FA angazhim maksimal në përballimin e emergjencës
Zyra e Shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes bën të ditur se, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm kanë ndjekur nga afër situatën duke vendosur në dispozicion të Shtabit të Emergjencave në Shkodër të gjithë personelin dhe mjetet e nevojshme. Aktualisht në zonat e përmbytura janë të angazhuara në terren 96 forca dhe 40 mjete, nga të cilat 13 makina vetëshkarkuese për ndërtim argjinaturash të dëmtuara, 4 fadroma, 6 motobarka, 2 eskavatorë, një rimorkiator, katër mjete transporti për evakuimin e banorëve, autobot karburanti, etj. Gjatë ditës së diel, Forcat e Armatosura kanë ndërtuar një argjinaturë 70 metër të gjatë dhe një metër të lartë në vijën e fshatrave Baragjat, Rrushkull dhe Belaj, në mënyrë që këto fshatra të mbrohen nga përmbytjet. Në gatishmëri për mbështetje të menjëhershme janë vendosur 146 forca dhe 138 mjete të tjera, të cilët shërbejnë kryesisht për evakuimin e banorëve me mjete dhe motobarka si dhe për transportimin e mallrave. Gjithashtu është vënë në gatishmëri edhe Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve në Durrës për pritjen dhe sistemimin e 416 banorëve, në rast nevoje. Aktualisht forcat ushtarake ndodhen në gjendje gatishmërie në Komunën Dajç për evakuim të banorëve. Forcat ushtarake vijojnë të jenë në gatishmëri për t’u përdorur sipas nevojave dhe kërkesave të Shtabit të Emergjencës.