për papunësinë informacion shumë të vonuar (tremujorin e tretë të vitit të kaluar) e njëkohësisht të pasaktë dhe të paplotë.

Nga qeveria, informimi është i vonuar. Nga ana tjetër, kur të dhënat sigurohen nga burime të ndryshme -shpesh të pabesueshme- bie në sy që ato lexohen në mënyrë të njëanshme nga qeveria, kur në fakt realiteti tregon se ka probleme. Banka e Shqipërisë, organet shtetërore, përfshirë INSTAT, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, atë të Tatimeve, Ministrinë e Financave, Ekonomisë etj., duhet të bëjnë thjesht detyrën e tyre; të realizojnë kalendarin e publikimeve. Ndërsa duke iu përgjigjur situatave të krizës ta përmirësojnë e ta përshpejtojnë këtë informim të publikut.

Ǒduhet të bëjmë?

- Na duhet të tregohemi shumë të vëmendshëm e aktivë në parashikimin e skenarëve dhe marrjen e masave, për të përballuar efektet negative të kësaj krize botërore në ekonominë tonë reale. Analiza e mësipërme tregon se pasoja negative në këtë aspekt mund të na prekin edhe në muajt në vazhdim. Prandaj, mbetet i dorës së parë rishikimi i buxhetit të këtij viti, në përputhje me treguesit aktualë e të pritshëm makroekonomikë, monetarë e fiskalë.

- Mbështetje të ekonomisë reale me masa konkrete që synojnë mbështetje për sipërmarrjet me numër të madh punëtorësh, apo vështirësi në eksportin e mallrave të tyre etj., çlirimin e marrëdhënieve të biznesit me administratën fiskale përmes shfuqizimit të referencave për pagat dhe çmimet; rishikimin e politikave nxitëse në drejtim të punimit të tokës; rishikimin e skemës së ndihmës sociale, me synim rritjen e efikasitetit të përdorimit të fondeve buxhetore për garantimin e zbatimit të ligjit për familjet në nevojë etj., ndjekja e nivelit të punësimit që do të ndihmojë për mirëmenaxhimin e fondeve buxhetore, në drejtimet ku mund të zbuten efektet e krizës aktuale. Po kështu, duhet të argumentohet situata përballë paketave antikrizë të FMN-së e BE-së, gjë që do të mundësonte përfitimin e fondeve nga këto dy paketa, tashmë të shpallura zyrtarisht.

Pas kësaj të shikojmë përtej krizës në nivel afatmesëm, duke analizuar, propozuar e zbatuar reforma të domosdoshme strukturore, që do na garantojnë qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike, zbatimin e politikave sociale efektive, uljen e papunësisë, reduktimin e varfërisë, zhvillimin e balancuar rajonal, përballimin e krizave apo problematikave të tjera negative të mundshme të tregjeve dhe ekonomisë botërore etj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›