FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË KONFERENCËN NDËRKOMBËTARE TË 10-VJETORIT TË KRIJIMIT TË INSTITUCIONIT TË AVOKATIT TË POPULLIT.

10 dhjetor 2009
I nderuar zoti Dobjani,
Të nderuar zotërinj ministra, deputetë,
Shkëlqesi Ambasadorë,
Miq dhe të të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të marr pjesë në këtë takim të rëndësishëm, i cili kremton sot 10-vjetorin e krijimit të Avokatit të Popullit dhe diskuton mbi mirëqeverisjen, respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe rolin e Ombudsman-it në këtë sfidë bashkëkohore.
Dhjetë vjet më parë, vendimi i Parlamentit për krijimin e një institucioni të pavarur për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut nga veprimtaria e paligjshme e administratës publike u shoqërua me një lloj skepticizmi. Parimi i pavarësisë dhe paanësisë së administratës publike ishte i pazakontë, transparenca e veprimtarisë së administratës publike ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut nuk ishte kulturë e qeverisjes në sistemin e trashëguar.
Institucioni i Avokatit të Popullit erdhi pikërisht në këtë moment, me misionin e madh dhe shumë të nevojshëm: të ndihmojë drejtpërsëdrejti në forcimin e demokracisë dhe mirëqeverisjes dhe të sjellë më shumë transparencë dhe përgjegjësi për administratën publike.
Dhjetë vite janë pak për një institucion të kësaj rëndësie, por intensiteti dhe karakteri i çështjeve që ai ka trajtuar e kanë pjekur dhe konsoliduar në funksionet e tij. Avokati i Popullit ka sot fizionominë e një institucioni modern, mirëfunksionues dhe me integritetin e nevojshëm, sepse në përgjithësi, roli, funksioni dhe detyra e tij është mirëkuptuar si nga administrata publike, ashtu dhe nga qytetarët shqiptarë.
Konsolidimi i procesit demokratik të qeverisjes, arritja e mirëqeverisjes dhe respektimi i të drejtave të njeriut e kërkojnë gjithmonë e më tepër rolin e Avokatit të Popullit. Natyrisht, ushtrimi në mënyrë të efektshme i përgjegjësive në mbrojtje të të drejtave të njeriut lidhet domosdoshmërisht me një qeverisje të kontrollueshme, një parlament pluralist dhe një gjyqësor të pavarur. Por, shoqëritë moderne po provojnë çdo ditë e më shumë se egzistenca e këtyre institucioneve sipas ndarjes klasike të tre pushteteve është e paplotë pa veprimtarinë e institucioneve të tjera të pavarura, të cilat së bashku bëjnë të mirëfunksionojë sistemi i kontrollit dhe balancës së pushteteve dhe në të cilin luajnë rol të rëndësishëm një shoqëri civile e fortë dhe një shtyp i lirë dhe i përgjegjshëm. Pikërisht, në këtë sistem, pranë sferës së qeverisjes dhe shoqërisë civile është vendosur Avokati i Popullit, në garanci të demokracisë dhe mirëqeverisjes.
Zoti Dobjani, sot ju keni marrë vlerësimet e arsyeshme. Kam rastin të konstatoj si folësi i fundit që të të gjithë zërat janë sintonizuar në vlerësimet për këtë institucion. Institucioni është gjithnjë më i rëndësishmi, më vendimtari, por një skenë nuk do të kishte vlerë pa aktorët e saj. Kështu që ju jeni vërtet një aktor i rëndësishëm që me personalitetin tuaj, me fizionominë tuaj, em ekuilibrin tuaj keni ditur të qëndroni midis institucioneve për të luajtur rolin tuaj, por nga ana tjetër nuk u jeni larguar detyrimeve të këtij institucioni për të pqërfaqësuar njerëzit, të cilët kanë nevojë për këtë mbështetje.
Tipar themelor i Institucionit të Avokatit të Popullit është forca e rekomandimeve të tij. Ai ashtu si Ombudsman-ët në vende të tjera, dhe këtu kam rastin të falenderoj në mënyrë të veçantë Ombudmanin e Danimarkës, me të cilin jo vetëm që jam takuar disa herë, por kam pasur rastin të konstatoj një ndihmë shumë të sinqertë, gati-gati një lidhje organike me Institucionin tonë të Avokatit të Popullit, nuk ka fuqi detyruese. Gjatë vizitave që ka pasur në Danimarkë kam konstatuar nga afër që ky institucion ishte shumë i rëndësishëm në atë vend dhe padyshim, sa më demokratik të jetë një vend, aq më shumë vlerë merr ky institucion. Kështu që unë ju falenderoj për ndihmën e vazhdueshme që keni dhënë dhe vazhdoni të jepni! Kështu përmbushet roli i tij si ushtrues i presionit të nevojshëm pozitiv ndaj administratës publike, për të ndikuar sa më shumë dhe sa më mirë në realizimin e standarteve të kërkuara të mirëqeverisjes dhe të ndihmojë në transparencën e saj.
Avokati i Popullit mund të zhvillojë atë që quhet kultura e qeverisjes së mirë. Ky nocion, tashmë i konsideruar si një nga të drejtat e njeriut, do të thotë administrim të mirë të pronës publike, çiltërsi, transparencë dhe llogaridhënie e administratës publike para njerëzve që paguajne taksa për ta mbajtur atë. Avokati i Popullit, nëpërmjet rekomandimeve të tij, duhet ta bëjë administratën publike të kuptojë rolin e saj të vërtetë ndaj qytetarëve dhe egzistencën e saj vetëm në shërbim të realizimit të të drejtave të tyre. Ato përbëjnë detyrim për administratën publike, e cila duhet të jetë gjithnjë e gatshme të përballet me kërkesat për transparencë dhe ankesat e qytetarëve. Në të kundërt, demokracia do të dobësohej dhe nuk do të mund të krijohej punonjësi civil dhe qytetari evropian.
Avokati i Popullit nuk është kundërshtar i administratës publike. Ai nuk mund të jetë as institucion akuze dhe gjurmimi ndaj administratës publike, sikundër kriticizmi ndaj punës së administratës publike nuk duhet të përbëjë qëllim në vetvete. Avokati i Popullit mbetet, sikurse e tha edhe zoti Dobjani, një oponencë për mirëqeverisje, për një administratë publike funksionale, partner për arritjen e qëllimeve të përbashkëta të demokratizimit të institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.
Të nderuar të ftuar,
Takimi i sotëm merr një vlerë të veçantë, sepse zhvillohet në një ditë simbol të të drejtave të njeriut. 61 vjet më parë, në 10 dhjetor 1948, Kombet e Bashkuara miratuan Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Sistemi i vlerave dhe liberalizmi, konceptet e lirisë politike dhe demokracisë, janë fryma që përshkon këtë Deklaratë. Ajo është pranuar sot jo thjesht si një dokument rekomandues, por si një grup standartesh dhe vlerash politike që duhen zbatuar, të cilat rrjedhin nga rrënjë shpirtërore universale, nga përpjekje për të kërkuar atë që është e përbashkët në shumë kultura dhe tradita.
Shqipëria u kthye drejt këtyre vlerave në vitin 1990, me rënien e regjimit të vjetër totalitar dhe daljen nga një sistem 50-vjeçar komunist dhe të izoluar. Në këto njëzet vjet Shqipëria ka bërë përparime të dukshme dhe një ndryshim cilësor në çështje thelbësore të demokracisë liberale, të paimagjinueshme dikur. Shoqëria shqiptare sot ka bërë përparim në drejtim të konsolidimit të vlerave demokratike që udhëheqin shoqëritë e përparuara, duke i kthyer ato në vlera të prekshme për të gjithë ne.
Shoqëria shqiptare ka ende shumë për të bërë, ka ende shumë për të përmirësuar në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut, pavarësisë së institucioneve dhe fenomeneve negative të korrupsionit ekonomik e politik. Por unë mendoj se sot është e rëndësishme të theksojmë se demokracia, të drejtat e njeriut dhe konstitucionalizmi janë koncepte dinamike, vazhdimisht në zhvillim dhe progres. Si të tilla, edhe përpjekjet për të ecur në një hap me to, për të forcuar parimet, standardet dhe vlerat e botës ku dëshirojmë të integrohemi natyrshëm, përpjekjet për të promovuar mirëkuptimin dhe besimin reciprok duhet të jenë një sfidë e përditshme e të gjithëve.
Sot Shqipëria është përpara momenteve të rëndësishme të jetës së saj. Le të përpiqemi të gjithë të përqafojmë një sens të ri përgjegjshmërie, le të përpiqemi të gjithë t’u drejtohemi vlerave më të mira tona, le të përpiqemi të gjithë ta bëjmë demokracinë shqiptare një demokraci reale sipas parimeve dhe standardeve drejt të cilave jemi nisur në një rrugë pa kthim.
Ju faleminderit!