Presidenti Topi përshëndet Forumin e 6-të Ekonomik Rajonal për Evropën Juglindore.

20 nëntor 2009
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi po ndjek sot punimet e Forumit të 6-të Ekonomik Rajonal për Evropën Juglindore, që po zhvillohet në Sarajevë. Në praninë e pjesëmarrësve në këtë Forum: Kryetarit të Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Zheljko Komshiç, Presidentit të Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiç, Presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe Zëvendëspresidentit të Bullgarisë, Angel Marin, Kryetari i Shtetit shqiptar mbajti fjalën e rastit.
Presidenti Topi shprehu vlerësimet për organizimin dhe rëndësinë e mbajtjes së këtij Forumi në kuadër të bashkëpunimit rajonal ekonomik. Kryetari i Shtetit vuri në dukje posaçërisht se “ka ardhur pikërisht koha që qeveritë e vendeve të Ballkanit të bëjnë më shumë për projekte konkrete të bashkëpunimit në sektorin e energjitikës, në ndërtimin e linjave të interkonjeksionit, investime të përbashkëta në prodhimin e energjisë, krijimin e një sistemi të unifikuar energjitik, përcaktimin e drejtimit të zhvillimit të energjive të specializuara mbi bazën e efektivitetit dhe efiçencës që sigurojnë burimet në secilin prej vendeve tona si dhe për të lobuar dhe përgatitur së bashku projektet e furnizimit me gaz.”
Pasi është ndalur në disa prej problemeve më të spikatura, me të cilat përballet në përgjithësi ekonomia e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Presidenti i Republikës shprehu mendimin se “bashkëpunim i shpejtë dhe efektiv në fushat e mësipërme, para së gjithash, do t’i integronte në mënyrë të natyrshme tregjet vendore të Ballkanit në kuadër të CEFTA-s, për shkak të karakteristikave pothuajse të ngjashme, kusht paraprak e i domosdoshëm ky për integrimin e secilit vend të Ballkanit në Bashkimin Europian, për shkak të kërkesës reale të zbatimit të standarteve në shtetet anëtare të BE-së.”
Në vijim, Presidenti Topi nënvizoi se “politika e sotme në Ballkan nuk mund të jetë më arti i sherrit, që e kërkon atë edhe atje ku ai nuk ekziston, që e diagnostikon atë sipas oreksit dhe interesave të vogla që nxiten dhe frymëzohen nga formula të gabuara historike për të zgjidhur çështje të tilla të rëndësishme.” “Politika e sotme në Ballkan është bashkëpunimi konkret pa dallim ndërmjet të gjitha vendeve tona”, - u shpreh Kryetari i Shtetit. Në këtë këndvështrim, Presidenti Topi tha se shpresonte që ky takim të realizojë qëllimet e tij, por në të njëjtën kohë shprehu edhe një herë bindjen se “mungesa e përfaqësuesve të Republikës së Kosovës dhe e zërit të tyre është një ngërç që duhet të kapërcehet”. “Nuk mund të mbyllim sytë e të bëjmë sikur nuk ka ndodhur gjë në kufijtë tanë dhe as të përpiqemi të pengojmë një rrjedhje normale të ngjarjeve, të cilat jo vetëm që mbyllën një herë e përgjithmonë krizën më të madhe politike dhe ushtarake të rajonit tonë, por krijuan baza të shëndosha për stabilitet, paqe dhe siguri”, - vuri në dukje Presidenti i Republikës.
Duke e mbyllur fjalën e tij në këtë Forum, Kryetari i Shtetit shqiptar u shpreh optimist për të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Në kushtet e krijuara nga ndikimi i krizës ekonomike botërore, ne duhet t’u hapim rrugën mundësive duke i shmangur vështirësitë nga vizioni ynë i përbashkët: integrimi në Bashkimin Europian”, - theksoi Presidenti.
Forumi i ardhshëm ekonomik rajonal do të mbahet vitin që vjen në Shqipëri nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi.