MYNIH – Helikopterë dhe dronë në kërkim të një pume në ”arrati” pranë aeroportit

MYNIH, 7 tetor /ATSH-DPA/ – Një raportim për një pumë që është parë në jug të Gjermanisë ka shkaktuar një operacion të gjerë kërkimi pranë aeroportit të Mynihut.
Policia nisi sot pasdite kërkimet me një helikopter, dronë dhe forca të shumta të policisë, por deri tani kafsha nuk është gjetur.
“Operacioni i kërkimit vijon me intensitet dhe deri tani kafsha nuk është pikasur”, tha një zëdhënëse e policisë.
Sipas policisë, një gjahtar që përdorte pajisje për shikim natën kishte vërejtur në mesnatë një kafshë të dyshimtë në rezervatin natyror Notzingermoos, në komunën Oberding të Bavarisë së Sipërme.
Ai dyshoi se mund të bëhej fjalë për një mace të madhe dhe arriti ta filmonte kafshën.
Pamjet filmike iu paraqitën një eksperti, i cili vlerësoi se kafsha mund të ishte një pumë.
Rezervati i pyllëzuar ndodhet në rrethin e Erdingut, vetëm disa kilometra larg aeroportit të Mynihut.
Autoritetet thonë se ende nuk dihet se nga mund të ketë ardhur kafsha.
Zyra e Rrethit të Erdingut tha se aktualisht nuk ka informacion për ndonjë cirk me mace të mëdha që operon në këtë zonë.
Autoritetet u kërkuan banorëve të tregohen të kujdesshëm dhe të njoftojnë menjëherë policinë nëse e shohin kafshën ose kanë informacion për vendndodhjen e saj.
Banorëve iu kërkua gjithashtu të mos i lënë qentë të lirë.
“Gjithashtu, mos lejoni fëmijët e vegjël të luajnë pa mbikëqyrje”, paralajmëroi Zyra e Rrethit përmes Facebook-ut.
Megjithatë, në Gjermani ka pasur edhe raste të mëparshme kur raportimet për mace të mëdha të lira kanë rezultuar alarme të rreme.
Në vitin 2023, policia dhe gjahtarët kërkuan për rreth 30 orë një luaneshë të dyshuar pranë Berlinit, por më pas u vlerësua se kafsha mund të kishte qenë një derr i egër.
Në vitin 2025, një “pumë” e dyshuar pranë liqenit Geiseltal rezultoi, sipas një eksperti, me shumë gjasë një mace shtëpie.
Në raste të tjera, “grabitqarët” e raportuar kanë rezultuar madje lodra prej pellushi. /Ad.Ab./