E Shtunë, 31 Tetor 2026

FBI kthen pistoletat dhe plumbat e 21 janarit

Ndrea Prendi ne gjykate

Pas analizave, pala amerikane dorëzon fizikisht predhat, priten armët.

Mbërrijnë në Tiranë provat materiale të ekspertuara.

Kthehen në Shqipëri, pas ekspertimit në zyrat e FBI-së në SHBA, provat e 21 janarit. Në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë mësohet se kanë mbërritur predhat e dërguara për ekspertim në SHBA, ndërkohë që pritet edhe mbërritja e dy pistoletave. Dy armët e dërguara në SHBA ishin pistoleta e Ndrea Prendit dhe ajo e shoferit të tij, Margarit Kume, të cilave, sipas Prokurorisë, u janë ndërruar tytat pasi komandanti i Gardës kishte qëlluar 11 herë me armën e tij duke vrarë Faik Myrtajn. Armët dhe predhat përbëjnë prova materiale, të cilat do të paraqiten në gjykatë në momentin e dërgimit të dosjes për gjykim. Pas vrasjes së tre personave që humbën jetën më 21 janar dhe vdekjes së Aleks Nikës disa javë më vonë në një spital në Turqi, Prokuroria shqiptare u është drejtuar autoriteteve amerikane të FBI-së me letër-porosi për jashtë shtetit. Kjo letër-porosi i drejtohej Laboratorit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI), në Qunatico të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokuroria ka kërkuar që në Laboratorin e FBI-së të kryheshin ekspertimet balistike të predhave, gëzhojave dhe armëve. Bazuar në të dhënat që tregonin një anomali me armët që kishin qitur në vendin e ngjarjes, prokuroria dërgoi në SHBA dy pistoleta, atë të Ndrea Prendit dhe Margarit Kumes. Sipas hetimeve, rezultonte se skeleti i armës së Ndrea Prendit kishte lënë shenja në 11 gëzhoja, mirëpo predhat nuk përputheshin me tytën e armës së komandantit të Gardës. Për këtë shkak, pas një hetimi edhe operativ, prokuroria vendosi të dërgojë dy armë në SHBA, atë të kreut të Gardës dhe armën e shoferit të tij. Ballafaqimi tregoi se tyta që ndodhej në pistoletën e Margarit Kumes kishte qitur 5 predha, pasi gjashtë të tjerat, nga 11 shkrepjet e bëra nga Ndrea Prendi, nuk u gjetën. Hetimi i mëvonshëm zbuloi më pas veprimet në magazinën e Gardës së Republikës, të cilat sqaruan se komandanti i Gardës i kishte ndryshuar tytën armës së tij me qëllim për të fshehur gjurmët, pasi kishte qëlluar 11 herë me armë më 21 janar. Në lidhje me predhat, Prokuroria shqiptare dërgoi në SHBA plumbat që ishin gjetur në trupin e Aleks Nikës dhe Faik Myrtajt, pasi në kohën kur u realizua letër-porosia, predha që vrau Ziver Veizin ishte identifikuar se i përkiste armës së Agim Llupos dhe po ashtu, Hekuran Dedës, i vrarë më 21 janar, nuk ishte arritur t’i gjendej predhë në trup pasi plaga kishte qenë tejshpuese. Sipas raport-ekzaminimit nr. 163G-SP-215, datë 05 janar 2012, të Laboratorit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI): “ Predha me nr. Q4 (predha e gjetur në trupin e viktimës Aleks Nika) dhe predha nr. Q2 (predha e gjetur në trupin e viktimës Ziver Veizi), peshojnë afërsisht 123 grain (8 gramë) dhe kanë dalë nga një tytë me gjashtë vjaska të thelluara dhe të ngritura nga e djathta. FBI-ja vëren se për shkak të mungesës së shenjave korresponduese mikroskopike me vlerë, këta plumba (predha) nuk mund të identifikohen si të qitura nga e njëjta tyte, nga tytat e pistoletave të dërguara për ekzaminim, apo nga tytat që kanë qitur ndonjërin nga plumbat (predhat) e dërguar për ekzaminim”. Raporti i ekspertizës ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës më 17 janar 2012.                      tr.so

Ekspertiza e fotografive
Prokuroria ka kërkuar nga FBI-ja ekspertim teknik me qëllim pastrimin e imazheve fotografike dhe filmime për disa episode të ngjarjeve të 21 janarit. Konkretisht, rokuroria ka dërguar për ekzaminim: imazhe fotografike të skedarit që bën fjalë për viktimën Aleks Nika; skedar fotosh; 32 pamje video që bëjnë fjalë për viktimën Ziver Veizi; imazhe të marra në TV Top Cannel; si dhe pamje të marra në aparatin telefonik të deklaruesit Hysni Peposhi. Nga përgjigjet e ardhura në prokurori në shkurt 2012, është arritur në përfundimin se filmimet dhe fotot nuk përmbajnë të dhëna identifikuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›