FMN: Kujdes me borxhin publik dhe klimën e biznesit
Në vazhdën e takimeve të qeverisë shqiptare me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), shqetësimi kryesor i ngritur është menaxhimi i borshit publik i cili është në rritje, si dhe lehtësimi i klimës së biznesit. Deri në vitin 2006, borxhi i jashtëm në Shqipëri arriti në 1.8 miliardë dollarë, ndërsa në vitin 2008 ai pritet të arrijë në gati 2.7 miliardë dollarë, ose e thënë ndryshe çdo shqiptari do t‘i duhet të paguajë gati 900 dollarë për shlyerjen e tij.
“Mendoj se objektivi kryesor është rritja e investimeve të huaja direkte, dhe krijimi i një sistemi fiskal të lehtë për tu aplikuar si për qeverinë ashtu edhe për bizneset”tha Garuin Bell, përfaqësuesi i FMN-së për Shqipërinë.
Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka pranuar se borxhi është i lartë dhe se do të bëjë përpjekje për uljen e tij. Sipas kryeministrit Berisha, administrata shtetërore mund të konsiderohet tashmë, plotësisht jashtë konfliktit të interesit, ndërkohë që prioritet vazhdojnë të mbeten, ulja e evazionit fiskal, rritja e investimeve dhe zhvillimi i biznesit.