E Diel, 1 Nëntor 2026

FEST 64/ Këngëtarja Rigersa Loka zbulon detaje nga kënga: Kam sfiduar veten, diçka krejt e re për mua si zhanër

Këngëtarja Rigersa Loka do të performojë për herë të parë në skenën magjike të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar me këngën “Albanian Heart”.

E ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, Rigersa Loka rrëfeu emocionet që e kanë përfshirë që në fazën e audicioneve, provat gjeneralë që startojnë sot e deri në pritjen e debutimit në skenën e Festivalit të 64-të të Këngës.

“Për mua është hera e parë që futem në festival. Është eksperiencë e re sepse është dhe kënga ime e parë. Është përgjegjësi e madhe sepse do tregoj veten dhe në një gjë tjetër.

Është emocion i madh. Unë kam pasur shumë frikë mos ndoshta s’pranohej kënga. Të kap një stres në fillim, ndoshta s’kam për të dhënë maksimumin, ndoshta s’do ju pëlqejë. Flas për fazën e audicioneve”, deklaroi këngëtarja.

Kjo e fundit u ndal te kënga me të cilën do të konkurrojë në festival e cila, sikurse shpjegoi vetë këngëtarja Loka, flet për dashurinë e një çifti të ri, sakrificat e lënies së një shteti të huaj nga njëri prej partnerëve për t’u zhvendosur në Shqipëri për hir të dashurisë. Ajo theksoi se kënga me të cilën do përfaqësohet në këtë festival i përket një tjetër zhaneri me të cilën ajo është mësuar të performojë.

“Albanian Heart- Është një këngë kontemporante, pop-dance, e miksuar me klasiken.

Është këngë që është jashtë comfort zone-s time. Unë jam mësuar të këndoj balada e ritmike por tjetër zhanër. Është diçka krejt e re për mua si zhanër. Kam sfiduar veten dhe shpresoj që ta pëlqej dhe publiku. Sot nisim dhe provat e para gjeneralë për mua.

Kënga flet për një dashuri. Një vajzë e re shqiptare thërret të dashurin e saj në Shqipëri. Flet për një dashuri që do takohen në Shqipëri bashkë. Është këngë që sapo e dëgjon të bën për vete. Është këngë ritmike. Të gjithë u ka pëlqyer. Shpresoj t’i pëlqejë dhe publikut”, shtoi Loka.

Këngëtarja rrëfeu më tej fillimet e saj dhe lidhjen me muzikën, duke bërë me dije se që prej moshës 5-vjeçare ka kënduar. Daljen e parë të saj në skenë, këngetarja Rigersa Loka e ka patur në moshën 6-vjeçare në Festivalin e Shkodër, ku ka fituar dhe çmimin e parë.

“Kam që 5-vjeç që këndoj. Kam studiuar 9 vite violinë, më pas kam vazhduar për kanto. Dalja e parë në skenë ka qenë 6-vjeçe në një festival në Shkodër ku fitova dhe çmimin e parë.

Gjithë jeta ime ka qenë e lidhur me muzikën. Është pjesë e pandashme e jetës sime.

Familja ime ka qenë ajo që më ka mbështetur që në fillim. Ka qenë gjithë kohën mbështetja ime më e madhe, shoqëria gjithashtu”, përfundoi Rigersa.

Edicioni i 64 vjen me një miks të modernes dhe klasikes, do mbërthejë para ekranit qindra mijëra shqiptarë.

Festivali i 64-t i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar do të vijë nën drejtimin artistik të Elhaida Danit për katër net me radhë dhe publiku do të ketë mundësi të shijojë muzikën e artistëve të preferuar. Nata e parë dhe e dytë do të jenë netët konkurruese, nata e tretë do t’i kushtohet Nostalgjisë, një natë shumë e dashur për publikun, ndërsa nata e katërt do të jetë Finalja e Madhe.

Festivali i Këngës në RTSH është një mundësi e shkëlqyer për çdo artist që dëshiron suksesin, pasi kënga fituese përfaqëson Shqipërinë në skenën magjike të Eurosongut.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›