E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi dekoron Institucionin e Avokatit të Popullit me Urdhrin “Nënë Tereza”.

10 dhjetor 2009

Sot paradite, në një ceremoni të zhvilluar në mjediset e Hotel “Tirana International”, ku po zhvillohej konferenca ndërkombëtare “Të drejtat e njeriut, mirëqeverisja dhe performance e Ombudsmanit” me rastin e 10-vjetorit të krijimit të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe 61-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, në prani të Ambasadorit amerikan, Xhon Uithers II, Ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosh, Ministrit të shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin, Genc Pollo, Ombudsmenit të Danimarkës, Hans Gameltoft-Hansen, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, jurist dhe personalitete të shquar në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut, etj., Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi këtë institucion me Urdhrin e lartë “Nënë Tereza”.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, zoti Aleksandër Flloko, Kreu i shtetit shqiptar i dorëzoi Avokatit të Popullit, zotit Ermir Dobjani Urdhrin “Nënë Tereza” me këtë motivacion “Për gatishmërinë, humanizmin dhe kurajon e treguar në përmbushjen e misionit kushtetues për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Republikën e Shqipërisë”.

Nga ana e tij, zoti Dobjani, falenderoi Presidentin Topi për nderimin dhe vlerësimin e madh duke u shprehur: “Ju falenderoj nga zemra edhe në emër të stafit të Institucionit të Avokatit të Popullit për këtë vlerësim nga më të lartët në hierarkinë e titujve të Republikës së Shqipërisë! Me këtë rast, më lejoni t’ju shpreh se ashtu siç përfaqëson ky titull Nënë Terezën, Institucioni i Avokatit të Popullit me punën e tij, do të japë më shumë dashuri thonte Nënë Tereza, por ne do t’u japim më shumë përkushtim qytetarëve shqiptarë me punën tonë fisnike për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për ta bërë Shqipërinë një vend që mirëqeveriset dhe që sa më shpejt të hyjmë në Bashkimin Evropian”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›