E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit në Shkodër: I them sot Edvin Ramës, nga ky qytet që ka vuajtur më shumë se çdo qytet tjetër nga regjimi komunist, që nuk mund të kthehen më as bllokmenët e vjetër, as bllokmenët e rinj, të cilët mund të pengojnë rrugën e integrim

Gëzimin dhe harenë fëminore të 1 Qershorit, Kryetarja e Kuvendit e përjetoi sot mes fëmijëve të Shkodrës, një qytet më një traditë unike për fëstimin e kësaj dite. Në një atmosferë të vecantë festive, vogëlushët, nxënësit e shkollave nëntëvjecarë të qytetit së bashku me prindërit dhe qytetarë të tjerë të Shkodrës, mikpritën Kryetaren e Kuvendit, në një spektakël të pasur artistik dhe sportiv.
Kryetarja e Kuvendit, duke i uruar suksese dhe jetë të shëndetshme fëmijëve të gjithë Shqipërisë, tha se ata ndihen tashmë të barabartë me të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në Evropë, sepse fëmijët shqiptarë kanë shpirtin, mendjen dhe zemrën evropiane. Kryetarja e Kuvendit i përgëzoi fëmijët për vitet e lumtur dhe me fat, që po jetojnë në Shqipërinë, anëtare të Nato-s dhe në prag të heqjes së vizave. Këta fëmijë tha Kryetarja e Kuvendit do të kenë mundësi të lëvizin të lirë në Evropë, dikur një ëndër për prindërit e tyre, por tashmë afër realitetit, falë reformave, punës dhe guximit të jashtëzakonshëm të çdo shqiptari. Kryetarja e Kuvendit tha se vendimi historik i KE, rekomandimi për heqjen e vizave me Shqipërinë, ështe një premtim mbajtur i qeverisë.
Vendimi i 27 Majit ishte së pari një vendim që vinte, se ne shqiptarët kemi bërë më 28 qershor zgjedhjet më të mira, që janë mbajtur ndonjëherë në Shqipëri.
27 Maji është së pari vendimi i premtuar, së dyti premtimi i mbajtur dhe sepse ne realizuam zgjedhje me standarde që plotësonin shumicën e kërkesave të OSBE/ODHIR-it. Dhe, mbi të gjitha sepse gjatë kësaj periudhe ne shqiptarët, secili prej jush, kemi realizuar të gjitha kushtet, të gjitha detyrimet që Komisioni Europian, Bashkimi Europian na kishte vënë. Me vendimin e 27 Majit, ne kemi plotësuar detyrimet tona Kryetarja e Kuvendit tha se e tashmja dhe perspektiva e sigurt evropiane e fëmijëve nuk mund të pengohet nga askush dhe, me këtë rast Kryetarja e Kuvendit lëshoi dhe një apel për kryetarin e Partisë Socialiste: Kanë qenë 9 muaj, në të cilët Edvin Rama ka bërë çdo përpjekje që të mos arrihej 27 Maji, dita, në të cilën komisionerja Malstrom u tha shqiptarëve se, është merita juaj, se ju keni bërë një punë të madhe, një punë të fortë, keni bërë një punë të jashtëzakonshme.
I them sot Edvin Ramës nga ky qytet, që ka vuajtur më shumë se çdo qytet tjetër nga regjimi komunist, që nuk mund të kthehen më as bllokmenët e vjetër, as bllokmenët e rinj, të cilët mund të pengojnë rrugën e integrimit të Shqipërisë Fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli në aktivitetin e 1 Qershorit, në Shkodër.
Të dashur fëmijë të Shkodrës, të dashura nëna, edukatore, mësuese, I nderuar Kryetar i Bashkisë,
I nderuar Prefekt,
Të nderuar deputetë,

Ky është një ndër takimet më të bukura, në të cilat kam marrë pjesë.
Pak më parë dikush po më thoshte se kur e sheh veten të rrethuar me fëmijë, është momenti më i bukur i juaji.
Në fakt ska çast më të bukur sesa kur je i rrethuar me fëmijë kaq të bukur, që ne shqiptarët kemi.

Unë më parë takova nënat e tyre, prindërit e tyre.
Unë u bëj një urim shumë të thjeshtë si nënë: Qofshin të lumtur! Qofshin me shëndet! Qofshin të suksesshëm të gjithë fëmijët tuaj!

Ne, 1 qershorin në Shkodër e kemi festuar si një ditë shumë të veçantë, qysh vite e vite më parë, kur kemi qenë fëmijë të vegjël, organizohej Festivali i Fëmijëve që ishte gjëja më e bukur kur të gjithë ne vraponim për të ardhur te Teatri Migjeni për të parë këngëtarët dhe fëmijët tanë të dashur.
Unë e di që ky festival vazhdon të organizohet dhe është i mrekullueshëm dhe nuk ka patur kënaqësi më të madhe sesa të shihja ata fëmijë aq të talentuar aq të talentuar, te Gjeniu i Vogël ashtu siç i shohim të talentuar në çdo spektakël dhe aktivitet tjetër.

Unë dua tu drejtohem këtyrë fëmijëve dhe prindërve: jeni me fat që keni lindur në këto vite. Jeni me fat edhe për faktin se, përgjatë këtyre ditëve ne kemi një tjetër vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Më 27 maj është marrë një vendim që ne, prindërit tuaj, as nuk mund të imagjinonim që mund të ndodhte. Natyrisht, pak vite përpara filloi të mendohej se mbase mund të bëheshim anëtarë të NATO-s, sado dukej diçka e vështirë.
Por sot mund të themi që kjo Shqipëria jonë e vogël, kjo Shqipëri që ka patur një histori të vështirë, ky qytet që ka patur shumë halle dhe, që sot ka ende probleme, sot e sheh veten aty ku e ka ëndërruar gjithmonë, te shtëpia e tij: Europa. Ju shkodranët, si të gjithë shqiptarët, jemi europianë në shpirt, europianë në mendje, europianë në zemër, europianë në të gjithë vizionin tonë.
27 Maji ishte një vendim i jashtëzakonshëm, pikë së pari për këta fëmijë, që mund të jenë njësoj me të gjithë fëmijët e tjerë europianë.
Ju nëna që jeni këtu, bashkë me fëmijët tuaj, tashmë shihni fëmijët tuaj që janë njëlloj me fëmijët e tjerë në Itali, në Gjermani, në Francë. Vendimi i 27 Majit ishte së pari një vendim që vinte se ne shqiptarët kemi bërë më 28 qershor zgjedhjet më të mira, që janë bërë ndonjëherë në Shqipëri. 27 Maji është së pari vendimi i premtuar, së dyti premtimi i mbajtur dhe sepse ne realizuam zgedhje me standarde/ që plotësonin shumicën e kërkesave të OSBE/ODHIR-it. Dhe, mbi të gjitha sepse gjatë kësaj periudhe ne shqiptarët, secili prej jush, kemi realizuar të gjitha kushtet, të gjitha detyrimet që Komisioni Europian, Bashkimi Europian na kishte vënë. Me vendimin e 27 Majit ne kemi plotësuar detyrimet tona.
Nuk kam asnjë një hezitim për ta thënë, se për 9 muaj Grupi Parlamentar socialist nuk ka pranuar të vijë për të kryer detyrën e tij, në Parlament. Kanë qenë 9 muaj që kanë bërë çdo përpjekje për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Kanë qenë 9 muaj në të cilët Edvin Rama ka bërë çdo përpjekje që të mos arrihej 27 Maji, dita në të cilën komisionerja Malstrom u tha shqiptarëve se është merita juaj, se ju keni bërë një punë të madhe, një punë të fortë, keni bërë një punë të jashtëzakonshme. I them sot Edvin Ramës nga ky qytet, që ka vuajtur më shumë se çdo qytet tjetër nga regjimi komunist, që nuk mund të kthehen kurrë më as bllokmenët e vjetër, as bllokmenët e rinj, të cilët mund të pengojnë rrugën e integrimit të Shqipërisë.
I them sot në emër tuaj, në emër të qytetit të Shkodrës, të gjithë Shqipërisë, por mbi të gjitha në emër të këtyre fëmijëve, që u qesh syri, që u qesh buza, që unë besoj se do u qeshë jeta, se ata do të kenë mundësi të lëvizin të lirë dhe askush nuk mund të pengojë të ardhmen e tyre, perspektivën e tyre, gëzimin e tyre, jetën e tyre dhe karrierën e tyre.
1 qershori është dita e juaj. 1 qershori është një ditë e bukur dhe sot këtu, në këtë shesh, është bërë një festë jashtëzakonisht e veçantë, ashtu siç dinë ta bëjnë vetëm shqiptarët.
Unë ju falënderoj të gjithë ju prindër. Unë ju puth të gjithë ju fëmijë.
Unë falënderoj çdo shqiptar, çdo prind nga zemra për çdo gjë që ka bërë, për çdo mbështetje që ka dhënë, sepse është një ndër qytetet, që para gjithë të tjerëve, kërkonte dhe e ka arritur Europën.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›