Afrikë e Jugut, Platini shtrohet në spital
Presidenti i UEFA-s, organizmit më të lartë të futbollit në kontinentin europian, Mishel Platini është shtruar në spitalin e Johanesburgut në Afrikën e Jugut pas disa shqetësimeve shëndetësore që ka ndjerë në një restorant.
Sipas njoftimit të shpërndarë nga UEFA, Platini u shoqërua në spital për të kryer analizat mjekësore të mëtejshme, megjithëse mjekët e diagnostikuan atë me virozë gripale. Fillimisht ndihmësit e ish-legjendës franceze menduan për një atak kardiak, duke pasur parasysh se Platini ka patur edhe në të shkuarën probleme të ngjashme.
Por gjithçka është qetësuar nga stafi mjekësor në Johanesburg që u shpreh se nuk ka asgjë alarmante në shëndetin e kreut të UEFA-s. Platini është një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e sportit, si dhe ka ndihmuar Francën të fitojë Kampionatin Europian të vitit 1984. Ai ka qënë trajneri i kombëtares franceze mes viteve 1988 dhe 1992. Ai u zgjodh si president i trupit qeverisës të futbollit europian në vitin 2007.