FMN: Arkëtimet e energjisë më të ulëtat në rajon
Energjia e papaguar ngelet një ndër problemet kryesore të sektorit energjetik në vend. Ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar vënë në dukje se duhet të ketë përpjekje më të mëdha për të rritur arkëtimet dhe ulur humbjet në rrjet.
“Energjia elektrike e papaguar përbën problemin themelor. Në bazë të planeve të njëpasnjëshme të veprimeve, janë bërë përpjekje që të rriten përqindjet e arkëtimeve dhe të pakësohen humbjet e tepërta, megjithatë përparimi është i kufizuar” – tha Mumtaz Hussain, ekonomist i FMN-së. Sipas tij vetëm rreth gjysma e energjisë elektrike e furnizuar në 2007 është paguar, në krahasim me një mesatare prej 15 për qind në vendet e rajonit. Thatësira e vitit të kaluar thelloi vështirësitë financiare të KESH-it. Çmimet e energjisë elektrike u rritën me rreth 50 për qind në 200, ndërsa importet e KESH-it u rritën tre herë në krahasim me një vit më parë, kjo për të kompensuar rënien e prodhimit të brendshëm"- tha Hussain.Në konferencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e fundit në Shqipëri pas mbylljes së marrëveshjeve u deklarua se duhet të zgjidhen sa më parë problemet që mund të vijnë nga mungesa e energjisë. Specialistë të Fondit Monetar shprehen qartë se vetëm me përmirësimin e performancës së KESH-it mund të kemi siguri për furnizim të sigurtë me energji.
Viti 2007 ishte ndër më të vështirët për korporatën. Për shkak të thatësirës dhe mungesës së prodhimit vendas u importuan sasi të mëdha energjie. Gjatë 2007-ës KESH shpenzoi rreth 200 milionë euro për të blerë energji, në një kohë kur në vitin 2006 importet ishin rreth 30 milionë euro.