E Diel, 1 Nëntor 2026

FILA nuk njeh Asamblenë Zgjedhore të mundjes

Tiranë - Ndërkombëtarët sërish kanë vërejtur parregullsi në fushën e sportit shqiptar. Ka qenë Federata Ndërkombëtare e Mundjes e cila përmes një faksi të dërguar në zyrat e Federates Shqiptare të Mundjes, ka bërë të ditur se nuk i njeh zgjedhjet e zhvilluara ne Asamblenë e Federatës Shqiptare të Mundjes të zhvilluara në nëntor të vitit të shkuar dhe në janar të këtij viti.

Në mesazhine dërguar Federates Shqiptare të Mundjes, FILA dënon dhunën në dy asambletë e kesaj federate dhe ka theksuar se “zhvillimi i tyre është bërë në kundërshtim me principet dhe statutin e Federatës Ndërkombëtare të Mundjes, gjë që ndikoi edhe në marrjen e këtij vendimi. Federata Ndërkombetare e Mundjes kërkon që të bëhen ndryshimet në statutin e Federatës Shqiptare të Mundjes dhe pas kësaj ta dergojë në zyrat e organizmit më të lartë botërorë për të marrë miratimin e tij. FILA bën të ditur se në harkun e 3-4 muajve do të zhvillohet një asamble e përgjithshme vetëm për diskutimin dhe miratimin e statuteve të federatave të mundjes.

Ndërkohë, dhuna ka përfshirë për së dyti herë Asamblenë zgjedhore të mundjes në mbledhjen e 5 janarit. Ishte paralajmëruar fillimisht nga Federata Shqiptare e Mundjes si asamble zgjedhore, por sipas vetë sekretarit Viron Bezhani, me udhëzim nga ana e ministrisë, kjo federatë duhet të zhvillonte së pari një asamble statutore, ku anëtarëve më të drejtë vote në asamble diskutonin dhe të miratonin statutin-tip. Kështu nisi dhe Asambleja e Federatës së Mundjes më 5 janar në mjediset e klubit shumësportësh "Studenti" si asamble statutore.

Por doli se një pjesë e pjesëmarrësve në këtë asamble, disa me të drejtë vote e disa të ardhur si mbështetës të grupeve "rivale", nuk ishin dakord me asamble statutore, duke kërkuar të zhvillohej asamble zgjedhore, kurse një pjesë kërkonin asamble statutore. Dhe ky ishte sebepi (u gjet dhe ai) për të nisur duelin, ku "sunduesi" është ai që rezulton më i forti. Konflikti në Federatën e Mundjes zhvillohet mes atyre që janë e atyre që pretendojnë të vijnë.

Në njërën anë qëndrojnë drejtuesit aktualë të Federatës së Mundjes, presidenti Agron Bajrami, sekretari i saj Viron Bezhani dhe anëtarët e kryesisë me grupin e tyre mbështetës, kurse në anën tjetër janë ata që pretendojnë të ndryshojnë krerët e Federatës së Mundjes, trajnerët e mundjes Avni Hasa dhe Ndoc Çokaj bashkë me mbështetësit e tyre. Këto ishin dy grupet që ashtu si në Asamblenë Zgjedhore të nëntorit 2008 në qytetin e Durrësit (edhe kjo asamble dështoi) edhe në asamblenë e djeshme mbanin të njëjtat qëndrime.

Dhuna ulet këmbëkryq, dështon sërish asambleja

Kësaj radhe palët kishin ardhur më të përgatitura si në mbrojtje ashtu dhe sulm. Gjithçka nisi në momentin që u kërkua 5 minuta pushim nga sekretari i federatës, Viron Bezhani, pas debatit mes tij dhe trajnerit Avni Hasa për të zhvilluar jo asamble statutore por asamble zgjedhore, që nuk po i jepej zgjidhje. Ndërkohë që anëtarët e asamblesë përgatiteshin për të dalë në 5-minutëshin e pushimit jo aq e papritur kjo, nis "lufta" për të nxjerrë më të fortin.

Kësaj radhe nuk u pa nevoja për nxehje, sepse palët hynë menjëherë në konflikt me fjalë dhe fizikisht me thika dhe pistoleta. U thyen xhama, dyer, ora, u vodhën dosjet me dokumentet e asamblesë sigurisht u shanë para e mbrapa e u rrahën mes tyre... Po kush doli më i forti!?... "Seria" vazhdon, sepse dhe kjo asamble dështoi nuk nxori dot asnjë fitues...
Në rolin e vëzhguesve në Asamblenë e Mundjes kishin ardhur drejtoresha e sporteve, Violeta Shqevi, specialistët Fatbardha Gjaci dhe Fatos Korbi. Vetëm në një moment specialisti Fatos Korbi guxoi të ndërhynte për të dhënë qëndrimin e tij se fillimisht duhej të miratohej statuti-tip, pastaj të kalohej në zgjedhje, por iu mbyll goja me gangsterllëkun e "të fortëve", duke i deklaruar se ai ishte aty vetëm në rolin e vëzhguesve.

Të tre përfaqësuesit e MTKRS-së janë larguar nga mjediset e klubit "Studenti" pa dhënë asnjë deklaratë.Reflektimi i kundërt i pasqyrës së parë ishte pa dyshim deklarata e specialistit të sportit në MTKRS, zotit Sami Metalia, ndërkohë që zjarri i dhunës ende nuk ishte shuar, i cili deklaroi mes të tjerave: "Asambleja ishte e manipuluar dhe strumbullari i gjithë kësaj është sekretari Viron Bezhani. Disa nga anëtarët me të drejtë vote në këtë asamble unë i kam parë edhe në zgjedhjet e federatave të tjera.

Këto manipulime sollën dhe dhunën." Nën dirigjimin e këtij të fundit dhe me pretendimin se janë mbledhur firmat për të bërë asamblenë nën këtë trysni ata që kanë mbetur aty i janë nënshtruar votimit, ku kanë zgjedhur sigurisht kandidatët e tyre: President: Alban Elezi Anëtarë kryesie: Ndriçim Spahiu, Ndoc Çokaj, Shkëlqim Troplini, Avni Hasa, Erzen Breçani, Besim Kuka.
Në fund nuk mbetet tjetër për të thënë veçse një "urra" për dy standardet e ministrisë sonë, e cila pritet të reagojë zyrtarisht nëse do njohë zgjedhjet e zhvilluara dhe për gjithçka që ndodhi dje në Asamblenë e Mundjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›