E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vetëvendosja” kërkon hetim ndërkombëtar ndaj policëve rumunë

Përfaqësues të Këshillit Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit nga Prishtina, të atij nga Tirana, si dhe të Këshillit nga Tetova dhe të atij nga Presheva, vizituan sot zyrën e Lëvizjes “Vetëvendosje”, me ç‘rast u takuan me Albin Kurtin dhe Liburn Aliun.

Në këtë takim u kërkua edhe një herë që të mbyllet procesi gjyqësor, ndërkohë që shpallja fajtor e Kurtit, i cili u dënua me 9 muaj burg për veprën penale të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, u cilësua si vendim i padrejtë. Këshillat Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit po ashtu kërkuan që drejtësia të vihet në vend duke inicuar procesin ndërkombëtar të pavarur të hetimeve për vrasjet e dy demonstruesve më 10 shkurt të vitit 2007.

Aktivisti Liburn Aliu i informoi anëtarët e këtyre Këshillave se peticioni i organizuar nga këto këshilla e që u nënshkrua nga 175 mijë shqiptarë gjithandej vendeve ku jetojnë, i është dërguar shumë institucioneve vendore e ndërkombëtare, në mesin e të cilëve kryetarit shqiptar Bamir Topit, kryeministrit Sali Berisha, kryeparlamentares Jozefina Topalli, sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, përfaqësueses së Lartë të Komisioni të BE-së për Politikë të Jashtme dhe për Çështje të Sigurisë, Catherine Ashton, si dhe parlamentarëve evropianë.

Dejona Mihali, përfaqësuese e Këshillit nga Shqipëria, tha që “gjykimi i Kurtit vetëm gjykim nuk ishte sepse nuk janë respektuar procedurat ligjore”. Ajo po ashtu tregoi për konsultat në vazhdim e sipër me juristë të njohur për t’u këshilluar për hapjen e një hetimi të pavarur ndërkombëtar për vrasjet më 10 shkurt.

Valon Murati nga Këshilli në Kosovë theksoi edhe një herë kërkesën drejtuar prokurorit që të tërhiqen të gjitha akuzat kundër Albin Kurtit, duke thënë se ky proces duhet të mbyllet. Murati njëkohësisht tha se drejtësia ende nuk është vënë në vend, duke e potencuar domosdonë nxjerrje së të vërtetës për 10 shkurtin në shesh.

Valon Kurtishi nga Këshilli për Maqedoni kërkoi që të hapen hetimet për 10 shkurtin dhe të vendoset drejtësia për vrasjet.

Belgzim Kamberi nga Këshilli për peticion në Luginën e Preshevës falënderoi të gjithë shqiptarët për solidarizim në rastin Kurti.

Albin Kurti i falënderoi edhe një herë të gjithë qytetarët shqiptarë gjithandej në Ballkan dhe theksoi se presioni i tyre ka bërë që prokurori t’i heqë disa akuza ndaj tij.

Kurti tha se “Vetëvendosja” do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për vrasjen e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit dhe plagosjen e rreth 80 protestuesve të tjerë paqësorë në demonstratën e 10 shkurtit, thuhet në një komunikatë të “Vetëvendosjes”, të lëshuar pas takimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›