FLORIDA – Trump kërkon ta kthejë klubin e tij të golfit në rezidencë presidenciale

UASHINGTON, 7 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump dëshiron ta shndërrojë klubin e tij luksoz të golfit në Florida në një rezidencë presidenciale për presidentët e ardhshëm amerikanë, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Plani parashikon që “Trump International Golf Club” në West Palm Beach, ku presidenti Trump kalon shpesh fundjavat duke luajtur golf, të shërbejë si një tërheqje zyrtare presidenciale, e ngjashme me “Camp David”.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se qeveria amerikane ka kërkuar të shqyrtohet mundësia e zhvillimit të një rezidence presidenciale në klub, ku presidentët mund të zhvillojnë takime të rëndësishme dhe të përdorin objektet e kompleksit.
Sipas zyrtarit, prona ka disa karakteristika që e bëjnë të përshtatshme për një rezidencë të tillë, përfshirë sigurinë e lartë, afërsinë me aeroportin ndërkombëtar të Donald Trump dhe shërbimet e zbatimit të ligjit, si dhe mungesën e ndërtesave të larta dhe banesave përgjatë fushës së golfit.
Çështja e sigurisë është veçanërisht e rëndësishme pasi në shtator 2024, në këtë kompleks u arrestua Ryan Routh, i cili u shpall fajtor për tentativën për të vrarë Trumpin, atëherë kandidat për president.
Një avokat që përfaqëson klubin e Trumpit u shkroi zyrtarëve lokalë në shtator, duke e krahasuar rezidencën e propozuar me “Camp David”, “Kështjellën Windsor” në Britaninë e Madhe dhe “Pallatin Elyse” në Francë, sipas “Washington Post”.
Presidenti Trump nuk është treguar i prirur të përdorë “Camp David”, rezidencën presidenciale në kodrat e Marylandit pranë Uashingtonit. /Ad.Ab./ a.jor.