E Shtunë, 31 Tetor 2026

FBI, predha e kreut të Gardës vrau Faik Myrtajn

Nga ngjarjet e 21 janarit

Fshehja e provave, i ndërroi tytën armës së tij me atë të shoferit

Prokuroria: Gjenerali Ndrea Prendi qëlloi 11 herë me pistoletë në drejtim të turmës
Komandanti i Gardës së Republikës, gjeneral Ndrea Prendi, është vënë në akuzë për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj një vit më parë, përballë Kryeministrisë në Tiranë. Sipas ekspertizës së kryer nga FBI-ja në SHBA me kërkesë të Prokurorisë shqiptare, kreu i Gardës ka qëlluar 11 herë në drejtim të turmës dhe katër gëzhoja janë gjetur në zyrat e UNHCR-së, një është gjetur në një pemë dhe e pesta është gjetur në trupin e demonstruesit të vrarë. Sipas Prokurorisë, kreu i Gardës, pasi ka kuptuar se kishte kryer vrasjen, i ka ndërruar tytën armës së përdorur prej tij më 21 janar me pistoletën e shoferit të tij, efektivit të Gardës, Margarit Kume. Më poshtë, gazeta Panorama publikon kërkesën e plotë të Prokurorisë drejtuar Gjykatës së Tiranës për masën e arrestit me burg ndaj komandantit të Gardës, Ndrea Prendi. Pas masës arrest shtëpie nga gjykata, ai u paraqit dje në Prokurorinë e Tiranës, ku iu njoftua akuza dhe veç kësaj, dha deklarime duke pranuar se më 21 janar ka qëlluar me armë në ajër.

Kërkesa e Prokurorisë
Në datën 21 janar 2011, Prokuroria e Tiranës ka nisur procedimin penal nr. 285 për veprat penale vrasja në rrethana të tjera cilësuese, organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme, shkatërrim i pronës me zjarr, shkatërrim i pronës, shpërdorim i detyrës, goditje për shkak të detyrës.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të papërsëritshme të kryera nga ana jonë, administrimi i provave shkresore dhe deklarimet e shtetasve të ndryshëm, rezulton se:
Në datën 21 janar 2011, nga ana e subjektit politik Partia Socialiste e Shqipërisë ishte njoftuar zhvillimi i një tubimi masiv në bulevardin Dëshmorët e Kombit, tubim të cilin subjekti politik në fjalë ka njoftuar me shkrim Drejtorinë e Policisë së qarkut Tiranë, si organ i ngarkuar në bazë të ligjit për miratimin dhe mbarëvajtjen e tij.
Sipas programit të tubimit, rreth orës 14:00, protestuesit kanë ardhur më këmbë nga sheshi Skënderbej dhe kanë ndaluar para godinës së Kryeministrisë. Nga ana e policisë janë marrë masa për sigurimin e rendit dhe për ruajtjen e godinave duke krijuar kordonë sigurie me forca policore të rendit dhe forca speciale të ndërhyrjes së shpejtë.
Pasi protestuesit janë vendosur para kësaj godine, persona nga turma kanë qëlluar me sende të forta forcat speciale të policisë të vendosura në mbrojtje të institucionit, të cilat kanë reaguar dhe më pas ka pasur të shtëna me armë zjarri, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen shtetasit Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Aleks Nika, si dje kanë pësuar dëmtime të ndryshme po me armë zjarri edhe disa persona të tjerë, pjesëmarrës në këtë grumbullim.
Në trupin e viktimës Faik Myrtaj u gjet një predhë arme zjarri, kalibër 9 mm, me pamje të rregullt, me formë cilindrike me majë sferike, me gjatësi 14.8 mm dhe peshë 7.472 gramë.
Në kokën e viktimës Aleks Nika u gjet një predhë arme zjarri e deformuar, kalibër 9 mm, me gjatësi të plotë 11.5 dhe gjerësi në njërin drejtim 8 mm dhe në drejtimin tjetër 11 mm. Në momentin që është qëlluar viktima ndodhej afër vendit ku ndodhej edhe Faik Myrtaj.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, të kryer në datën 29 janar 2011, në një nga pemët dekorative është gjetur dhe sekuestruar një predhë vetëm me një përmasë të shprehur, 9 mm, e cila është përshkruar në procesverbalin përkatës.
Në ndërtesën e UNHCR-së, te kati i dytë, zyra nr. 7, u gjet një predhë arme zjarri e dëmtuar, me kalibër 9 mm dhe gjatësi 12.5 mm.
Në ndërtesën e UNHCR-së, te kati i tretë, zyra nr.12, u gjet një predhë armë zjarri e dëmtuar, kalibër 9 mm, me gjatësi 12 mm.
Në ndërtesën e UNHCR-së, te kati i tretë, zyra 12, u gjet një predhë armë zjarri e dëmtuar me kalibër 9 mm, me gjatësi 13 mm.
Në objektin e Kryeministrisë, në anën veriperëndimore të saj, pikërisht në derën metalike të hyrjes së automjeteve, brenda profilit metalik të derës, u gjetën dy copa metalike me përmasa të çrregullta.
Në oborrin e Kryeministrisë, në anën veriore të tij, u gjetën njëmbëdhjetë gëzhoja kalibër 9 mm, të cilat janë qitur nga arma e zjarrit tip Beretta e kalibrit 9 mm dhe me numër P 52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi).
Sipas planit të masave të hartuar nga njësia speciale e Gardës së Republikës dhe e miratuar nga Komanda e Gardës, një grup i përbërë prej: kapiten Agrin Aliaj, komandant grupi, toger Spartak Zilja, nënoficer, Meleq Zaimi, Mark Nikolli, Sadik Çela dhe Gazmend Ahmetaj, do të ishte në gatishmëri për hapjen e zjarrit në rast të çarjes së kordonëve në njësinë e dytë, krahu i djathtë, hyrja e ministrave, krahu i majtë hotel Rogner. Ky grup ishte në drejtimin e personit në hetim Agrin Malaj.
Në dinamikë të ngjarjes, efektivat e Gardës janë goditur me sende të forta nga ana e protestuesve që ndodheshin në anën veriore të Kryeministrisë, jashtë gardhit rrethues. Gjithashtu është qëlluar me gurë ana perëndimore e Kryeministrisë. Rreth orës 16:00 është qëlluar me armë zjarri në drejtim të demonstruesve nga efektivët e Gardës Agim Llupo, Agron Malaj, Mark Nikolli, Saik Çela dhe Gazmend Ahmetaj. Këta shtetas kanë qenë nën komandën e personit në hetim, Alfred Ahmetcenaj.
Nga veprimet hetimore të kryera dhe nga aktet hetimore të administruara në dosje në ambientet e brendshme të Kryeministrisë, ka qenë i pranishëm dhe ka kryer veprime edhe komandanti i Gardës së Republikës, personi në hetim, Ndrea Prendi.
Nga filmimet e bëra nga televizionet e ndryshme të marra me cilësinë e provës materiale, rezulton se viktimat në momentin kur janë qëlluar kanë qenë jashtë objektit (jashtë kangjellave ose gardhit rrethues) ku Ziver Veizi ka qenë në trotuar dhe nuk ka kryer asnjë veprim ose akt dhune. Viktima Hekuran Deda ka qenë së bashku me deklaruesin Fatos Mahmutaj dhe Hysni Peposhi pranë një pishe, të hipur në dy tavolina të vendosura nga gazetarët dhe po shinin demonstratën. Viktima Faik Myrtaj ka qenë në bulevard, në afërsi të Kullave Binjake. Aty afër ka qenë edhe viktima tjetër, Aleks Nika. Të gjithë këta persona kanë qenë shumë larg gardhit rrethues të Kryeministrisë dhe në momentin e vrasjes së tyre këta shtetas nuk kanë qenë duke bërë sulm ose akt dhune ndaj efektivave të Gardës. Edhe të plagosurit kanë qenë jashtë rrethimit dhe janë qëlluar kur nuk ka pasur sulm, si dhe nuk përbënin asnjë rrezik real për jetën apo shëndetin e efektivave të Gardës, pasi asnjë nga viktimat nuk ka sulmuar, kanë qenë pa armë dhe protestues të thjeshtë.
Vlen për tu theksuar fakti se asnjë person nuk është vrarë apo plagosur brenda territorit të Kryeministrisë, çka tregon se përdorimi i armëve të zjarrit në rastin konkret është kryer në kundërshtim të hapur me normat e së drejtës. Qytetarëve u është marrë jeta në kundërshtim me ligjin, duke shkelur kështu rëndë nenin 2 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Përdorimi i armëve të zjarrit ndaj demonstruesve është kryer në kundërshtim të hapur me nenin 19 dhe 20 të Kodit Penal. Përdorimi i armëve është kryer në kundërshtim me ligjin nr. 8290, datë 24 shkurt 1998 Për armët e zjarrit. Neni 2 i këtij ligji përcakton se përdoret arma e zjarrit për të mbrojtur jetën, shëndetin, të drejtat dhe interesat e tij ose të një tjetri, nga një sulm i padrejtë, i vërtetë dhe i çastit, me kusht që karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me rrezikshmërinë e sulmit ose për të përballuar një rrezik real dhe të çastit që e kërcënon atë, një person tjetër apo pasurinë nga një dëmtim i rëndë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›