E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet e huaja, Berisha takon kryeministrin turk

Kryeministri i vendit Sali Berisha ka takuar në Stamboll kryeministrin turk Rexhep Erdogan. Në këtë takim Erdogan ka theksuar se ka inkurajuar investitorët turq të investojnë në Shqipëri. 

STAMBOLL – Kryeministri shqiptar Sali Berisha ka zhvilluar sot në Stamboll një takim me kryeministrin turk Rexhep Erdogan. Të dy kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve. Kryeministri Erdogan rikonfirmoi edhe një herë mbështetjen e plotë të qeverisë turke dhe të vendit të tij për integrimin e plotë të Shqipërisë në NATO. “Po bëjmë përpjekje për të inkurajuar investitorët turq të vijnë të investojnë në Shqipëri”, tha kryeministri turk.

Nga ana tjetër kryeministri Berisha njohu Erdogan me reformat e gjithanshme të qeverisë shqiptare, duke u ndalur ne krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin dhe mbështetjen e tyre përmes projekteve të rëndësishme infrastrukturore, si parqet industriale etj. Kryeministri Berisha theksoi se investimet direkte turke kanë shënuar gjatë këtyre viteve të fundit një shifër rekord prej 860 milion euro nga 135 milion euro që kanë qenë në 2005.

Dy kryeministrat rikonfirmuan gadishmërinë dhe angazhimin e tyre personal, si dhe të qeverive të tyre, për të konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha fushat që t’i përgjigjet nivelit jashtëzakonisht të lartë të miqësisë tradicionale mes dy popujve.

Kryeministri Berisha ndodhet në Stamboll për një vizitë dy ditore, ku po merr pjesë në punimet e Forumit Ekonomik Botëror për Evropën dhe Azinë Qendrore.
(a.s/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›