Ibra nuk largohet nga Milani

Zlatan Ibrahimovic ka konfirmuar edhe një herë se nuk e ka ndërmend të largohet nga Milani, edhe pse pati një pranverë negative, ku e përshkuan suspendimet e shpeshta.
“Do të mbetem me siguri në Milan. Unë besoj në këtë projekt. Gjashtë muajt e parë ishin më të mirët në jetën time. Më pas më përfundoi benzina, mentale dhe fizike”, tha sulmuesi suedez.
Ish-futbollisti i Malmos, Ajaxit, Juventusit, Interit e Barcelonës e pranon se ka mundur t’i evitojë diskualifikimet gjatë këtij sezoni, po të ishte më i qetë. Sa i përket ish-skuadrës, Barcelona mendon se është numër 1. “Barcelona është skuadra më e fortë në botë. E dija se do ta fitonte Ligën e Kampionëve, por nëse nuk ndihesh mirë, duhet të largohesh”, shtoi futbollisti me prejardhje boshnjake.
Ibrahimovic mburret me faktin se e ka fituar titullin e kampionit me tri skuadrat më të mëdha italiane, së pari me Juventusin, pastaj me Interin dhe së fundmi me Milanin. Ai ndihet krenar për këtë arritje dhe thotë se nuk e di nëse do ta arrijë ndokush një gjë të tillë në të ardhmen.