Trafik droge me autoambulancë, Gjykata: Burg 7 të arrestuarve

Gjatë masës së sigurisë dje në Gjykatë
SHKODER – Gjykata e Shkodrës vendosi dje masën e sigurisë arrest me burg për shtatë të dyshuarit e ndaluar në kushtet e flagrancës, teksa transportonin në një autoambulancë rreth 200 kg bimë me karakteristika të kanabis sativa. Ata u ndaluan më 2 mars në fshatin Beltojë të Shkodrës. I pari që u njoh me vendimin e trupit gjykues, ishte efektivi i policisë së FNSH-së Kujtim Çuni, ndërkohë që të ndaluarve të tjerë, masa e sigurisë u është komunikuar dy e nga dy, për efekt të mungesës së ambienteve në gjykatë. Sipas organit të akuzës, shtatë personat kanë qenë pjesë e një rrjeti trafikantësh, të cilët janë mbajtur nën mbikëqyrje prej një periudhe afro 2-mujore. Madje, porosia e lëndës narkotike që u sekuestrua pak ditë më parë, është bërë nga dy agjentë të policisë të infiltruar si trafikantë të lëndës narkotike. Të ndaluarit gjatë fazës së hetimeve kanë qenë në përgjim ambiental dhe telefonik, për të cilat ekzistonin edhe vendimet e prokurorisë dhe të gjykatës. Prokuroria është bazuar në këto prova materiale të transkriptimeve të bisedave telefonike të personave, sasisë së kanabisit të sekuestruar në momentin e ndalimit, si dhe provave të tjera të gjetura gjatë kontrollit të banesave të të ndaluarve, mes të cilave dy armë automatike model 56 dhe një armë Shotgun. Avokatët e dy të pandehurve, Anton Lumi dhe Gjon Bregu, kërkuan vlerësimin jo të ligjshëm të arrestit në kushtet e flagrancës së klientëve të tyre, pasi ata nuk kanë qenë në autoambulancën ku gjendeshin të arrestuarit e tjerë, si dhe lënda narkotike. Sipas mbrojtjes, ata kanë qenë në një automjet tjetër (Mitsubishi) dhe janë takuar rastësisht me personat në autoambulancë. Në fund të seancës gjyqësore, trupi gjykues vendosi të lërë në burg të shtatë të pandehurit, shtetasit Kujtim Çuni, efektiv i FNSH-së, Zef Paloka, shoferi i ambulancës, Tish Pali, Tom Zhuri, Anton Lumi, Gjon Bregu, Françesk Çuni. r.d