E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi, në fund të gushtit kishte 6,5% punëtorë më pak sesa vjet

Numri të punësuarve në sektorin e ndërtimit gjatë tremujorit të dytë të këtij viti ishte pesë për qind më i ulët sesa tremujori i parë, duke vijuar kështu trajektoren rënëse. Të dhënat zyrtare bëjnë me dije se që prej vitit 2005 sektori i ndërtimit është në rënie dhe kjo është vërejtur edhe te numri i njerëzve që zë me punë ky sektor. Kësisoj, në vitin 2005 numri i punonjësve të këtij sektori ishte rreth 4,5 për qind më i lartë sesa ishte në vitin 2004. Në vitin 2006 numri i punonjësve nisi të bjerë për herë të parë dhe ishte gjysmë për qind më pak sesa në vitin 2005. Rënien e qartë dhe shumë të rëndë për ekonominë ky sektor e dha në vitin e vjetshëm. Kështu, në tre muajt e parë të vitit të vjetshëm ky sektor kishte shtatë për qind më pak punëtorë se sa kishe patur në të njëjtën kohë të vitit 2006. Në tremujorin e dytë ishte po e njëjta pamje me gjashtë për qind më pak dhe kjo gjë vazhdoi deri në fund të vitit me tetë për qind më pak. Fillimi këtij viti ishte po ashtu i keq dhe duket se ndërtimi nuk ka gjasa as në pjesën e mbetur të vitit të përtërijë veten. Të dhënat bëjnë me dije se numri i të punësuarve në sektorin e ndërtimit në fund të gushtit ishte rreth 6,5 për qind më i ulët nga sa ishte vjet në fund të të njëjtit muaj. Në të vërtetë rënia në sektorin e ndërtimit vërehet edhe në shumë tregues siç janë shitjet, sipërfaqet e reja të ndërtuara, numri i lejeve të marra të ndërtimit etj. Që të gjithë këta tregues janë në të njëjtën trajektore, si edhe numri i të punësuarve, i cili në të vërtetë është pasojë. Sektori i ndërtimit është një ndër kontribuuesit më të rëndësishëm në rritjen e ekonomike të vendit. Ai jep një kontribut prej rreth 10 %, ndërkohë që dy vite më parë kontributi i tij ishte 12 %. Sektori i ndërtimit ka marrë 56 për qind të të gjithë sasisë së kredive që ka dhënë sistemi bankar shqiptar dhe një rënie në këtë sektor do të sjellë probleme edhe në sistemin bankar, mund të rrisë pafuqinë për të shlyer detyrimet etj. Bankat i tremben një situate të vështirë në industrinë e ndërtimit. Edhe guvernatori i Bankës Qendrore është shprehur pak muaj më parë se ndërtimi është kërcënim me zhvillimet e tij për ekonominë në vend. Tetëdhjetë për qind e hipotekave të kredive që janë në Shqipëri janë ndërtime dhe apartamente dhe një rënie e madhe e shitjeve mund të çojë në rënie të çmimeve dhe kjo do të rrënonte bankat, pasi vlera e hipotekave tashmë do të binte shumë dhe ato do të ishin humbëset e vërteta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›