FINLANDË – Ministrja e Jashtme: Marrëveshja e paqes me Rusinë është shumë larg

BERLIN, 14 shkurt /ATSH-DPA/- Ministrja e Jashtme finlandeze, Elina Valtonen tha sot se nuk sheh asnjë mundësi për një fund të shpejtë të pushtimit rus në Ukrainë – pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së për të sjellë paqen në Ukrainë.
“Unë kam pak besim se presidenti rus Vladimir Putin do t’i përmbahet një plani paqeje të SHBA-se”, tha Valtonen për Redaktionsnetzwerk Deutschland (RND).
“Pas gjithçkaje që kanë bërë rusët në 15 vitet e fundit, mënyra se si ata ende sulmojnë Ukrainën sot dhe po bëjnë një luftë hibride kundër Evropës, paqja me Rusinë është shumë larg”, tha ministrja finlandeze.
“Për sa kohë që Moska vazhdon të fokusohet në ekonominë e luftës dhe të ndjekë qëllime politike që shkojnë shumë përtej Ukrainës, ne nuk mund t’i kufizojmë negociatat në Ukrainë dhe nuk mund t’u besojmë rusëve”, tha Valtonen.
“Rusia në formën e saj aktuale është një kërcënim, jo vetëm për Ukrainën dhe gjithë Evropën, por për të gjithë aleancën transatlantike”, tha ajo.
“Çdo plan paqeje aktualisht po dështon për shkak të presidentit rus Vladimir Putin. Me fjalët dhe veprimet e tij – ai po e bën të qartë çdo ditë se nuk dëshiron paqe”, shtoi ajo.
“Për këtë çështje të rëndësishme, është më urgjente se kurrë të flasim hapur me partnerët tanë të SHBA-së. Presidenti amerikan, Donald Trump dhe ekipi i tij duhet të kuptojnë se negociatat me Rusinë nuk kanë të bëjnë vetëm me Ukrainën, por me arkitekturën e sigurisë së Evropës në tërësi”, tha ministrja e Jashtme finlandeze. //a.i/