E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN: Jeni keq me investimet, ulni deficitin dhe mos ulni taksën e punës

Shefi i delegacionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili diskutoi me qeverinë shqiptare buxhetin e vitit që vjen, tha dje se niveli i investimeve të realizuara deri më tani është shumë i ulët dhe kjo në fakt do të bëjë që deficiti buxhetor në 2008 do të jetë më poshtë sesa niveli 5.2% i PBB i rënë dakord. Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar tha se realizimi i buxhetit të ri, por edhe këtij në fuqi nuk duhet të përdorë shtrëngesa fiskale apo barrë më të gjerë fiskale dhe kjo të justifikohet si betejë ndaj informalitetit. Drejtuesi i delegacionit të FMN, Gerwin Bell, tha se “në situatën aktuale, ne kemi rekomanduar kufizimin e deficitit në 2009 në nivelin 3–3 ½ për qind e PBB. Formalizimi i ekonomisë në Shqipëri është një qëllim i rëndësishëm. Megjithatë, kjo nuk duhet bërë duke u mbështetur në masa administrative që janë barrë dhe shtojnë mundësinë për abuzivizëm dhe korrupsion”. Misioni i FMN ishte i qartë, kur tha se buxheti duhet të jetë i balancuar dhe nuk duhet të lejojë deficite në nivele të larta dhe gjithashtu FMN tha me nëntekst se ndaj bizneseve në shumë raste përdoren procedura korruptive. FMN tha se qeveria duhet të ndërmarrë masa që nxisin vetëdeklarimin e bizneseve dhe të llogarive të tyre dhe jo masa shtrënguese. “Pozicioni më i shtrënguar fiskal ka ndihmuar Bankën e Shqipërisë për të siguruar stabilitetin e çmimeve dhe ka kufizuar zgjerimin edhe më tej të deficitit të llogarisë korente, - tha Bell, - por nga ana tjetër kjo rrezikon rrudhjen e fondeve për sektorët prioritarë”. Për këtë arsye, misioni i bën thirrje autoriteteve të rishikojnë me kujdes shpenzimet aktuale për të siguruar që do t’i kushtohet rëndësi e mjaftueshme investimeve në sektorët prioritarë, po qe e nevojshme nëpërmjet një tjetër buxheti suplementar. Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar i preu hovin kryeministrit Berisha dhe ministrit të Financave, të cilët kanë thënë se do të ulin kontributet e sigurimeve shoqërore. Zoti Bell tha qartë se ata janë kundër uljes së këtij detyrimi dhe qeveria duhet të gjejë mënyra për të nxjerrë nga vështirësitë skemën e pensioneve. Ndërkohë, ministri shqiptar i Financave vazhdoi në linjën e tij dhe tha se ulja e taksave dhe administrimi i mirë i tyre, zgjerimi i bazës së kontribuuesve përbën rrugën më të mirë për të rritur të ardhurat e buxhetit dhe po ashtu instrumentin më të mirë për të nxitur zhvillimin e ekonomisë dhe të bizneseve private. Sipas tij, politika e zbutjes së taksave dhe zgjerimi i bazës kontribuuese e shoqëruar me një administrim të mirë ndihmon shumë në mënjanimin dhe eliminimin e informalitetit, si dhe në uljen e nivelit të korrupsionit në administratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›