E Shtunë, 31 Tetor 2026

F1, të dielën gara e Brazilit, vendoset titulli

Nga Altin Latifi
Të dielën do të zhvillohet Cmimi i Madh i Brazilit që do të vendosë edhe kampionin e ri të botës në Formula 1. Dy pilotët rivalë, Masa e Hamilton, janë duke punuar sidomos me aspektin psikologjik në prag të kësaj gare. Hamilton është parë duke luajtur golf, për të qetësuar mendjen, ndërsa Felipe Masa thotë se ende nuk ka zgjedhur se cfarë do të veshë gjatë garës. 

BRAZIL- Skuderitë e Formula 1 janë zhvendosur drejt Brazilit, aty ku të dielën do të zhvillohet edhe gara më e rëndësishme e sezonit. Edhe këtë vit dy titujt e këtij sporti do të vendoset në Inter Lagos, ku sërish do ta diskutojnë dy skuderitë më të famshme Ferrari e MekLaren. Anglo-gjermanët duken të avantazhuar përsa i përket kampionatit të pilotëve, duke qenë se Hamilton ndodhet 7 pikë para rivalit të tij Felipe Masa. Ndërsa Ferrari ka 11 pikë më shumë në kampionatin e konstruktorëve, një titull që në Maranelo e konsiderojnë shumë të rëndësishëm, pasi tregon forcën teknologjike të kokëkuqes. Ferrari e ka ngritur këtë trofe 8 herë në 10 vitet e fundit, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë. Përpos kësaj, gjithçka është e hapur deri të dielën, kur pilotët të zbresin në pistë. Dy skuderitë janë duke menduar për gjithçka. Në Brazil është fillimi i verës dhe shiu është një fenomen i zakonshëm, që mund të vendosë shumë. Temperaturat do të vazhdojnë të qëndrojnë të larta dhe mund të përdoren goma më të buta në krahasim me ato të Çmimit të Madh të Kinës. Po kush do ta fitojë titullin, është pyetja që shtrojnë të gjithë. Edhe një vit më parë Ljuis Hamilton ishte një hap larg, por në dy garat e fundit Raikonen arriti të rekuperonte 17 pikë. Situata duket e njëjtë edhe këtë vit, por piloti britanik nuk ka më një rival brenda ekipit si edhe duket më i pjekur. Veçse tensioni tek Hamilton duket vërtetë në limite. Ai mund të bëhet piloti më i ri që mund të fitojë një titull kampion bote, por edhe mund të dështojë si një vit më parë. Për të kuptuar gjendjen e britanikut, mediat në Angli e kanë fotografuar atë duke luajtur golf, një sport i mirë për të qetësuar nervat në prag të garës më të rëndësishme të karrierës.
~
Në krahun tjetër Felipe Masa duket më i qetë. Mbi kokë ai ka një këshilltar si Majkëll Shumaker, i mësuar me gara të tilla. Sipas ish-pilotit të Ferrarit, Masa garon në shtëpi përpara tifozëve të tij dhe për më tepër nuk ka ç’të humbasë. “Mund të fitojë, unë besoj shumë tek ai”, tha Shumaker. Sipas tij, titulli për konstruktorë nuk ka shumë dyshime se do t’i shkojë Ferrarit, ndërsa ai për pilotë është ende i hapur. Ndërsa vetë Masa duket më i motivuar se kurrë: Zgjohem çdo mëngjes duke ëndërruar titullin”, thotë ai. Masa shton gjithashtu se pret ndihmë edhe nga pilotët e tjerë në pistë, ndërsa shprehet se është shumë supersticioz. “Fiksimi është se ccfarë do të vesh të shtunën ose të dielës. Dua të jem sa më komod dhe i relaksuar në makinë”, deklaroi piloti brazilian i Ferrarit. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›