FFK nën ethe pret vendimin e FIFA-s

Madje, presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, nëpërmjet një shkrese e ka njoftuar Fadil Vokrrin se kësaj radhe do të vendosen edhe modalitetet në përputhje me të cilat përfaqësuesja e Kosovës do të lejohet të zhvilloj ndeshje miqësore ndërkombëtare.
Kështu tha për Express sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu.
Mirëpo, te krerët e FFK-së shihen qartë ethet që i kanë kapluar para kësaj mbledhjeje. Ata shpresojnë që FIFA ta lejojë Kosovën të zhvillojë miqësore pa i vënë kushte të atilla, që do të mund edhe t’ia humbnin kuptimin e lejimit të zhvillimit të tyre.
Salihu kujtoi se Serbia dhe miqtë e saj vazhdimisht po mundohen që ta degradojnë vendimin për ta lejuar Kosovën të zhvillojë miqësore ndërkombëtare. Kjo do të thotë se serbët dhe aleatët e tyre po mundohen të ndikojnë në vendimin e FIFA-s, në mënyrë që Kosova mos të ketë të drejtë të luaj me përfaqësuesen A të saj, por me grupmosha të reja ose ndeshjet t’i luajë jashtë territorit të Kosovës, apo edhe pa simbole shtetërore, etj.
“Serbia e mbështetur nga miq tjerë të saj do të mundohet kështu ta degradojë vendimin e FIFA-s. Kurse, ne e kemi bërë gjithë presionin e mundshëm sportiv, politik e diplomatik që vendimi mos të degradohet. Ne shpresojmë që mos të degradohet. Ne fillimisht do ta presim vendimin, e më pas do të deklarohemi se a është i pranueshëm për ne apo jo. Kjo nuk varet më nga ne, por ne shpresojmë në diçka të mirë”, theksoi Salihu.
FIFA qysh në maj e pati lejuar Kosovën të zhvillojë miqësore, por shkaku i reagimeve të ashpra të Serbisë dhe disa anëtarëve të UEFA-s pati vendos që në shtator t’i vë disa modalitete në bazë të të cilave FFK-ja duhet t’i organizojë ato ndeshje. Madje, ky proces deri këtu ka ardhur shumë ngadalë. FIFA e posaçërisht UEFA shumë herë e kanë zvarritur atë.