E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË CEREMONINË E MBYLLJES SË PREZENCËS SË NATO-S NË SHQIPËRI.

2 qershor 2010

I nderuar Admiral Ficxherald,
I nderuar Gjeneral Karamunchev,
I nderuar Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë,
I nderuar Gjeneral Malaj,
Shkëlqesi Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik,
Të nderuar ushtarakë,
Zonja dhe zotërinj,

Jam shumë i gëzuar e, njëkohësisht i nderuar, të marr pjesë në këtë ceremoni madhështore, që shënon përfundimin e misionit të Prezencës së NATO-s në vendin tonë.

Dita e sotme është ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e veçantë për Shqipërinë, shqiptarët dhe për të gjithë aleatët e partnerët tanë strategjikë. Është e veçantë për shqiptarët, sepse ripohon realizimin përfundimtar të ëndrrës dhe dëshirës së tyre për t’u bërë anëtarë me të drejta të plota në NATO. Njëherazi, kjo ditë është e veçantë edhe për vendet anëtare të NATO-s, sepse zyrtarizon praninë tashmë dinjitoze të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe fazën më të avancuar të partneritetit me vendet e saj.

Dhjetë vjet më parë ne të gjithë falënderuam partnerët dhe aleatët tanë që morën vendimin për të hapur Zyrën e tyre të NATO-s në Shqipëri. Ky vendim ishte shumë i rëndësishëm. Ai shprehte qartësisht besimin që ata kishin fituar se Shqipëria dhe shqiptarët ishin në rrugë të mbarë dhe shumë të vendosur për t’u integruar në proceset euroatlantike, por sidomos ata kuptuan se ne kishim dhënë garancitë e duhura që ky proces, ndonëse i vështirë, do të ishte i pakthyeshëm dhe i suksesshëm jo vetëm për Shqipërinë e rajonin, por edhe më gjerë.

Sot ne jemi këtu për të shprehur edhe një herë mirënjohjen ndaj partnerëve tanë për ndihmën dhe mbështetjen politike, ushtarake, financiare, infrastrukturore që Shqipëria të anëtarësohej në NATO, të kthehej në një aleat institucional të Aleancës dhe, së bashku me vendet e tjera anëtare, të bashkërendonte mundësitë për t’u përballur me të ardhmen e përbashkët dhe sfidat e saj.

Ceremonia e sotme përmbyll një faqe të rëndësishme në historinë e marrëdhënieve tona me NATO-n, atë të premtimit të mbajtur dhe të standardeve të arritura, për të vazhduar kapitullin e ri dhe të suksesshëm të bashkëpunimit të ngushtë dhe afatgjatë me statusin e anëtarit të denjë dhe të përgjegjshëm.

Dita e sotme është një mundësi për të treguar sërish se ne ishim shumë të bindur dhe të ndërgjegjshëm për vështirësitë me të cilat do të përballeshim, si për të plotësuar standardet e partneritet të kërkuara nga Aleanca, ashtu edhe ato të angazhimit si anëtar me të drejta të plota. Ne ishim shumë të qartë dhe të palëkundur në vendimin tonë. Rruga e vetme dhe më e mira për Shqipërinë e sotme dhe të ardhme, për rajonin sot dhe nesër, për popullin shqiptar dhe të gjithë popujt e rajonit, ishte anëtarësimi sa më i shpejtë i vendit tonë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Dëshiroj të nënvizoj sot se Shqipëria i shikon zhvillimet në Ballkanin Perëndimor me shumë vëmendje dhe proceset e tij integruese me shumë interes. Ne do të vazhdojmë, me përgjegjësinë e një vendi anëtar të NATO-s, të mbështesim fuqimisht proceset pozitive integruese dhe politikat e shtrirjes së sigurisë në këtë rajon si rruga e vetme për ta shkëputur atë nga atavizmat e vjetra politike, etnike që përpiqen ta frenojnë nën petkun e një nacionalizmi të ri.

Gjithashtu, dëshiroj të theksoj sot me krenari se bashkëpunimi dhe kontributi i Shqipërisë në NATO nuk mbetet vetëm në Tiranë e as vetëm në Bruksel. Sot Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë së bashku me miqtë dhe kolegët e vendeve të tjera të NATO-s në luftën më të vështirë dhe sfidën më të madhe të sigurisë globale, në Afganistan.

I përshëndes ata dhe veprën e tyre nga kjo ceremoni madhështore!

I përshëndes të gjithë ushtarakët tanë kudo ku ata kontribuojnë!

I falënderoj edhe një herë të gjithë vendet aleate të NATO-s për ndihmën dhe besimin!

I përshëndes të gjithë shqiptarët, të cilët ëndërruan, shpresuan, besuan dhe vazhduan për të arritur qëllimin e tyre madhor: anëtarësimin në NATO, aleancës më të madhe globale të sigurisë, paqes, lirisë dhe demokracisë.

Faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›