Barcelona, një sfidë

Cesc Fabregas e ka dhënë një intervistë për gazetën Extra Time, ku ka folur për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, për jetën brenda dhe jashtë fushës. Gjatë verës, mesfushori spanjoll dukej se nuk do të kishte vend në ekipin e Tito Vilanovas, por në La Liga mesfushori Blaugrana ka zhvilluar më së shumti minuta: 365 nga 5 ndeshje si titullar.
Ai e pranon se në Camp Nou ka më shumë konkurrencë sesa në përfaqësuesen spanjolle, ku nuk e ka një lojtar konkurrent si Messi. Ai preferon të luajë prapa sulmuesve, pasi e pëlqen më shumë fazën ofanziv, edhe pse e përmend faktin se mund të luajë pa problem aty ku e vendos trajneri.
Cesc tregon se kishte filluar të ushtronte që nga mosha shumë e re, kur luante tri herë në ditë, në mëngjes, drekë dhe darkë. Sa i përket Ligës së Kampionëve, ai mendon se Barcelona, Real Madridi, Bayern Munichu, Manchester United, por edhe Milani, mund të shkojnë deri në finale. Ai e lavdëroi edhe Juventusin, për të cilin thotë se është ekip i madh. Kurse, në La Liga nuk ka shumë kundërshtarë. Nga viti 2004 gjithmonë fitojnë Barça ose Reali.
“Nuk mendoj ashtu. Që kur jam rikthyer në Spanjë, kam mësuar se La Liga është më garuese se Premierliga. Barça e Reali janë shumë të forta, por është e vështirë ta mbash ritmin deri në fund. Në Angli është më e lehtë ta fitosh ligën, edhe pse ka më shumë ekipe që mund ta rrëmbejnë atë. Atje, nëse i humbet 5-6 ndeshje, mund ta fitosh sërish titullin, sepse ka më shumë konkurrencë. Këtu, nëse humbim ose barazojmë, e rrezikojmë Ligën”, deklaroi 25 vjeçari, që e pranon megjithatë se Premierliga është më zbavitëse në krahasim me La Ligan.
Ndryshimin e trajnerëve në klubin katalunas nuk e sheh si problem. Ai mendon se Barça është e njëjta edhe pas largimit të Guardiolës. Ai e njeh mirë Vilanovën që nga koha kur luante për ekipin e të rinjve dhe ka vetëm fjalë të mira për të.
Fabregas thotë se është befasuar kur e kishte kuptuar se Pep kishte vendosur të largohej. Atë e ka inspirim dhe për Guardiolën e mban numrin 4 në fanellë dhe ndihet krenar që ka punuar nën urdhrat e tij. Pasi shkoi nga Barcelonë në Arsenal kur ishte vetëm 16 vjeç, ai u rikthye në Spanjë më i pjekur.
Fabregas kujton momentet e vështira në fillim të eksperiencës londineze, kur ishte shumë i ri. Por, nuk është aspak pishman që iu kishte bashkuar ekipit të Arsene Wengerit, nga i cili mësoi shumë dhe e konsideron si baba sportiv. Jetën në Londër e vlerëson më ritmike dhe më të mirë në krahasim me atë në Barcelonë.
Në Arsenal, ai ishte më i lirë në fushë dhe bënte çfarë të donte. Mirëpo, pati një fillim të hatashëm të eksperiencës në Barcelonë, kur realizoi 11 gola për 3 muaj.
“Sezonin që shkoi praktikisht luaja si sulmues, prapa Messit ose si 9 klasik. Tash nuk është më kështu, pasi më takon të bëj asistime, t’i liroj bashkëlojtarët, të shikoj hapësira dhe të krijoj raste. Mirëpo, unë jam i qetë, nuk kam qenë kurrë lojtar që shënon 30 gola në sezon. Jam mesfushor me nuhatje për gol”, shtoi ai.
Në fund, Cesc tregon se kur ka kohë del pas stërvitjeve me dy shokët e moçëm Pique e Messi, me të cilët ishte rritur si futbollist. Futbollistin më të mirë në botë e përshkruan si shakaxhi, që flet shumë, por modest, siç ishte që nga vegjëlia.