FIFA zbulon dhjetë më të mirët e botërorit
Në prag të finales së Johanesburgut, FIFA ka publikuar listën e dhjetë lojtarëve, mes të cilëve do të zgjidhet më i miri i Kupës së Botës 2010 në Afrikën e Jugut. “Top 10” është përcaktuar nga një juri ekspertësh, ndërsa bie në sy dominimi spanjoll. “Furia e Kuqe” përfaqësohet me tri kandidatura: Andres Iniesta, Ksavi dhe mbi të gjitha David Vija, i cili synon të fitojë “Këpucën e Artë” të turneut. Pas yjeve të Del Boskes, në listë ndodhen nga dy lojtarë të Holandës (Uesli Shnajder e Arjen Roben) dhe Gjermanisë (Bastian Shvajnshtaiger e Mesut ëzil). Dhjetëshja më e mirë kompletohet nga Diego Forlan (Uruguai), Asamoah Gian (Gana) dhe Lionel Mesi (Argjentina). Fituesi i çmimit “Lojtari më i Mirë” do të bëhet publik pas finales ndërmjet Holandës dhe Spanjës. Të dielën do të vendoset edhe fituesi i çmimit “I Riu më i Mirë”, ku kandidatë janë gjermani Tomas Myler (i cili është alternativa kryesore), meksikani Xhovani Dos Santos dhe ganezi Andre Aiev.
#