E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzuan me kreditë, në pranga 2 punonjës banke

Arrestohen dy analistë kredish në qytetin e Durrësit dhe një tjetër u shpall në kërkim. Ata akuzohen se kanë vjedhur duke shpërdoruar detyrën gjatë kohës që punonin pranë filialit të bankës NOA në Durrës. Sipas Policisë, gjykata ka vendosur arrestin me burg për 1 muaj për Adrian Asllanin, 44 vjeç e Nelion Deliallisin, 29 vjeç, pas një hetimi 2-mujor për ta, në bashkëpunim me Prokurorinë. Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasit e lartpërmendur, në bashkëpunim edhe me një person (ish-punonjës pranë filialit të bankës NOA), i cili është shpallur në kërkim nga policia, kanë abuzuar me detyrën për disa muaj. Burime zyrtare nga Policia sqarojnë se shtetasit akuzohen për përvetësim të shumave të konsiderueshme parash të debitorëve ndaj bankës, ndërsa nëpërmjet falsifikimit të dokumentacioneve kanë favorizuar në të paktën 24 raste qytetarë, të cilët nuk plotësonin kriteret në marrjen e kredive personale për përfitim të këtyre kredive, duke i shkaktuar kështu bankës një dëm financiar prej 84 milionë lekësh. Mësohet se për të gjitha rastet e paraqitura, analistët e kredisë pranë bankës kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash duke ndihmuar “klientët”, personat që bashkëpunonin për të siguruar kredinë duke përdorur metoda të ndryshme. Analistët ishin lidhur me persona të ndryshëm, të cilët luanin rolin e kredimarrësit. Këta të fundit paraqiteshin pranë filialit të bankës dhe kërkonin kredi, ndërkohë që me procedurat merreshin vetë analistët. Ndonëse kredimarrësit e improvizuar nuk mund të përfitonin kredi, pasi nuk plotësonin kriteret, ata ndihmoheshin duke plotësuar formularë me të dhëna të rreme nga punonjësit e bankës. Mirëpo, njëri prej rasteve është zbuluar nga kompania dhe kjo e fundit ka marrë menjëherë masa ndaj punonjësve të saj, duke i larguar fillimisht nga puna dhe më pas u ka bërë kallëzim penal, duke i akuzuar për falsifikim dokumentesh. Hetimet e kryera përgjatë dy muajve pas kallëzimit penal nga institucioni financiar, e cila kishte konstatuar veprimet e kundërligjshme të punonjësve në degën e Durrësit ku pas auditimit të brendshëm u kryen nga njësia e përbashkët hetimore (Task Forcë) pranë Prokurorisë së Rrethit Durrës, e cila konstatoi se shtetasit e mësipërm nga 1 prilli 2011 deri më datë 30 qershor 2011, duke përfituar nga pozita e tyre si oficerë kredie në bankë, kanë marrë nga debitorët përkatës shuma të ndryshme parash dhe, megjithëse duhet të bënin kalimin e këtyre shumave në llogari të shoqërisë (“NOA”. Sh.A), ata nuk i kanë kryer këto derdhje, por këto shuma i kanë përfituar për vete. Për këtë arsye, Gjykata e Rrethit Durrës dy ditë më parë (të hënën) ka caktuar masën e sigurimit personal arrest me burg për 30 ditë.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›