E Diel, 1 Nëntor 2026

FJALA E PRESIDENTI TOPI NË TAKIMIN E ZHVILLUAR ME BANORËT E SARANDËS NË KINOTEATRIN E QYTETIT.

8 shtator 2007

Faleminderit z. Gjoka,
Të dashur miq,
Zonja dhe zotërinj,
Qytetarë të Sarandës,

Është një kënaqësi e veçantë që jam sërish me ju. Natyrisht në Sarandë po t’i kthehem kujtesës do më vinë ndërmend shumë vizita, por me cilësi të ndryshme. Fillimisht kam ardhur si nxënës, si student për të shijuar bukuritë e Sarandës, pastaj kam ardhur si profesionist në profesionin që kam ushtruar, më vonë kur fillova të merrem me politikë, kam ardhur shpesh edhe si politikan. Natyrisht sot vij me një cilësi tjetër, me një titull institucional, i cili nuk shkon më as tek profesioni mjaft të dashur, të cilin ndonëse e kam braktisur praktikisht, nuk e braktis dot shpirtërisht, por mund them që jam shkëputur edhe nga aktiviteti partiak. Sot vij me cilësinë e Presidentit të Republikës, një cilësi e cila jo vetëm nga pikëpamja ligjore, kushtetuese, institucionale, por edhe nga pikëpamja morale më detyron që të jem në një stad cilësisht të ri, në stadin e përfaqësimit të të gjithë interesave të të gjithë banorëve, të të gjithë qytetarëve, të të gjithë bashkëkombësave, pavarësisht nga bindjet qofshin këto bindje të karakterit politik, apo bindje të tjera dhe ju siguroj se me marrjen e këtij pozicioni pas zgjedhjes në parlament, unë realisht do të ushtroj detyrën time plotësisht brenda linjave të kushtetutës duke iu takuar të gjithëve gjatë gjithë ushtrimit të mandatit tim presidencial. Por unë gjatë kësaj parade për të kujtuar ardhjet e mija në Sarandë për një gjë kam qenë gjithmonë i bindur: që ky popull pavarësisht kur janë kryer vizitat, ka pasur dhe vazhdon të ketë një veçori, që besoj e gjen edhe në qytete dhe zona të tjera, por e gjen në Sarandë shumë të spikatur: bashkëjetesën qytetare, njerëz jashtëzakonisht të civilizuar, njerëz mjaft mikpritës, njerëz, të cilët i japin këtij qyteti një vlerë të veçantë dhe jo pa qëllim, çdo vit që kalon Saranda fillon dhe portretizohet si një qytet jo thjesht me bukuri natyrore, se në fakt bukuritë natyrore i ka pasur gjithmonë, por një qytet i cili po projektohet në mënyrë të qartë si simboli i turizmit shqiptar. Unë e kam konstatuar këtë jo vetëm drejtpërdrejt, por e kam konstatur me kënaqësi nëpërmjet informacioneve të vazhdueshme që kam marrë. Lidhjet shpirtërore me këtë qytet janë vërtet të ngushta.

Unë kam ardhur sot, natyrisht jo me një program për të zhvilluar biseda nëpër auditore, unë vërtet jam Presidenti i Shqipërisë sot, dhe mund të konsiderohet si titull qytetar i parë i Shqipërisë, por e ndjej veten një qytetar të thjeshtë, e ndjej veten njeri prej jush dhe kam ardhur edhe unë me cilësi të dyfishtë, edhe si qytetar i thjeshtë për të kaluar një fundjavë në Sarandë, por në mënyrë të pashmangshme në bisedë më zotin Gjoka dhe me kolegë të tjerë thashë që duhet të shkëmbej një përshëndetje me miqtë e mi, me qytetarët e Sarandës dhe për të vendosur një dialog të ri, dialogun që Presidenti i Republikës duhet ta ketë me gjithë qytetarët e vendit të tij. Sot më shumë se kurrë në Sarandë ne bëjmë një bilanc, bëjmë një bilanc, i cili nuk i takon thjesht një individi, një partie politike, por i takon gjithë angazhimit qytetar të Sarandës, sepse fluksi turistik këtë vit ka qenë i jashtëzakonshëm krahasimisht më një vit më parë. Pra Saranda në mënyrë të padiskutueshme është një aset, që i takon popullit të saj, por ku të gjithë kanë kënaqësinë që të vijnë të kalojnë një periudhë turistike për të shijuar jo thjesht detin, por për të shijuar edhe ato që të ofron Saranda, bujarinë, qytetarinë, pushimin por edhe vlerat e papërsëritshme historike, arkeologjike.

Juve, të nderuar qytetarë, natyrisht nuk keni thjesht kënaqësinë të shijoni detin si çdo shoqëri tjetër edhe ju keni problemet tuaja, probleme që lidhen me shoqërinë, lidhen me shtetin, lidhen me institucionet, lidhen praktikisht me atë që të gjithë e përballojnë në një farë mënyre. Ajo që unë dëshiroj t’u them sot është që pavarësisht se ku shkon në karrierën politike apo zyrtare një gjë nuk duhet harrosh, nuk duhet të harrosh kontaktin me qytetarët, sepse problemet realisht sa më në bazë e të shoqërisë të jesh, aq më shumë i ndjen. Ne sot në këtë fazë të shoqërisë dhe të instutucioneve që kemi, kemi sigurisht progres, sepse kanë kaluar vite nga momenti i ndërrimit të sistemit. Jemi një sistem pluralist, natyrisht me problemet e veta, por ka probleme të cilat në mikrofonin e hapur, në mikrofonin qytetar thuhen e pranohen. Këtë duhet ta pranojnë edhe zyrtarët, do ta pranojë së pari Presidenti i Republikës, i cili është garant jo vetëm i Kushtetutës, por edhe i ekuilibrave shoqërorë, i ekuilibrave të institucioneve.

Sot ne jemi para sfidave, të cilat vërtet janë sfida reale, por janë mjaft të vështira. Sot ne jemi në një moment kur nga të gjithë faktorët politikë besoj dhe ato shoqërorë, është pranuar që në radhë të parë ne duhet të reformojmë sistemin e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë, i cili nuk mjafton të thuhet që ka probleme. Ndodh të kesh një eksperiencë gjyqësore qoftë në çështje të karakterit të pronësisë, por edhe në çështje të tjera, kur çdo njeri e ka provuar që realisht përballet jo vetëm me hallka burokratike, por përballet edhe me probleme të korrupsionit. Nuk mjafton të shprehesh në mënyrë verbale për të thënë që ky korrupsion do të kalojë dhe do të zgjidhet. Ky është një problem që duhet të përballohet nga gjithë shoqëria, jo se shoqëria do të merret me problemin e ligjeve, të reformimit të ligjit, por duhet të jetë e përgatitur psikologjikisht që reforma në drejtësi do t’i japë shanse shoqërisë shqiptare, do t’i jape shanse familjeve shqiptare që të dalë në mënyrë përfundimtare të çlirohet nga ato hallka që e mbajnë mbrapa dhe të rivendosë në mënyrë përfundimtare ekonominë e tregut. Këto probleme janë me administratën, janë me problemet e rivendosjes së pronësisë dhe janë me probleme të tjera civile, nuk po futem këtu me ato që konsiderohen penale që realisht janë mjaft të rënda, kur drejtësia nuk vendos ashtu siç duhet sepse në fakt ligji është ligj dhe ai që është qytetar, ai që është i ndershëm ai e ndjen më shumë se çdo njeri tjetër. Kështu që në këtë sens unë së bashku me faktorët politikë institucionalë, së bashku me aktorët në parlament jemi të vendosur që në këtë muaj shtator që jemi të fillojmë një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, gjë që do të garantonte një qetësi psikologjike dhe një perspektive të qartë për të gjithë qytetarët, kudo që ata jetojnë, nga veriu deri në jug të Shqipërisë, nga lindja deri në perëndim, në qytet e në fshat, kjo është nevojë e domosdoshme. Kjo do t’i jepte mundësinë që të kishim një zbatim të ligjit më të mirë në administratë qoftë në pushtetin qendror, qoftë në pushtetin vendor.

Një problem tjetër, i cili do të jetë në fokus të institucionit të Presidentit por edhe të parlamentit është reforma zgjedhore. Reforma zgjedhore, e cila ka ardhur momenti që t’i japë një zgjidhje afatgjatë këtij problemi në mënyrë që qytetari të jetë i lirë në momentin kur do të shprehë vullnetin e tij. Por kjo ka disa hallka ku unë besoj që po punohet në administrata qoftë për pajisjen me dokumentin bazë sikurse është karta e identitetit, sepse është e papranueshme që në vitin 2007 ne ende nuk jemi të regjistruar. Pra është një popullsi relativisht e vogël ndërkohë që eksperiencat botërore janë të tilla që edhe pse janë me qindra milionë, njerëzit janë të identifikuar, kanë kartën e identitetit, kanë numrin kanë adresën, kanë kodin postal, pra të gjitha këto janë të tilla që do të na bëjnë ne që të jemi të prezantuar mirë qoftë në momentin e parë të prezantimit në kufi, qoftë në administratën shtetërore.

Eshtë një moment tjetër që ka të bëjë me rregjistrin e shtetasve dhe kjo do të krijonte një mundësi që edhe situata zgjedhore do të ishte në kushte korrekte në mënyrë që institucioni kryesor që është institucioni i zgjedhjeve të garantonte institucione të tjera qofshin këto të pushtetit qëndror, qofshin të pushtetit vendor.

Unë jam në Sarandë dhe natyrisht problemet me karakter kombëtar do të ishte mirë që t’i lidhnim me situatën në qytet. Ne sot në nivel kombëtar kemi një stabilitet politik, i cili do të kontribuojë në cilësinë e rajonit, sepse po të kesh qetësi dhe stabilitet politik sigurisht ke mundësi që edhe ekonomia, qoftë kjo e përgjithshme, qoftë individuale të njohë progres. Unë gjatë kësaj periudhe kam patur rastin të takoj personalitete të ndryshme me mjaft potencë në jetën insititucionale, të cilët kanë qenë jashtëzakonisht të interesuar për çështjen e stabilitetit politik në Shqipëri dhe në rajon dhe premisat janë që Shqipëria të marrë një ftesë në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008 për t’u anëtarësuar në NATO dhe gradualisht pastaj në Bashkimin Evropian. Duhet marrë në konsideratë që është një proces, i cili nuk mjafton të thuash dëshirë dhe parrullë, por është një proces që do të zgjasë, sepse ka të bëjë me plotësimin e standardeve. Unë konstatoj që në vlerësimin e përgjithshëm po të shikosh Sarandën, po të shikosh dhe qytete të tjera unë mund t’ju them që Saranda ka bërë progres dhe në projektet që unë kam parë të cilat janë të zyrtarizuara dhe një pjesë janë në fazën e përfundimit të studimeve, Saranda, me kënaqësi konstatoj, gjë që e konstatoni edhe ju, do të jetë jo thjesht jo vetëm pikë reference për turizmin shqiptar, por do të ketë dhe një mundësi të madhe të zhvillimit ekonomik. Unë e di që një pjesë e mirë e qytetarëve të Sarandës sot janë në emigracion. Ky emigracion, jo vetëm ka qenë i detyruar, por ky emigracion nga ana tjetër ka sjellë mundësi të reja për popullin e Sarandës. Po të marrësh në konsideratë vetëm një element: këtu në Sarandë ka 11 banka. Ju e dini që biznesi, sidomos biznesi bankar asnjëherë nuk gabon. Ai është pararojë, sepse ato parashikojnë shumë mirë perspektivën e zhvillimit të një qyteti. Fakti që këtu ka 11 banka presupozon që perspektiva e këtij qyteti është e shkëlqyer. Me një popullsi, e cila është në kufijtë e përqendrimit demografik, një popullsi, e cila ka mundësi të zhvillojë turizmin dhe të jeni të bindur që me ato projekte qoftë me aeroportin por qoftë edhe me ato që z. Gjoka i shtroi, por qoftë edhe me një interes të drejtëpërdrejtë të institucioneve më të larta të shtetit që juve të fitoni një njohje autonomie le ta quajmë në thonjza të ushtrimit të kompetencave, sepse ne kemi një parim shumë të madh të decentralizimit të pushteteve, se ne decentralizimin e kemi jo vetëm nga pushteti qendror në pushtetin vendor, por edhe brenda kufijve të pushtetit vendor në mënyrë që brenda atij organizimi rajonal që kemi sikurse tha z. Gjoka, Saranda të ketë një organizim disi më të pavarur në nivel prefekture. Unë besoj që të gjitha resurset qytetare intelektuale, kjo lloj dashamirësie dhe kjo lloj fryme që ju i ofroni çdo njeriu edhe kur vjen për turizëm, edhe kur vjen për punë do të japë shanse të mëdha që Saranda të shumëfishojë numrin e njerëzve dhe të mos ketë vetëm turizëm veror. Të ketë vetëm turizëm veror është shumë pak për Sarandën. Turizmi në Sarandë duhet të jetë gjithëvjetor. Në dimër në Sarandë të mos vinë vetëm nxënës shkollash, por duke rregulluar infrastrukturën, duke rregulluar rrugët nacionale, duke pasur mundësi që të shtohet aktiviteti i biznesit, pse jo Saranda e ka shumë afër mundësinë që edhe nëpërmjet aktivitetit bujqësor në mënyrë që të futet në parametrat e turizmit ekologjik, që gjithçka që prodhohet në Sarandë të konsumohet në Sarandë në mënyrë që prodhimet e detit të jenë në radhë të parë për turizmin në Sarandë, pastaj për të tjerët. Këtu nuk diskutohet në sensin lokalist, por kjo është eksperienca e turizmit në vendet e zhvilluara ku njerëzit punojnë dhe nuk e lenë pas dore që t’i shkojë pas dore gjithë kjo pasuri e madhe që i ka dhënë natyra qytetit të Sarandës, i ka dhënë detin, i ka dhënë pasuritë arkeologjike i ka dhënë histornë e saj i ka dhënë mundësi për zhvillim ekonomik dhe mbi të gjitha i ka dhënë njerëzit. Të gjithë këto faktorë po të kombinohen unë jam i bindur, dhe kjo sjellje qytetare e juaja, kjo mënyrë komunikimi, do t’i japë shansin Sarandës që të ardhmen ta ketë të garantuar. Edhe besoj në një të ardhme shumë të shpejtë. Më lejoni edhe një herë t’ju them që meqënëse kam ardhur në qytetin tuaj ndoshta i dyzuar edhe si qytetar i thjeshtë për të kaluar një fundjavë, por edhe për të komunikuar, unë ju falenderoj për pjesëmarrjen. Ju garantoj se në të gjithë aktivitetin tim, qoftë ky në zyrën time, por edhe në axhenda të tjera, nëpër tryeza dhe takime do të kem vazhdimisht në qendër të vëmendjes perspektivën e këtij qyteti të mrekullueshëm.

Faleminderit për mikpritjen dhe ju garantoj që gjithmonë do të keni një mik në atë institucion!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›