“Sherr” midis donatorëve të Tiranës
Tiranë - Vështirsohet akoma më shumë situate financiare e Sport Klub Tiranës. Kryedonatori Refik Halili kishte njoftuar sponsorët e tjerë të bardhebluve për mbledhjen e kryesisë, ku tema kryesore do të ishte situata financiare e klubit. Por, tre donatorët e tjerë kanë bojkotuar takimin duke mos marrë pjesë në të dhe duke refuzuar ftesën e Halilit. Ky i fundit pasi ka pritur për mëse një orë, ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka theksuar se nuk do të ishte e logjikshme që ata të vinin në fund të sezonit dhe të pretendonin se vitin e ardhshëm të vazhdonin të ishin përsëri donatorë, ndërkohë që më parë nuk i kanë respektuar impenjimet e këtij edicioni. Sipas tij, “Duhej të diskutonim për ecurinë e skuadrës, për problemet me të cilat jemi përballur gjatë kësaj kohe, mbi të gjitha me çështjen e detyrimeve financiare. Deri më tani i kam përballuar i vetëm 75 për qind të shpenzimeve, ndërkohë që Shefikat Ngjela ka siguruar 25 përqindëshin e mbetur. Papuli ka kontribuuar paksa në fillim të sezonit (bëhet fjalë për rreth 20 milionë lekë të vjetra), e më pas është shkëputur, ndërsa Nuri nuk ka dhënë asnjë qindarkë nga shuma që detyrohej. Unë mund ta mbaj edhe i vetëm skuadrën, por kjo situatë duhet sqaruar sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk do të ishte e logjikshme që ata të vinin në fund të sezonit dhe të pretendonin se vitin e ardhshëm të vazhdonin të ishin përsëri donatorë, ndërkohë që më parë nuk i kanë respektuar impenjimet e këtij edicioni”- ka përfunduar Halili.