E Diel, 1 Nëntor 2026

Kualifikohet në Kupat e Europës pa shënuar asnjë gol!

Skuadra e Kategorisë së Dytë të Rusisë, Alania Vladikavkaz, ka siguruar biletën për në Ligën e Europës edicionin e ardhshëm pa realizuar asnjë gol. Alania është kualifikuar në finalen e Kupës së Rusisë, derisa në këtë garë të gjitha ndeshjet i fitoi pas ekzekutimit të penalltive, pasi ndeshjet mbylleshin 0:0. Skuadra u fut në garë në fazën e 1/16-ave të finales, kur u përball me skuadrën Kamaz. Ndeshja përfundoi pa gola, ndërsa në penallti triumfoi me rezultatin 4:2. Në 1/8 e finales, Alania u përball me skuadrën Gornijak Uçalij, me të cilën po ashtu barazoi pa gola dhe triumfoi pas penalltive 4:2. Në çerekfinale skuadra do të ndeshej me Saturnin e Moskës, çift ky i dalë nga shorti, por skuadra moskovite falimentoi dhe u tërhoq nga sezoni futbollistik. Kjo i mundësoi Alanias që të kualifikohet në gjysmëfinale, dhe të mërkurën u përball me ekipin Rostov. Edhe këtë ndeshje e mbylli pa gola dhe më pas triumfoi në penallti 6:5. Alania, në finale të Kupës së Rusisë, do të përballet me CSKA-në e Moskës më 22 maj. Mirëpo, pasi CSKA-ja ka siguruar biletën për në garat europiane nëpërmjet kampionatit, atëherë Alanias si finaliste e Kupës i takon një biletë tjetër për në këtë garë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›