E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA shpërndan çmimet për më të mirët e Botërorit 2010

TIRANë- Pas finales së Kupës së Botës, Spanjë – Holandë 1-0, FIFA ka dhënë edhe çmimet për lojtarët më të mirë të botërorit.

Sulmuesi i Uruguajit Diego Forlan ka marrë Topin e Artë si futbollisti më i mirë i turneut, ndërsa Këpuca e Artë i shkoi gjermanit Tomas Myler, që përveç 5 golave, ka dhënë edhe 3 asiste.

Diego Forlan, sulmuesi i Uruguajit, është zgjedhur si futbollisti më i mirë i Botërorit të Afrikës së Jugut. Sulmuesi i Uruguajit, autor i 5 golave në këtë Kupë Bote, ka lënë pas në renditje holandezin Uesli Shnajder, që u shpall Topi i Argjendtë, si edhe spanjollin David Vija. Forlan ka shënuar 5 gola këtë Botëror, duke udhëhequr skuadrën e tij drejt gjysmëfinales.
Ndërkohë, përsa i përket Këpucës së Artë, janë 4 futbollistë që kanë mbetur në kuotën e 5 golave. Përveç lojtarëve të mësipërm, është edhe gjermani Myler. E megjithatë, FIFA ia ka dhënë pikërisht këtij të fundit Këpucën e Artë, duke llogaritur këtu edhe tre asistet e dhëna për shokët e skuadrës. Veç kësaj, Myler është zgjedhur edhe i riu më i mirë i Kupës së Botës.

Ndërkohë, Iker Kasijas u shpall portieri më i mirë i turneut, ndërsa Spanja mori çmimin Fair-Play nga FIFA, duke e vlerësuar sjelljen e saj si një shembull brenda dhe jashtë fushës.

Andres Iniesta është zgjedhur nga FIFA si futbollisti më i mirë i finales, ndërsa pas golit mesfushori i Barcelonës ka patur një dedikim të veçantë për Dani Zharke, ish-lojtarin e Espanjolit që vdiq një vit më parë.

Janë detajet e vogla ato që i bëjnë futbollistët kampionë të mëdhenj. Pas golit të djeshëm, Andres Iniesta ka hequr bluzën, ndërsa poshtë saj ka patur një dedikim të veçantë për Dani Zharke. Ish-futbollisti i Espanjolit vdiq më 8 gusht 2009 pasi humbi ndjenjat në dhomën e tij të hotelit. Pas këtij gjesti, të gjithë kanë shkuar të përqafojnë mesfushorin e Barcelonës. është ai heroi i kësaj mbrëmje, është ai njeriu që i dha trofeun skuadrës spanjolle dhe që u zgjodh nga FIFA si futbollisti më i mirë i finales. “Nuk gjej dot fjalët, ia dedikoj këtë gol Zharkesë, familjes sime dhe të gjithë Spanjës, - u shpreh mesfushori i druajtur i Barcelonës pas takimit. – Kjo Kupë Bote është fryt i një pune shumë të gjatë. Kemi kaluar momente të vështira, por tani është koha që të festojmë”, deklaroi Andres Iniesta. Lojtari i Barcelonës duket se do të mbetet gjithnjë ai që zgjidh situatat e vështira. E ka bërë këtë në gjysmëfinale ndaj çelsit, e ka bërë edhe mbrëmë në Johanesburg. Ndërkohë, një dedikim i veçantë edhe nga Serxho Ramos, që ia ka kushtuar Kupën e Botës ish-lojtarit të Seviljes Antonio Puerta.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›