E Diel, 1 Nëntor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË KONFERENCËN E 4-t TË KOMBEVE TË BASHKUARA MBI: “Vendet më pak të Zhvilluara”

9 maj 2011
Stamboll, Turqi

I nderuar President Gyl,
Shkëlqesia Juaj, zoti Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara,
Të nderuar Shkëlqesi,
Zonja e Zotërinj,

Më lejoni, që në fillim të fjalës sime të përgëzoj vendin pritës, Turqinë për mundësimin e realizimit të shkëlqyer të kësaj Konference. Gjithashtu, dëshiroj të përgëzoj Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për angazhimin e tij të plotë dhe përpjekjet e palodhura e të pandërprera në drejtim të avancimit të zhvillimit të vendeve më pak të zhvilluara!

Të nderuar Shkëlqesi,

Shqipëria nuk është pjesë e grupit të vendeve më pak të zhvilluara, por, ka probleme të ngjashme me këtë grup vendesh. Vendi im ka përkrahur dhe përkrah të gjitha veprimet dhe nismat e Kombeve të Bashkuara, të cilat kërkojnë zhvillimin e qëndrueshëm, prosperitetin dhe mbështetjen e përpjekjeve të vendeve më pak të zhvilluara drejt arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Ne jemi të inkurajuar nga progresi i arritur, në disa fusha të zhvillimit, nga këto vende, në drejtim të përmbushjes së qëllimeve dhe angazhimeve të pranuara ndërkombëtarisht. Besojmë se ky progres do të kishte qenë akoma më i madh dhe më i dukshëm, nëse do të sigurohej me efektivitet më të madh koordinimi, mobilizimi dhe bashkëpunimi i kërkuar dhe më i ngushtë mes aktorëve kryesore qeveritarë, parlamentarë, të shoqërisë civile, sektorit privat dhe vendeve donatore.

Progresi i bërë në reduktimin e varfërisë në shumicën e vendeve më pak të zhvilluara është i dukshëm, por ne besojmë se krijimi i vendeve të reja të punës, rritja e prodhimit bujqësor, forcimi i shkollimit dhe mbrojtja sociale mbeten fusha parësore për të gjitha vendet. Shkëmbimi i praktikave më të mira në këtë drejtim do të përbënte një nxitje të vërtetë për të gjitha vendet e interesuara.

Ne mendojmë se pjesëmarrja aktive e vendeve më pak të zhvilluara në procesin ndërkombëtar të vendim-marrjes, e kombinuar me rritjen e koherencës të politikave donatore, është shumë e rëndësishme për garantimin e suksesit të zhvillimit. Në të njëjtën kohë, ne besojmë se zhvillimi i kapaciteteve njerëzore, brenda vendit, është kusht i domosdoshëm për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit në progresin drejt arsimimit, shëndetit dhe shërbimeve të tjera sociale.

Konferenca e Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimin e Klimës mbajtur në Kopenhagën ra dakord për të ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me zvogëlimin e vulnerabilitetit dhe mbrojtjen e mjedisit për vendet më pak të zhvilluara duke miratuar që një pjesë e mirë e fondit të Kopenhagenit për mjedisin dhe klimën, t’i dedikohet këtyre vendeve.

Gjithashtu, vendi im mbështet të gjitha nismat e komunitetit ndërkombëtar në drejtim të mobilizimit të burimeve financiare, të cilat të përkthyera në projekte zhvillimi nga secili vend, duhet të integrojnë veprimet kombëtare për të trajtuar varfërinë, ushqimin, krizën globale financiare dhe ndryshimin e klimës në mënyrë të ndërlidhur.

Të nderuar Shkëlqesi,

Të gjitha vendet anëtare të OKB-së ndajnë përgjegjësinë për funksionimin e Organizatës, si një organ shumëpalësh vendim-marrës, që na shërben duke zgjidhur çështjet globale. Kudo ku ka kriza, varfëri, uri, sëmundje apo vuajtje, aty ne dëshirojmë ta shohim OKB-në. Organizata jonë duhet të jetë në gjendje te përballet me sfida dhe të qëndrojë në lartësinë e shpresave. Si depozituese e pothuajse të gjitha çështjeve madhore më të cilat përballet njerëzimi, OKB-ja mbart njëkohësisht edhe detyrimin për të gjetur dhe dhënë zgjidhje në përputhje me pritshmërinë gjithnjë e më të lartë. Shqipëria shpreson në angazhimin më efektiv të OKB-së, në mbështetje të vendeve më pak të zhvilluara.

Klima dhe energjia janë midis çështjeve më të mëdha të kohës sonë. Ato duhet të qëndrojnë në krye të agjendës sonë ndërkombëtare. Shqipëria e konsideron mjedisin si një çështje vitale dhe është e angazhuar plotësisht të plotësojë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare. Sfida energjetike e Shqipërisë lidhet ngushtësisht me rritjen e ekonomisë, rritjen e popullsisë, ngritjen e standardit të jetesës dhe plotësimin e aspiratës sonë drejt integrimit në familjen evropiane. Për përballimin e këtyre sfidave, në vendin tim janë ndërmarrë një sërë masash, si rritja e eficencës së energjisë, riparimi dhe modernizimi i infrastrukturës energjetike, rritja e burimeve energjetike, duke ruajtur dhe përmirësuar mjedisin, të cilat qëndrojnë në bazën e programit për zhvillimin e vendit. Kështu, një nga objektivat tona është rritja e burimeve energjetike, kryesisht ato të rinovueshme.

Zonja e zotërinj,

Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm në drejtim të plotësimit të Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZHM). Lufta kundër varfërisë, analfabetizmit, mortalitetit të fëmijëve, ndryshimit të klimës dhe përmirësimit të shëndetit të popullsisë mbeten prioritete të shtetit tonë. Çmimet në rritje të karburantit, kriza e bukës dhe ngadalësimi i ekonomisë globale, për shkak të krizës globale financiare, kanë sjellë para nesh sfida të reja, më komplekse dhe të paparashikuara në arritjen e OZHM. Shqipëria është prekur fare pak nga kriza ekonomike dhe financiare e viteve të fundit.

Vendi im synon të ulë varfërinë dhe po përparon shpejt, nëpërmjet planeve konkrete, në reduktimin e varfërisë absolute dhe ekstreme në vend. Ne mendojmë se në platformën dhe programin e çdo qeverie të zgjedhur në një vend të lirë, lufta kundër varfërisë duhet të përbëjë qëllimin më të parë të saj dhe kjo luftë është shumëplanëshe. Shqipëria në periudhën 2008-10 ka nxjerrë nga kufiri i varfërisë rreth 400 mijë shqiptarë. Ne besojmë se antidoti absolut është punësimi dhe më tej arsimimi. Ne mendojmë se zonat e varfra nuk dalin dot nga varfëria, nëse nuk aplikohet diskriminimi pozitiv i tyre, nëpërmjet zbatimit të një pakete zhvillimi, me anë të së cilës t’u krijohet mundësi qytetarëve të ndërtojnë një jetë normale, me dinjitet dhe jashtë varfërisë.

Po punohet për përmirësimin e jetës së të gjithë banorëve të vendit, dhe për sigurimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme, zhvillimin e qëndrueshëm dhe çrrënjosjen e varfërisë dhe urisë. Ne vazhdojmë të punojmë për konsolidimin e shtetit të së drejtës, nxitjen e transparencës së vendim marrjes dhe rritjen e përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve tanë. Lufta ndaj fenomenit të korrupsionit dhe faktorëve që e ushqejnë atë, nxitja e konkurrencës së lirë në ekonomi do të përbëjnë prioritete të shtetit tonë në vitet e ardhshme. Ne synojmë të nxisim përpjekjet për përsosjen e sistemit arsimor duke përmirësuar treguesit sasiorë dhe cilësorë të tij dhe duke inkurajuar arritjen e barazisë gjinore.

Të nderuar Shkëlqesi,

Ne ndjekim me shumë motivim një politikë moderacioni në rajon, duke vrojtuar me interes situatën politike dhe ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj edhe faktin se me këto sfida të përbashkëta, po përballet sot dhe Republika e re e Kosovës. Miratimi i rezolutës konsensuale në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës sonë, që mirëpriti mendimin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së saj, e mbylli përfundimisht çështjen e statusit dhe integritetit të saj territorial. Ndaj, tani është koha që kjo Republikë e re të përkrahet, mbështetet dhe inkurajohet drejt rrugës së saj të zhvillimit.

Me këtë rast, dëshiroj t’u bëj një thirrje të hapur të gjithë atyre vendeve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës për ta njohur atë. Sot, Kosova është njohur si shtet i pavarur dhe sovran nga 75 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Ne besojmë se realiteti i ri i krijuar në Ballkanin Perëndimor, me shtetin e pavarur të Kosovës, ka ndikuar pozitivisht në forcimin e paqes dhe sigurisë në këtë rajon, si edhe në krijimin e një fryme bashkëpunimi e prosperiteti, jo vetëm për Ballkanin, por edhe më gjerë.

Ju falemnderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›