Rreh kryekomunarin, pranga 62-vjeçarit
DURRËS/ Bajram Daci është arrestuar nga policia pasi goditi për shkak të detyrës kreun e komunës së Bubqit
Shkak për ngjarjen ka qenë një kanal kullues që i shërbente fshatit, por që kalonte në tokën e Dacit
DURRËS - Një kanal kullues ka çuar në një përleshje fizike në mes të një lokali të fshatit mes një banori dhe kryekomunarit të Bubqit. Mësohet se shtetasi Bajram Daci ka rënë në pranga, pasi ka goditur kreun e komunës S.Kollaku.
Shkak ka qenë fakti që Daci nuk ka lejuar vazhdimin e punimeve të nisura për thellimin e kanalit vaditës dhe kishte penguar punimet prej kohësh. Çdo lloj ndërhyrjeje për t'i mbushur mendjen se kanali i shërbente të gjithë fshatit nuk ka qenë rezultative.
Kryetari i komunës për të zgjidhur problemin kishte kërkuar edhe mbështetjen e këshilltarëve, që kishin marrë vendim unanim për hapjen e kanalit pa dëshirën e Bajram Dacit. Kjo e ka revoltuar 62-vjeçarin, i cili pas këtij vendimi ka vendosur që të ndëshkojë kryekomunarin dhe ka ruajtur momentin kur ai ka qenë në një lokal.
Ngjarja
Konflikti është zhvilluar në një lokal kafeje në qendër të fshatit Bubq të Krujës.
Dëshmitarë të ngjarjes kanë bërë të ditur në polici se sherri ka ndodhur në orën 9:30 të mëngjesit. Kryekomunari Kollaku ka qenë duke pirë një kafe në lokal i ulur në tavolinë me tre vetë, kur aty ka mbërritur edhe 62-vjeçari Bajram Daci.
Ai i është drejtuar tavolinës ku ndodhej Kollaku duke ngritur zërin dhe duke e sharë atë. Dëshmitë kanë evidentuar faktin se kryekomunari është përpjekur ta shuajë konfliktin duke e ftuar Dacin të ulej në tavolinë me të, por 62-vjeçari e ka refuzuar ftesën dhe duke përfituar nga pozicioni ulur i kundërshtarit e ka goditur atë me grushta në fytyrë.
Gjatë këtij konflikti kanë ndërhyrë edhe banorët për ta shmangur situatën e rënduar. Burimet nuk saktësojnë nëse ka pasur apo jo telefonatë, por evidentojnë faktin se brenda pak minutave në vendngjarje ka mbërritur edhe inspektori i zonës që ka bërë arrestimin e Bajram Dacit në flagrancë.
Për ta marrë dhe transportuar ai ka kërkuar ndihmën e policisë së Krujës, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes duke bërë të mundur edhe mbajtjen e situatës nën kontroll. Pas kësaj janë mbledhur dëshmitë nga dëshmitarët okularë.
Policia
Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit ka konfirmuar se "u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bajram Daci, i datëlindjes 02.01.1940, me arsim 4 klasë. Arrestimi i tij u bë për arsye se rreth orës 09:30 në një lokal përballë Komunës Bubq ka goditur me grushta në fytyrë për shkak të detyrës kryetarin e Komunës Bubq". Hetimet kanë konfirmuar se "shkaku i konfliktit midis Dacit dhe Kollakut ka qenë një kanal kullues që kalonte përmes fshatit Bubq".