E Shtunë, 31 Tetor 2026

FBI e kërkon, EULEX e liron

Bajram Asllani, 29-vjeçari nga Mitrovica, i arrestuar për dyshimet se është i përfshirë në plane terroriste, ka qëndruar një natë në paraburgim.

Pavarësisht kërkesës së autoriteteve amerikane për ekstradim, gjyqtari i EULEX-it, në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, i ka shqiptuar atij masën e lajmërimit dy herë brenda jave në stacionin e policisë.

Atij i është marrë pasaporta dhe nuk mund të largohet nga shteti, ndërkohë që prokurori i çështjes, nga Prokuroria Speciale, është duke e shqyrtuar këtë vendim.

“Prokurori ynë është duke e shqyrtuar këtë masë të gjyqtarit dhe pastaj do të vendosë nëse do të apelojë ose nuk do të apelojë ndaj këtij vendimi”, thotë Kristiina Herodes, zëdhënëse e EULEX-it për Express.

Dyshimet që rëndojnë mbi Bajram Asllanin, 29 vjeç, të hartuara nga FBI-ja (Federal Bureau of Investigations), janë shumë të rënda.

Expressi ka siguruar të plotë raportin e FBI-së, mbi bazën e të cilit, autoriteteve kosovare dhe ndërkombëtare, u është kërkuar arrestimi dhe ekstradimi i Bajram Asllanit.

Ky raport me numër 5:10-M-1350 është hartuar nga hetuesi i FBI-së, Jason R.Masloë dhe është dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së më 19 prill 2010.

Hetuesi amerikan shpjegon se në këtë dokument i ka përfshirë vetëm të dhënat që nuk cenojnë hetimet e mëtejme.

Në pikën 4 të këtij dokumenti, shkruan se nga 11 mars 2006 e deri më 27 korrik 2009, Daniel Patrick Boyd, Hysen Sherifi, Anes Subasic, Zakariya Boyd, Dylan Boyd, Jude Kenan Mohammad, Mohammad Omar Aly Hassan, Ziyad Yaghi dhe Bajram Asllani, kanë thurur plane terroriste.

Në pikën 9 thuhet se qëllimi kryesor i konspiracionit ka qenë shtimi i dhunës së xhihadit (jihad) për luftë të shenjtë kundër të pafeve, duke përfshirë mbështetjen dhe pjesëmarrjen në aktiviteteve terroriste në vende të veçanta jashtë SHBA-së dhe konspiracion për të kryer akte të vrasjeve, kidnapimeve, gjymtime të personave jashtë SHBA-së.

Hetuesit e FBI-së kanë shkruar se pjesë e konspiracionit ka qenë edhe përgatitja për t’u shndërruar në muxhahedinë (mujihadeen) ose luftëtarë të shenjtë dhe të vdesin shehidë (shahid), si martirë të xhihadit.

“Pjesë e konspiracionit të tyre ka qenë edhe radikalizmi i të tjerëve, shumica të rinj myslimanë apo të atyre që janë konvertuar në Islam, që të besojnë në idenë që xhihadi është një obligim personal dhe pjesë e secilit mysliman të mirë”, shkruan më tej raporti.

Në këtë dokument përfshihen edhe bisedat e tyre përmes internetit, mesazhet deri në detaje, pasi FBI-ja ka arritur të infiltrojë edhe dy agjentë të saj brenda grupit.

Tekstin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›