Presidenti Topi merr urimet e Presidentit të Kosovës, Sejdiu, me rastin e Festës së Pavarësisë.

28 nëntor 2009
Presidenti i Republikës. Prof.Dr. Bamir Topi mori sot një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, me ratin e Festës së Pavarësisë - 28 Nëntorit.
“Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, ju shpreh urimet e mia më të përzemërta me rastin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, ishte pa dyshim ngjarja më e madhe në historinë e kombit shqiptar që prej nëntorit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Kjo ditë e bekuar mblodhi tok prijësit e të gjitha viseve shqiptare në qytetin e Vlorës, të cilët njëzëri shpallën Shqipërinë shtet më vete, të lirë dhe të pavarur. Që nga ajo kohë, shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo në trevat e tjera etnike janë rritur, janë edukuar dhe janë flijuar duke e mbajtur lart e me krenari Flamurin Kombëtar, këtë simbol të unitetit, të paqes dhe të dashurisë në mes të gjithë shqiptarëve pa dallim krahine e besimi.
28 Nëntori është ditë e secilit shqiptara, pavarësisht ku jeton e punon ai. Ajo është ditë që na i përkujton sakrificat e mëdha dhe luftën e përhershme që kanë bërë shqiptarët gjatë gjithë historisë për të ruajtur të paprekshme frymën e qenies së vet nacionale.
Sot, në 97-të vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj, Republika e Shqipërisë mund të mburret me të arriturat e saj, sidomos të këtyre viteve të fundit. Anëtarësimi në NATO dhe ecja e fuqishme e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian janë një motiv i madh për ne në Kosovë që të punojmë për jetësimin e standardeve të kërkuara nga këto institucione. Përmbyllja e plotë e këtij procesi të madh njëdrejtimësh do ta rrumbullakonte njëherë e mirë kthimin e kombit shqiptar në shtratin e vet të natyrshëm shpirtëror, kulturor e politik evropian.
Duke ju rishfaqur ndjenjën e konsideratës sime më të lartë, i dashur President, uroj që Republika e Shqipërisë dhe populli i saj të kenë përherë vetëm mbarësi dhe suksese!", - thuhet në mesazhin e Presidentit kosovar, Sejdiu.