Rama: Hetimet, hap pozitiv. Të hetohen Berisha e Basha
Kryetari i Partisë Socialiste e ka cilësuar si një hap pozitiv urdhër arrestin e lëshuar dje nga Prokuroria e Përgjithshme për arrestimin e kreut të gardës, shoferit të tij dhe IT-së së kryeministrisë për ngjarjet e 21 janarit. Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, kreu i selisë rozë shprehu edhe mbështetjen për prokurorinë duke shprehur edhe gatishmërinë për bashkëpunim në hetim, duke nisur nga hetimi i tij dhe i gjithë deputetëve të PS-së.
“Ishte një hap i madh ai që u hodh dje nga Prokuroria e përgjithshme për 21 janarin. Identifikimi i vrasësit të të ndjerit Faik Myrtaj, komandanti famëkeq i Gardës dhe arrestimi i tij është një lajm lehtësues edhe pse mbeten tre vrasje për t`u zbardhur. Edhe arrestimi i ekzekutorit të zhdukjes së provave filmike nga serveri i kryeministrisë është lajm i mirë, që duam të besojmë se do të thellohet deri në fund. Kërkojmë në emër të familjeve të viktimave dhe popullit opozitar çuarjen e hetimit te përgjegjësit e mëdhenj të hapjes së zjarrit që nuk janë ekzekutorët por urdhëruesit” ka theksuar Rama.
Kreu i PS-së, Edi Rama gjithashtu ka kërkuar që bashkë me ekzekutorët të hetohen edhe urdhëruesit ndërsa ka orfuar mbështetjen pa asnjë ekuivok për çuarjen deri në fund të hetimeve të 21 janarit.
"Ne kërkojmë në emër të familjeve cuarjen para përgjegjësisë të përgjegjësve të mëdhenj të hapjes së zjarrit që nuk janë ekzekutorët , por urdhëruesit e tyre. S`ka komandant garde që urdhrin e jep pa e marrë nga lart. Komandanti i gardës mund të pranojë të bëhet kokë turku, por drejtësia shqiptare nuk mund të ndalet vetëm me arrestimin e tij. Drejtësia do ishte e paplotë dhe vrasjet do mbeteshin të pandëshkuara” ka shtuar Rama.
Ai e ka quajtur demencial qëndrimin kërcënues të Berishës ndaj Prokurores së Përgjithshme dhe presidentit se do të hetohen sapo të lënë detyrën, duke ftuar opinionin publik e ndërkombëtar ta dëgjojë me shqetësim këtë kërcënim quajtur prej tij, "mafioz".