E Diel, 1 Nëntor 2026

FJALA PËRSHËNDETËSE E PRESIDENTIT TOPI NË CEREMONINË E PESËVJETORIT TË KRIJIMIT TË ILDKP-së.

10 korrik 2008

E nderuar znj. Laska,

Megjithëse ishit përgatitur me letër, thatë disa fjalë zemre pa letër. Unë mund të them shumë fjalë zemre pa letër, por jam i detyruar të flas me letër. Kështu që ky është një moment solemn, sepse është 5-vjetori i krijimit të këtij institucioni shumë të rëndësishëm dhe përveç një bilanci shumë pozitiv, me cilësinë e Presidentit të Republikës më duhet që të jap mesazhet e rastit jo vetëm për institucionin, por për mbarë institucionet shqiptare dhe mbarë shoqërinë shqiptare në funksion të interesit të qytetarit, sepse ky institucion që është ngritur pesë vite më parë në radhë të parë është konceptuar si pjesë e infrastrukturës së institucioneve të demokracisë. Por që tekefundit konsiderohet një institucion së pari në funksion të qytetarëve të thjeshtë.

Të nderuara zonja,
Të nderuar zotërinj,

Pesë vjet më parë, kur Parlamenti mori vendimin për krijimin për herë të parë të një institucioni të pavarur e profesional në kontrollin dhe deklarimin e pasurive, u hodh një hap për të cilin kishte shumë skeptikë në fillimet e veta. Të mësuar me një sistem diktatorial ku nuk lejohej ankesa dhe kritika ndaj udhëheqjes, ne kaluam një tranzicion të vështirë ku abuzuesit me ligjin jo gjithnjë përfunduan përpara drejtësisë. Institucioni juaj erdhi pikërisht në këtë moment të rëndësishëm, me një mision të madh dhe shumë të nevojshëm: të ndajë ligjërisht abuzuesit nga imazhi që duhet të ketë shteti dhe institucionet e veta duke aplikuar një model, për t’iu larguar asaj të kaluare ku kastat korruptive të dënohen e të mos jenë të paprekshme, të ketë transparencë dhe drejtësi për zyrtarët që udhëheqin në emër të qytetarëve.

Pesë vjet sigurisht që nuk janë shumë në veprimtarinë e një institucioni të rëndësishëm sikurse është institucioni juaj, por në të njëjtën kohë nuk janë pak për një opinion publik që pret me padurim zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë politikanët dhe zyrtarët vendimmarrës. Në punën e tij Inspektorati ka shënuar disa arritje padyshim të rëndësishme. Ju keni krijuar tashmë imazhin e institucionit. Për misionin që kryeni jeni bërë pikë referimi për institucionet e tjera, për publikun dhe partnerët ndërkombëtarë, keni mbledhur përvojë në ushtrimin e përgjegjësive, keni trajnuar me dhjetëra zyrtarë dhe gjithashtu keni kryer verifikimin e pasurive të një numri të madh zyrtarësh të niveleve të ndryshme. Keni arritje të dukshme dhe unë gjej rastin të vlerësoj publikisht punën tuaj, por edhe të inkurajoj kalimin në një fazë të re të aktivitetit dhe rolit tuaj ligjor - në fazën e distancimit të qartë të shtetit ndaj çdo zyrtari, pikërisht nga aferat korruptive, të distancimit në mënyrë definitive të institucionit të shtetit nga ato që konsiderohen pasuri të paligjshme, të padeklaruara, pasuri jotransparente nga publiku dhe tërë shoqëria.

Ne kemi shansin të bisedojmë çdo ditë me qytetarët, pavarësisht se kontakti me qytetarët, kontakti fizik vjen duke u reduktuar për hir të pozicionit, unë ju siguroj që kontakti me qytetarët sot është shumë i larmishëm. Është nëpërmjet korrespondencave, shpesh herë bëhet nëpërmjet zërit publik që ata kanë nëpër kanalet e medias dhe sigurisht edhe nëpërmjet kontakteve direkte. Shohim sondazhet, të dhënat që vijnë nga institucionet shtetërore dhe shoqëria civile. Të gjitha këto burime jopolitike vazhdojnë të ngrejnë me shqetësim ekzistencën e korrupsionit dhe të mentalitetit korruptiv tek një numër zyrtarësh të të gjitha niveleve. Unë mund t’ju them që raportet ndërkombëtare shpesh herë kanë konstatuar dhe kanë shprehur me tone kritike që në disa sektorë ka problematika ku korrupsioni është më i ndjeshëm, ashtu sikurse edhe vetë qytetarët, po bëhen gjithnjë e më shumë aktivë në kërkesat e tyre.

Unë padyshim bashkohem me zërin e qytetarëve që kërkojnë më shumë transparencë dhe ndershmëri, aftësi dhe profesionalizëm drejtimi e menaxhimi, nga të gjithë zyrtarët e lartë pa përjashtim. Politikanët zgjidhen në emër të qytetarëve, bëjnë karrierë me besimin e tyre, mandatohen për t’u shërbyer atyre, por realisht ata nuk janë gjithnjë të gatshëm të përballen me kritikat dhe ankesat e qytetarëve që i kanë zgjedhur. Dikush këtë frazë mund ta perceptojë si një frazë jorealiste. Ky nuk vjen thjesht nga zëri im. Dëgjoni emisionet e mëngjesit. Dëgjoni njerëzit që flasin nga mikrofoni i hapur. Unë nuk po bëhem në këtë rast asgjë më shumë , përveç se interpreti i tyre. Unë mund të them që kam rastin që t’i deklaroj jo vetëm përfaqësuesve të nderuar të këtij institucioni, por të gjithë qytetarëve që angazhimi i Institucionit të Presidentit do të jetë si edhe më parë, mjaft aktiv pikërisht në realizimin e këtij procesi transparence, inkurajimin e gjithë klasës politike, inkurajimin e forcave politike parlamentare, të shoqërisë civile në mënyrë që ajo bazë e rëndësishme legjislative që u realizua pesë vite më parë, të perfeksionohet, sepse unë e di vështirësinë e institucionit tuaj, e di vështirësinë që vjen nga infrastruktura. T’i themi gjërat hapur, ne jemi vend i vogël. Shumë gjëra i marrim vesh edhe nëpërmjet bisedave të përditshme e natyrshëm edhe nëpërmjet një bisede në kafene. Ka ardhur momenti që Shqipëria dhe institucionet e saj, institucioni juaj, të bëhen pjesë shumë e rëndësishme e një infrastrukture kontrolli me partnerët ndërkombëtarë, qoftë edhe për të hequr ato dyshime, që në mjaft raste ekzistojnë dhe ne i dëgjojmë që një pjesë e pasurive, qoftë ezyrtarëve, të cilët janë të detyruar t’i deklarojnë, por edhe të një pjese tjetër, që nuk konsiderohen zyrtarë të administratës, një pjesë e pasurive të tyre mund të jenë edhe jashtë Shqipërisë. Pra të jemi realistë, gjërat t’i trajtojmë ashtu siç duhen trajtuar. Ne sa kemi filluar një punë, sepse pesë vjet janë fillimet e një pune shumë të rëndësishme, por kjo punë duhet thelluar. Pra nga nocionet sasiore, duhet të kalojmë në nocionet e cilësisë. Jam i bindur që sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë perfeksionohen metodat korruptive dhe aq më shumë duhet të perfeksionohemi ne të gjithë për të nxjerrë metoda shumë cilësore, në mënyrë që të jemi efikasë, në mënyrë që të mos jemi sipërfaqësorë, në mënyrë që askush që abuzon me postet publike, të mos fshehë pasurinë e tij, qoftë pasurinë fizike, qoftë pasurinë monetare, dhe realisht të futemi në një fazë të re. Dhe kjo fazë e re, do të kthejë një besim absolut, të plotë tek publiku. Ky është misioni juaj shumë i rëndësishëm, misioni qytetar, të cilin ju e keni përmbushur dhe jam i bindur që do të vazhdoni ta përmbushni me sukses.

Zonja e zotërinj,

Në raportin tuaj zyrtar, znj. Laska, konstatohet se ka nëpunës, madje 175 të tillë, që nuk zbatojnë ligjin dhe madje nuk deklarojnë as pasurinë apo nuk nënshkruajnë deklaratën e konfliktit të interesit. Një gjë e tillë është sa e dënueshme, aq edhe e papranueshme në logjikën e funksioninit të administratës dhe të shtetit. Nga modele të tilla zyrtarësh është e kotë të presësh zbatimin e ligjit në raport me qytetarët. Pra kur ata nuk janë koshientë për një detyrim, që është detyrim ligjor formal që duhet të jetë edhe moral, kur nuk janë në gjendje të pëmbushim këtë detyrim minimal e të domosdoshëm ligjor për veten e tyre, atëherë çfarë mund të presë qytetari nga këta nëpunës që ata të jenë seriozë në plotësimin e detyrimeve që ata kanë ndaj ligjit, ndaj shtetit dhe ndaj publikut. Në këtë drejtim, dhe besoj që ky do të jetë një nga drejtimet e rëndësishme që do të keni edhe në të ardhmen, besoj është sensibilizimi, raporti, marrëdhëniet publike, sepse publiku ka shumë nevojë që gjithë ajo punë që është realizuar dhe vazhdon të realizohet në institucionin tuaj të shihet. Publiku duhet të jetë i pranishëm, duhet të jetë i sensibilizuar, duhet jetë pjesëmarrës. Qytetarët duhet të kenë ku të adresojnë ankesat, dhe besimi i tyre fitohet vetëm duke vepruar me drejtësi dhe profesionalizëm. Çdo rast akuze apo denoncimi publik e mediatik duhet të sqarohet e të konsiderohet deri në fund. Ne tashmë kemi mekanizmat e nevojshëm ligjorë, që konfliktet e interesit dhe abuzimet financiare të mos i mësojmë, siç ndodh rëndom, kur ndodhin ngjarje të rënda apo skandale, që bëhen pjesë e medias në radhë të parë, që bëhen pjesë e sensibilizimit të institucioneve. Normalisht duhet të ndodhë e kundërta. Janë institucionet ato që prevenojnë, ato që bëjnë parandalimin, në mënyrë që skandalet të mos dalin pastaj në media dhe institucionet të bëhen dipendente edhe të informacionit që vjen nga mediat. Unë besoj që kjo është fryma e ligjit, kjo është edhe sfida kryesore e institucionit tuaj në raport me publikun.

Unë me këtë rast sigurisht që kam mjaft vlerësime për institucionin tuaj, për ju, znj. Laska, për të gjithë bashkëpunëtorët tuaj, sepse nuk është e thjeshtë të ngresh një godinë nga e para. Nuk mjafton të ngresh një godinë, por gjatë një rruge pesëvjeçare kjo godinë në radhë të parë duhet të mbushet. Në kuptimin figurativ të fjalës, asnjeri nuk dëshiron të jetojë vetëm me muret e shtëpisë, por kërkon të vendosë orenditë dhe besoj se kërkon të ketë atë që është më e rëndësishme për një shtëpi, të ketë njerëzit. Unë besoj që gjatë kësaj periudhe ju keni ditur të ndërtoni ndërtesën, ta populloni atë me njerëz, të filloni të mobiloni shtëpinë dhe një nga mobilimet më të rëndësishme është pikërisht fitimi i eksperiencës, futja e teknologjisë, dhe besoj se me kalimin e kohës kjo ndërtesë do të pasurohet e do të bëhet edhe më e bukur. Kështu që edhe një herë në këtë ditë të shënuar, unë ju uroj të gjithëve, nga ju tek punonjësi më i thjeshtë i institucionit tuaj për këtë ditë jubilare dhe suksese në të ardhmen të gjithë së bashku!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›