E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA na dhuron nje vend per Krishtlindjet

/* */

Të hënën, Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizoi trajnerin e ri të Kombëtares, italianin Xhani De Biazi, ndërsa të mërkurën, FIFA na dha një tjetër lajm me nuanca pozitive: kuqezinjtë janë ngjitur një pozicion në renditjen botërore të muajit dhjetor, duke e mbyllur vitin 2011, përfundimisht në vendin e 74-t (450 pikë).
 
Në fakt, po ta krahasojmë me janarin e këtij viti, kur renditeshim në vendin e 64-t (497 pikë), duhet thënë se kemi rënë dhjetë pozicione në harkun e 12 muajve.
 
Dy ndeshjet e fundit që, përcaktuan edhe pozicionimin final të Kombëtares sonë për vitin aktual, ishin miqësoret me Azerbajxhanin (të humbur 0-1 në “Qemal Stafa”) dhe Maqedoninë (0-0, në Prilep).
 
Gjithsesi, ky vit futbollistik prodhoi edhe rekordin absolut të kuqezinjve, vendin e 50-të të arritur në periudhën prill-maj 2011, e që ndikoi edhe në pozicionim e Shqipërisë në vazon e katërt gjatë hedhjes së shortit paraeliminator të Botërorit “Brazil 2014”.
 
Duke parë në detaje grafikun e renditjeve të Shqipërisë në harkun e 12 muajve, kemi oshilacione të mëdha në lëvizje. Kështu, në muajin mars ramë -7 vende (nga 66 në 73), për të ardhur më pas në lëvizjen më të bujshme +23 vende në muajin prill (nga 73 në 50). Dy pikiata të tjera përjetuam në muajin qershor (-9 vende) dhe shtator (-14 vende).
 
Në botë, Shqipëria ndodhet midis Gjeorgjisë (e 73-ta, kundërshtarja jonë në miqësoren e 29 shkurtit të vitit 2012) dhe Uzbekistanit (e 72-ta). Kuqezinjtë ranë dhe në renditjen specifike europiane (vendi i 35-të) janë vendosur si “sanduiç” midis Gjeorgjisë (e 34-ta)  dhe Finlandës.
 Gjatë vitit 2011, Kombëtarja jonë zhvilloi 11 ndeshje, 6 zyrtare dhe 5 miqësore, duke pasur këtë bilanc në total: 2 fitore, 2 barazime dhe 7 humbje. Të përimtuara në statistika ato paraqiten kështu: 6 ndeshje zyrtare: 1 fitore, 1 barazim, 4 humbje, ndërsa në 5 ndeshje miqësore, arritëm 1 fitore, 1 barazim, 3 humbje.
 
Gjatë këtij viti, Shqipëria zhvilloi edhe një ndeshje të rrallë, madje të pabesueshme, për nga kundërshtari me të cilën u ndeshëm. Pikërisht ndaj Argjentinës së Lionel Mesit, në Buenos Airesin e largët, dhe ku humbëm 4-0, por me një Shqipëri me formacion të dorës së dytë dhe me pak titullarë.
 
Dy fitoret e vetme në 11 ndeshjet e këtij viti janë ato kundër Bjellorusisë (1-0, zyrtare) dhe Malit të Zi (3-2, miqësore), por përjetuam edhe një ndeshje shumë të turpshme: 2-1 nga Luksemburgu, çka nënshkroi edhe fundin e pashmangshëm të Josip Kuzhesë (tashmë një ish-trajner).
 
Ky vit pa edhe një trajner të komanduar në bankinë, boshnjakun Xhemal Mustedanagiç, i cili e drejtoi Kombëtaren në ndeshjet kundër Azerbajxhanit dhe Maqedonisë (vitin e kaluar e kishte bërë këtë detyrë kundër Bosnjës dhe Bjellorusisë, kur Kuzhe ishte i shtruar në spital pas goditjes së hemorragjisë cerebrale).  
 
Përsa u përket kundërshtarëve të grupit tonë (E), në eliminatoret e Kampionatit Botëror, kemi këtë tablo në pozicionime: Zvicra (e 17-ta), Norvegjia (25), Sllovenia (26), Islanda (104) dhe Qipro (127).

50
është pozicioni më i mirë historik i Shqipërisë në ranglistën e FIFA-s, i arritur në prill të vitit 2011.
 
124
është pozicioni më i ulët historik i Shqipërisë në ranglistën e FIFA-s, i arritur në gusht të vitit 1997.
 
89
është mesatarja e pozicionit të Shqipërisë në renditjen e FIFA-s nga krijimi i saj në vitin 1933 deri më sot.
 
 
 
SHQIPËRIA NË VITIN 2011
 
MUAJI      FIFA UEFA  PIKË       +/-
Janar      64   35   497        +1
Shkurt     66   35   497        -2
Mars     73   37   464        -7
Prill      50   29   564        +23
Maj      50   29   564        0
Qershor    59   32   524        -9
Korrik     59   32   524        0
Gusht      57   32   546        +2
Shtator    71   36   474        -14
Tetor      71   35   462       0
Nëntor     75   35   450       -4
Dhjetor    74   35   450       +1
 
NDESHJET GJATË VITIT 2011
 
Shqipëri-Slloveni    1-2  Miqësore
Shqipëri-Bjellorusi  1-0  Zyrtare
Bosnjë H.-Shqipëri   2-0  Zyrtare
Argjentinë-Shqipëri  4-0  Miqësore
Shqipëri-Mali i Zi   3-2  Miqësore
Shqipëri-Francë      1-2  Zyrtare
Luksemburg-Shqipëri  2-1  Zyrtare
Francë-Shqipëri      3-0  Zyrtare
Shqipëri-Rumani      1-1  Zyrtare
Shqipëri-Azerbajxhan 0-1  Miqësore
Maqedoni-Shqipëri    0-0  Miqësore
 
Total: 11 ndeshje; 2 fitore, 2 barazime, 7 humbje
Zyrtare: 6 ndeshje; 1 fitore, 1 barazim, 4 humbje
Miqësore: 5 ndeshje; 1 fitore, 1 barazim, 3 humbje
 
 
TOP-10
V. Shteti       Pikë
1. Spanja       1564
2. Holanda      1365
3. Gjermania    1345
4. Uruguai      1309
5. Anglia       1173
6. Brazili      1143
7. Portugalia   1100
8. Kroacia      1091
9. Italia       1082
10.Argjentina   1067
 
GRUPI E/
(El.Brazil 2014)
 
17. Zvicra      898
25. Norvegjia   788
26. Slovenia    780
74. Shqipëria   450
104.Islanda     350
127.Qipro       253

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›