E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË FORUMIN E 6-TË EKONOMIK RAJONAL TË EVROPËS JUGLINDORE.

20 nëntor 2009
Sarajevë

I nderuar Zoti Zhelkjo Komshiç,
Të nderuar Presidentë,
Të nderuar miq,
Zonja dhe Zotërinj,

Më lejoni të them se jam thellësisht mirënjohës dhe i respektuar nga vlerësimi bujar që bëhet sot nga Presidenti Komshiç në këtë mjedis historik! Do të desha ta shpreh me një fjalë të sinqertë se pasojat e ndikimit të krizës ekonomike botërore na nxisin drejt një angazhimi më të madh për të krijuar një treg rajonal ku të mbizotërojë konkurrenca e drejtë.

Do të desha të kujtoj thënien e një burri të madh shteti, i cili ka thënë: “Fjalët e shkurtëra janë më të mirat dhe fjalët e mençura, më të mirat e të gjithave.”.

Unë jam i bindur se secili prej nesh ka kurajën e duhur për të shprehur mendime me vlerë për të gjetur rrugëzgjidhje të përbashkëta me qëllim që ekonomitë tona jo vetëm të dalin nga ndikimi i krizës ekonomike botërore, por t’i përshpejtojnë hapat drejt integrimit në BE, sepse jam i sigurtë se fati i çdo vendi për ta bërë një gjë të tillë është pikërisht në duart tona.

Personalisht ndihem i vetëdijshëm për rreziqet që na kanosen nga ndikimi i krizës ekonomike botërore, prandaj mendoj se së bashku duhet të gjejmë mundësitë për të mos lejuar që e paarsyeshmja të bëhet më e madhe për hir të pasigurisë duke vazhduar ta konsideroj konformizmin në çështjet ekonomike si të burgosurin e lirisë së fjalës dhe njëkohësisht si armikun e rritjes ekonomike.

Gjykoj se ka ardhur pikërisht koha që qeveritë e vendeve të Ballkanit të bëjnë më shumë për projekte konkrete të bashkëpunimit në sektorin e energjitikës, në ndërtimin e linjave të interkonjeksionit, investime të përbashkëta në prodhimin e energjisë, krijimin e një sistemi të unifikuar energjitik, përcaktimin e drejtimit të zhvillimit të energjive të specializuara mbi bazën e efektivitetit dhe efiçencës që sigurojnë burimet në secilin prej vendeve tona si dhe për të lobuar dhe përgatitur së bashku projektet e furnizimit me gaz.

Nevojitet të veprojmë gjithashtu shpejt në sektorin e transportit, për lidhjen e linjave ekzistuese hekurudhore; për ndërtimin e linjave të reja ku të përfshihen të gjitha vendet e Ballkanit si dhe për lidhjen me sistemin hekurudhor të BE – së.

Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë sektorit të tregtisë reciproke për produktet bujqësore me karakter stinor për të siguruar produkte me çmime të arsyeshme dhe sipas standardeve të vendeve anëtare të BE – së.

Ne mund të zgjerojmë frymëmarrjen e sektorit të turizmit, për të rritur larminë dhe kombinimet e ndryshme që paraqit secili nga vendet tona në kuadër të tregut ndërkombëtar, çmimeve konkurruese dhe vlerave ende të panjohura dhe të pashfrytëzuara deri më sot.

Duke marë në konsideratë mendimet e ekspertëve të njohur, ndër ta me këtë rast Profesorin Lagumxhija, do të desha të theksoj se defiçitet e jashtme jokonsistente, nivelet e larta dhe shqetësuese të papunësisë, defiçitet fiskale, rritjen ekonomike me hope, shpërbërjen e industrive të trashëguara, kredibilitetin e ulët të sektorit bankar dhe financiar në përgjithësi, karakteristika që i ndesh në secilin prej vendeve në tranzicion në Ballkan, tregon se ende rregullat dhe institucionet tona janë të brishta.

Prandaj një bashkëpunim i shpejtë dhe efektiv në fushat e mësipërme, para së gjithash, do t’i integronte në mënyrë të natyrshme tregjet vendore të Ballkanit në kuadër të CEFTA-s, për shkak të karakteristikave pothuajse të ngjashme, kusht paraprak e i domosdoshëm ky për integrimin e secilit vend të Ballkanit në Bashkimin Europian, për shkak të kërkesës reale të zbatimit të standarteve në shtetet anëtare të BE-së.

Në fjalën time në Samitin e Ohrit dhe në bisedat bilaterale me disa presidentë të vendeve tona kam ngulur këmbë për një bashkëpunim konkret dhe për zgjerimin e atij ekzistues, veçanërisht për të hequr gradualisht të gjitha barrierat e vendosura në mënyrë të padrejtë nga monopole të padeklaruara në furnizimin me energji dhe konkurrencën e ashpër të stimujve tatimorë.

Politika e sotme në Ballkan nuk mund të jetë më arti i sherrit, që e kërkon atë edhe atje ku ai nuk egziston, që e diagnostikon atë sipas oreksit dhe interesave të vogla që nxiten dhe frymëzohen nga formula të gabuara historike për të zgjidhur çështje të tilla të rëndësishme. Politika e sotme në Ballkan është bashkëpunimi konkret pa dallim ndërmjet të gjitha vendeve tona.

Duke shpresuar që ky takim të realizojë qëllimet e tij, dëshiroj të shpreh edhe një herë bindjen se mungesa e përfaqësuesve të Republikës së Kosovës dhe e zërit të tyre është një ngërç që duhet të kapërcehet. Nuk mund të mbyllim sytë e të bëjmë sikur nuk ka ndodhur gjë në kufijtë tanë dhe as të përpiqemi të pengojmë një rrjedhje normale të ngjarjeve, të cilat jo vetëm që mbyllën një herë e përgjithmonë krizën më të madhe politike dhe ushtarake të rajonit tonë, por krijuan baza të shëndosha për stabilitet, paqe dhe siguri.

Mënyra shembullore e organizimit të zgjedhjeve të para vendore të pas pavarësisë më datën 15 nëntor, por sidomos gjithëpjesëmarrja etnike në votime jep sigurinë se prania e saj do të pasuronte dhe ndihmonte këtë forum të nderuar në përballjen dhe gjetjen e rrugëzgjidhjeve për problemet e përbashkëta.

Ne të gjithë jemi optimistë për të ardhmen e vendeve tona dhe si të tillë, në kushtet e krijuara nga ndikimi i krizës ekonomike botërore, ne duhet t’u hapim rrugën mundësive duke i shmangur vështirësitë nga vizioni ynë i përbashkët: integrimi në Bashkimin Europian.

Duke i uruar suksese këtij Forumi, dëshiroj të falenderoj organizatorët për mikpritjen dhe të përsëris edhe një herë ftesën time për t’u takuar sërish vitin që vjen në Shqipëri!

Ju falemnderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›