E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani-Uruguai, duel për golat dhe për lavdinë

Ndeshja Sot në orën 20:30, në Port Elizabet, luhet finalja për vendin e tretë në Afrikën e Jugut 2010

Përpara finales së shumëpritur të së dielës ndërmjet Holandës dhe Spanjës, sot do të zhvillohet “finalja” për vendin e tretë ndërmjet Gjermanisë dhe Uruguait. Dy skuadra që kanë qenë protagoniste të padiskutueshme në Botërorin 2010, e që kanë arritur me meritë deri në këtë ndeshje. Përballja e orës 20:30 në Port Elizabet pritet të jetë mjaft emocionuese, pikë së pari pasi fitorja do të thotë vendi i tretë në podium, ndërsa emri i humbëses harrohet më lehtësisht. Një tjetër arsye e fortë është se në fushën e lojës do të zbresin disa lojtarë që synojnë të fitojnë klasifikimin për golashënues të aktivitetit në Afrikën e Jugut. Kapiteni i Uruguait, Diego Forlan, dhe dy gjermanët Miroslav Klose dhe Tomas Myler, kanë gjetur rrugën e rrjetës 4 herë, duke shënuar një gol më pak se kryesuesit Uesli Shnajder dhe David Vija, ndërsa më pas vijnë Lukas Podolski dhe Luis Suarez në kuotën e tri golave.

Në kampin gjerman ka dyshime për aktivizimin e Kloses: “bomberi” i Bajernit të Mynihut ka pësuar një dëmtim muskulor në sfidën gjysmëfinale me Spanjën dhe është seriozisht në dyshim për ndeshjen kundër amerikanojugorëve. Ndërkohë, tek Uruguai trajneri Oskar Tabarez do të ketë në dispozicion Luis Suarez dhe Fuçile, pasi ishin të pezulluar përballë Holandës. Ndoshta me këta dy lojtarë rezultati i ndeshjes do të ishte i ndryshëm, por drejtuesi i stolit nuk ka asnjë peng, pasi në këtë edicion arriti të rikthente “çelestët” në majat e futbollit pas 40 vjetëve. E njëjta gjë vlen edhe për gjermanët, që rigjejnë Tomas Myler pas skualifikimit, mungesa e të cilit u ndje kundër Spanjës, pasi ai është lojtari më i aftë i Joakim Lëv që arrin ta përmbysë aksionin nga difensiv në ofensiv. Gjermania do të luajë për të dytën herë radhazi në finalen për vendin e tretë në Kupën e Botës: 4 vjet më parë ata fituan përballë Portugalisë. Dueli i sotëm e vendos Gjermaninë përballë Uruguait në garën për “bronzin”, kur kanë kaluar 40 vjet nga sfida në Azteka. Në vitin 1970 në Meksikë, gjermanët fituan 1-0 ndaj latinëve, me golin e realizuar nga Oferat.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›