E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA, Blater rizgjidhet president për herë të katërt

ZYRIH- Zviceriani Sep Blater është zgjedhur për herë të katërt president i FIFA-s, në Kongresin e 61-të të zhvilluar në Zyrih. 75-vjeçari ishte kandidati i vetëm në këto zgjedhje, pas tërheqjes së Mohamed Bin Hamam, ndërkohë që përpos skandaleve të fundit, votimi ndaj tij ka qenë thuajse unanim. Blater ka marrë 186 vota nga 203 delegatët e pranishëm në Kongres, ndërsa kërkesa e Anglisë për shtyrjen e zgjedhjeve, nuk gjeti miratim. “Do ta çojmë anijen e FIFA-s në rrugën e duhur, në ujra transparentë, - deklaroi zviceriani pas rizgjedhjes. – Piramida jonë është e fortë, sepse baza është e fortë”, shtoi Blater. Pavarësisht fitores, zgjedhjet e këtij viti për presidencën e FIFA-s do të mbahen mend si ato më të përfolurat. Akuzat e shumta për rryshfet, për blerje votash për presidencën, por edhe për Botërorët 2018 e 2022, shoqëruan gjithë procesin. Tërheqja e katarianit Bin Hamam, pas akuzave se ai kishte dhënë rryshfet për votat, por edhe sulmi që Blater i bëri atij duke ndjerë frikën, e çuan FIFA-n në prag të një kolapsi. Ndërkohë, edhe sponsorët e saj kanë kërkuar reforma të thella për përmirësimin e imazhit, ndërsa Blater është përgjigjur sot se do të ndërmarrë reforma radikale në këtë aspekt. Një nga ndryshimet më të mëdha do të jetë ai që e drejta e organizimit të evenimenteve të mëdha, si Kupa e Botës, do të jepet me votat e të gjithë anëtarëve dhe jo nga ata të Komitetit Ekzekutiv, për të cilët dolën akuza të shumta dhe fakte tronditëse se ishin korruptuar në këmbim të votave. Sep Blater do ta drejtojë FIFA-n deri në vitin 2015, ndërsa ai ka premtuar se ky do të jetë mandati i tij i fundit. Ndërkohë, Kongresi ka rihapur edhe tema të reja, siç është kërkesa e Gjermanisë që FIFA të shqyrtojë edhe njëherë dhënien e të drejtës së Botërorit 2022 Katarit, duke parë faktet e rënda që janë nxjerrë nga vetë zyrtarët e FIFA-s. Ndërkohë, akuzat e para pas zgjedhjes së Blater, erdhën pikërisht nga Federata Angleze, ajo që është betuar për oponencë ndaj zvicerianit, pasi hedhjes poshtë të kandidaturës për Botërorin 2018. Presidenti Devid Bernshtein tha se zgjedhjet u kthyen në një garë kuajsh me vetëm një kalorës dhe kjo do të sjellë një mandat të dobët.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›