E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet magazina, humb jetën 4-vjeçari

Pamje e magazinës pas shembjes

Ngjarja në fshatin Lapardha të Beratit. Godinës i ishte hequr hekuri dhe tullat prej vitesh.

Objekti i ish-kooperativës zë poshtë fëmijën dhe dajën e tij.

Shembet magazina e ish-kooperativës buj-qësore në Lapardha, humb jetën nën gërmadha 4-vjeçari. Një tragjedi në fshatin 11 km larg Beratit ajo që ndodhi paraditen e djeshme. Godina e amortizuar, në të cilën luanin shpesh fëmijët e zonës, është shembur papritur duke zënë përfund Franko Bejdon dhe kushëririn e tij, dhe ai 4 vjeç. Tentativa e dajës së viktimës ka qenë me fat për nipin e tij Aleandro Ngjeli, por jo për Bejdon. Ky i fundit ka mbetur përfund tullave, një pjesë e të cilave ka bllokuar këmbët e dajës së tij 30-vjeçar, Haxhi Ngjeli. Ka qenë ora 11:00, kur dy fëmijët 4-vjeçarë, Franko Bejdo dhe Aleandro Ngjeli, kanë dalë për të luajtur. Bejdo kishte ardhur nga qyteza e Urës Vajgurore, ku jetonte me gjyshërit, për të qëndruar disa ditë te daja e tij ku kishte dhe kushëririn moshatar. Sapo kanë dalë nga shtëpia, destinacioni ka qenë magazina e braktisur, e cila prej kohësh shfrytëzohej dhe nga fëmijët më të rritur për të luajtur futboll brenda saj. Nuk ka zgjatur shumë dhe në kërkim të tyre ka shkuar daja i Frankos (xhaxhai i Aleandros), Haxhi Ngjeli. I shqetësuar për largimin e dy të miturve dhe faktin se nuk i dëgjonte përreth shtëpisë, ai ka shkuar drejt magazinës. Sapo 30-vjeçari ka vënë këmbët brenda magazinës, ka thërritur dy nipërit e tij të vegjël të

Magazina në Lapardha të Beratit

dilnin jashtë. “Kur pashë se ata nuk po dukeshin menjëherë, u futa në atë magazinë të mallkuar. U thirra që të vinin. Shkova e mora vetë Aleandron dhe e nxora nga magazina. Në këtë momente dëgjova një zhurmë të fuqishme, që u shoqërua nga një mjegull tymi. Nga frika kapa menjëherë Frankon dhe arrita të dal në gjysmë të derës. Pikërisht atëherë ra muri i magazinës mbi ne. Frankos i kapi gjysmën e trupit, ndërsa mua më ra mbi këmbë, duke më bllokuar në vend. Mbetëm në rrënoja dhe po kërkonim ndihmë”, tregon nga spitali ku është shtruar daja i viktimës. Në ndihmë u kanë shkuar familjarë e banorë të zonës që dëgjuan zhurmën e fuqishme. Dy personat që ndodheshin nën rrënoja në hyrje të magazinës, kanë mundur t’i tërheqin dhe t’i transportojnë drejt spitalit të Beratit. Mjekët konfirmuan humbjen e jetës së 4-vjeçarit, ndërsa daja i tij është ende nën kontrollin e tyre, për shkak të dëmtimeve në të dy këmbët. Pas ngjarjes, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore dhe ato të repartit zjarrfikës. Ata kanë izoluar vendin, të alarmuar se mund të kishte të tjera viktima brenda magazinës së shembur. Me imtësi e kujdes është kontrolluar nëpër të gjithë sipërfaqen e shembur se mos brenda saj ndodheshin fëmijë të tjerë. Vetëm pas 1 ore. punonjësit e policisë dhe zjarrfikësit kanë deklaruar se brenda nuk kishte persona të tjerë. Nga grupi hetimor ka nisur puna për të zbardhur shkaqet e sakta të ngjarjes tragjike. Paraprakisht pohohet se shembja ka ardhur si pasojë e

Haxhi Ngjela në spital

dobësimit të mureve të magazinës, pas marrjes së tullave dhe prerjes së hekurave për skrap.
Mësohet se fëmija fatkeq i kishte të dy prindërit e tij në Greqi dhe jetonte me gjyshërit në Urën Vajgurore. Atë e kishin çuar në fshatin Lapardha, ku jetonin dajat e tij për të qëndruar disa ditë. Por njëra nga këto ditë ka qenë fatale për jetën e tij, ende të pajetuar.

Magazinat, asnjë ndërhyrje nga shteti
Në këtë fshat kanë qenë ndërtuar tri magazina me dimensione të mëdha. Siç tregojnë banorët, magazinat janë ndërtuar në vitet ’60 dhe ishin në përdorim të kooperativave bujqësore të këtij fshati. Ato janë me një gjatësi 60 metra dhe me gjerësi 15 metra dhe ndodhen në mes të fshatit Lapardha. Banorët të shqetësuar për atë që ndodhi, por dhe atë që mund të ndodhë në të ardhmen, kërkojnë nga drejtuesit e komunës dhe prefekturës që këto tri magazina të shemben, pasi përbëjnë rrezik për jetën e fëmijëve. Mësohet se deri tani asgjë nuk është bërë për to nga autoritetet për shkak të problemit ende të pazgjidhur për pronësinë. Të vetmet ndërhyrje kanë qenë ato të bëra nga personat e papërgjegjshëm që i kanë dëmtuar pak nga pak.

Banori: Aty luajnë futboll fëmijët
Hamit Nano, banor i fshatit Lapardha, tregon për gazetën se këto magazina janë rreziku i përditshëm për ta, sidomos tani që shkaktuan edhe vdekjen e një fëmije. “Isha në shtëpi kur u dëgjua një zhurmë e madhe, sikur ra ndonjë bombë. Dola menjëherë jashtë, kur pashë një tym të përmasave të mëdha. U afrova dhe pashë magazinën që ishte shembur”. Sipas Nanos, në këtë fshat ndodhen tri magazina, të cilat janë braktisur pas viteve ’90. Banorët u kanë prerë hekurat dhe u kanë marrë tullat për ndërtime. “Hekurat i kanë prerë për t’i shitur, ndërsa tullat ua kanë marrë pjesë-pjesë. Kjo gjendje ka stimuluar dhe shembjen e magazinës. Këto magazina të mallkuara janë vdekjeprurëse për fëmijët që luajnë këtu. Ne kërkojmë nga shteti që këto të shemben se do të marrin jetë të tjera në këtë fshat, pasi fëmijët luajnë brenda ambienteve të tyre. Kemi qenë me fat që fëmijët që luajnë zakonisht në magazinë, në momentin e shembjes së saj ishin në shkollë. Nëse do ishin pushim, do kishin qenë duke luajtur me top dhe magazina do t’i kishte vrarë të gjithë”.

Nga Lapardhaja,
DILAVER XHELILI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›