FIFA zbutet me Bosnjën, gati rikthimi
Në fakt duhej të ishte 20 maji dita zyrtare ku FIFA do të jepte vendimin përfundimtar, por duket se Bosnje-Hercegovina do të rikthehet shumë shpejt të marrë vendin e saj në Grupin D eliminator, pozicionin e katërt në renditje menjëherë pas Shqipërisë. Në fakt, qëllimi i FIFA-s nuk ka qenë pezullimi i Bosnjës, por detyrimi i krerëve të tre etnive, boshnjake, kroate e serbe, që të implementojnë statutin e saj, duke hequr dorë nga udhëheqja me rotacion e presidencës. Bosnja, është e vetmja anëtare e UEFA-s, që për shkak të ndasive politike dhe etnike në vend, e xhiron postin e presidentit me rotacion 18 mujor mes tre etnive të lartpërmendura. Por FIFA nuk kishte më ndërmend të toleronte një situatë të tillë, por Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Xhani Infantino, pat deklaruar pak kohë përpara Asamblesë së Jazhtëzakonshme të FBF-së, se: “FIFA dhe UEFA ka toleruar shumë vite një situatë të papranueshme. Boshnjakët duhet ta kuptojnë se nuk vazhdohet më kështu.”
Por, që Bosnja të zbresë në fushë kundër Rumanisë më 3 qershor dhe më pas kundër Shqipërisë më 7 qershor, duhet më parë të aprovojë statutin e FIFA-s, i cili, në rast aprovimi, do të hynte në fuqi menjëherë me zgjedhjet e përgjithshme për kreun e federatës boshnjake në muajin nëntor.
Takimi i Zyrihut ka dhënë frytet e para, teksa me 12 vota pro janë pranuar propozimet e para. Kështu, statuti i ri mund të aprovohet me 26 vota, duke ulur numrin e 28 votave kundër që u votua në mars. Gjithashtu, është ulur edhe numri i anëtarëve për Komitetin Ekzekutiv të FIFA-s, që nga tre, do të shkojë në dy. “Duket se gjërat po shkojnë mirë. Mund të them se nuk ishte një mbledhje e kotë,” ka deklaruar sekretari i federatës boshnjake, Josh Bako.
Zgjedhjet
Bin Haman: Blateri ka “ndyrë” FIFA-n
Kandidati për presidencën e FIFA-s, Mohamad Bin Haman, presidenti i Konfederatës Aziatike, po merret seriozisht me rivalin e tij, presidentin aktual Sep Blater, duke deklaruar se imazhi i FIFA-s nën drejtimin e tij është “ndyrë”. Ndërkohë, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, ka vendosur që të mbështesë fort Blaterin në zgjedhjet e ardhshme, duke u rekomanduar 53 vendeve anëtare që të votojnë për zvicerianin. Mishel Platini, presidenti i UEFA-s, do të shoqërojë Blaterin ditën e hënë në Serbi, një ndër etapat e turnout electoral të drejtuesit zvicerian, që do të shkojë edhe në Palestinë dhe Izrael. Zgjedhjet për presidentin e FIFA-s do të zhvillohen më 1 qershor.