Meta: Rama po ndihmon Berishën që të manipulojë dhe kërcënojë votën e shqiptarëve
Zoti Meta, cili do të jetë qëndrimi i LSI pas të premtes kundër qeverisjes ‘Berisha’? Ju i keni mëshuar fort idesë që tragjedia e Gërdecit të zbardhet. Këto ditë janë publikuar disa pamje vizive që vërtetojnë trafikun e armëve që është bërë, ku ka dorë dhe qeveria. Cili është mendimi juaj?
Për këtë arsye, ne menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit kemi kërkuar që në parlament të ngrihet një komision hetimor parlamentar i posaçëm, jo thjesht për të hetuar për tragjedinë e Gërdecit, por për të hetuar si parlament të gjithë tregtinë e armëve apo të municioneve që është bërë nga vendi ynë në drejtim të vendeve të tjera, në mënyrë që të zbardhet dhe trafiku i shumëpërfolur, i cili për fat të keq u bë dhe shkak për një tragjedi, ku përgjegjësia e kryeministrit dhe e shtetit është e pashmangshme, qoftë dhe thjesht e vetëm për arsyet e mungesës së kushteve të sigurisë.
Në fakt, ka pasur gjithmonë aludime që Gërdeci dhe trafiku i armëve nuk kanë të bëjnë me njëri-tjetrin, por duket se në fakt janë të lidhur. Si i shikoni ju këto dy çështje?
Absolutisht që janë të lidhura. Tragjedia e Gërdecit është një episod i gjithë asaj që ka ndodhur, një episod tragjik dhe tepër i dhimbshëm e njëkohësisht dhe një provë për të rivendosur shtetin e së drejtës në Shqipëri. Besimi te drejtësia ka marrë një goditje shumë të rëndë, e cila mund të rikuperohet vetëm me një hetim të pavarur. Sigurisht, nuk mund të ndodhë me Berishën kryeministër, i cili është akuzuar edhe nga dëshmitari i ndjerë që humbi jetën në një aksident krejtësisht të dyshimtë, zoti Trebicka, por është akuzuar dhe nga gazetat më të mëdha të SHBA, por edhe nga ne si opozitë.
Z. Meta, ju vazhdoni t’i mëshoni idesë se duhet të largohet kryeministri Berisha tashmë?
Ne kemi vetëm këtë ide dhe kjo nga dallon edhe nga kolegu Rama i Partisë Socialiste, pasi ne e kemi si prioritet. Këtë gjë e shprehëm edhe në takimin ku ai na kishte ftuar me përfaqësues të tjerë të partive të opozitës, që opozita të përcaktojë një prioritet të vetëm dhe kryesor për të zhbllokuar reformat dhe që është pikërisht imponimi i dorëheqjes së zotit Berisha, me të gjitha mënyrat dhe format demokratike, brenda dhe jashtë parlamentit. Ndërsa zoti Rama ka dalë qartazi e hapur, se ai synon të realizojë më shumë drejtësi dhe më shumë siguri me Berishën kryeministër, të paktën dhe këto dhjetë muaj. Por, ne jemi të bindur që përderisa ky kryeministër mban përgjegjësi për tragjedinë e Gërdecit, përderisa ky kryeministër mban përgjegjësi edhe për- në rastin më të mirë-, neglizhencën për të ruajtur apo për të mbrojtur një dëshmitar kyç të një tragjedie, ku ai vetë është akuzuar po nga ky dëshmitar, përderisa ky kryeministër që nga 21 prilli e në vijimësi ka bërë gjithçka për të kontrolluar presidentin dhe për t’i marrë atij kompetencat për sa i takon anëtarëve të Gjykatës së Lartë; përderisa ky kryeministër pa kërkesën e prokurorisë dhe pas krahëve të prokurorisë ka iniciuar një projektligj për prokurorinë, që synon të fuqizojë kontrollin e tij dhe të ekzekutivit mbi prokurorinë, me këtë nuk mundet kurrsesi të besohet apo të punohet për më shumë drejtësi dhe për më shumë siguri. Dhe, aq më tepër, të lihet edhe dhjetë muaj, në mënyrë që ai të ketë mundësi të vërë dorë edhe mbi zgjedhjet e ardhshme.
Si mund të bëhet largimi i Berishës, kur dhe ju vetë keni deklaruar se me ndryshimet kushtetuese, ashtu siç mund të ketë vota për largimin e Berishës, duhen dhe votat për kryeministrin e ri?
Ndryshimet kushtetuese të 21 prillit pikërisht këtë qëllim patën, sepse ato ndryshime ndodhën vetëm pak javë pas tragjedisë së Gërdecit, thuajse një muaj pas kësaj tragjedie, kur pozitat e Berishës ishin më të dobëta, më të rrënuara dhe më të mjera se asnjëherë tjetër. Pra, me ndryshimet që u bënë, pikërisht duke synuar që Berisha të merrte garanci që të bëhej pothuajse e pamundur për t’u hequr nga parlamenti. Por, unë mendoj se rruga parlamentare nuk është e vetme. Mendoj se rruga e protestave demokratike, në rast se gjithë opozita e pranon këtë opsion, mund të sjellë shumë shpejt një rezultat të tillë, sepse përndryshe do të thotë t’i japim oksigjen Berishës dhe t’i krijojmë mundësi që Berisha të cenojë dhe të vjedhë votën e shqiptarëve në vitin 2009, ashtu siç e ka bërë në 1996, ashtu sikurse donte të bënte dhe në 2007, të vidhte dhe votat e zotit Rama, kur kandidonte për herë të tretë për kryetar bashkie. Ju e dini shumë mirë se opozita i mori garancitë jo në parlament, sepse në parlament nuk kishim votat për Kodin, por opozita i mori garancitë në Presidencë, në prezencën e ndërkombëtarëve. Aty u fitua beteja. Aty u ndërgjegjësua opinioni brenda dhe jashtë vendit, aty u bllokua Berisha. Pas 21 Prillit Berisha nuk ka ardhur asnjëherë në parlament t’i përgjigjet interpelancave të opozitës, Berisha ka tre apo katër muaj, që kur unë i kam dërguar pyetje si kryetar i Komisionit të Integrimit dhe jo si përfaqësues i opozitës për procesin e integrimit, që nuk denjon të vijë, kur sipas rregullores brenda një jave është i detyruar të vijë në parlament. Berisha në vend që të respektojë opozitën, tallet me të, dhe jo vetëm kaq, por i ofendon deputetët e opozitës dhe të PS që drejton zoti Rama dhe nga nëna e motra, sikurse është parë në media. Dhe, nuk kuptoj se çfarë politike e re mund të bëhet me Berishën, se ç’reforma mund të bëhen me Berishën, dhe se çfarë garancie dhe sigurie mund të ketë opozita nga një kryeministër i tillë.
Në protestën e pak ditëve më parë u dukët të bashkuar kundër qeverisjes së Berishës. Mendoni se do të vazhdojë bashkëpunimi me PS dhe opozitën, në përgjithësi, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare apo është ende herët për të folur? Nëse kjo nuk do të ndodhë, a do të shkojë opozita me dy koalicione në zgjedhjet e 2009?
E vetmja rrugë që mund të sillte një koalicion të përbashkët opozitar, do të ishte një rishikim tepër serioz dhe i besueshëm i qëndrimit të PS ose i lidershipit të saj, se Partia Socialiste është kundër dhe të jeni të sigurt për këtë, në radhë të parë për ndryshimet që iu bënë Kushtetutës, duke e dhunuar atë dhe vullnetin e popullit shqiptar që e bëri Kushtetutën përmes një referendumi. Së dyti, për çështjet e Reformës Zgjedhore dhe njëkohësisht, dhe për çështje të tjera që për ne janë tepër jetike, kur një nga këto është dhe ndërprerja e çdo projekti të zotit Rama, si kryetar i bashkisë, për shkatërrimin e mjedisit dhe të ekologjisë së kryeqytetit, apo të betonizimit të këtyre pak terreneve sportive që kanë mbijetuar gjatë këtyre 18 viteve. Këto për ne janë çështje shumë të rëndësishme dhe shumë jetike. Në rast të kundërt, e vetmja rrugë mbetet ecja përpara për ne, përmes një koalicioni të ri, ndërsa për të hequr Berishën, mendoj se kjo nuk ka të bëjë thjesht me bërjen ose jo të koalicioneve të përbashkëta apo të pavarura nga njëri-tjetri. Ne për këtë jemi të gatshëm, nëse ata janë të gatshëm.
Zoti Rama ka shprehur gatishmërinë dhe ka bërë thirrje që opozita të jetë e bashkuar e të mos fokusohet vetëm te dorëheqja e Berishës…
Opozita nuk mund të bashkohet për të bërë me Berishën, siç rekomandon zoti Rama, një ligj të ri për prokurorinë, kur prokuroria e ka një ligj, i cili rrit mundësitë e Berishës për të kontrolluar këtë institucion të pavarur, në momentin kur ajo ka avancuar në mënyrë të rëndësishme për hetimet e Gërdecit dhe Berisha e oborrtarët e tij janë edhe në qendër të këtyre hetimeve. Nuk mund të jetë ky, kurrsesi, prioritet i opozitës. Opozita ka për detyrë ta mbrojë prokurorinë në këto momente, të mbrojë pavarësinë e saj. Këtë e kërkojnë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë e kërkon dhe opinioni ndërkombëtar. Dhe, a ka ndonjë naiv që mund ta besojë se zoti Rama, me ata deputetë që ka në parlament, do t’i imponojë zotit Berisha, që ka shumicën në parlament, që të bëhet një ligj më i mirë për prokurorinë, që pikërisht të çojë para prokurorisë dhe para gjykatës zotin Berisha dhe qeveritarët e tij?
Si mund të bashkohemi ne për iniciativa të tilla? Si mund të bashkoheshim ne për rregulloren antikushtetuese që iniciuan dy deputetë të PS, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën, e cila e shpreh shumë qartë se dekretet e presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë e Gjykatës Kushtetuese apo të institucioneve të tjera të pavarura miratohen ose rrëzohen në parlament e jo në Komisionin e Ligjeve, si një filtër paraprak i Berishës për t’iu imponuar presidentit dhe për të paralizuar parlamentin, si i vetmi institucion vendimmarrës për këtë çështje.
Në fakt, nuk do të ketë bashkëpunim, qoftë dhe për mbështetësit që dolën në protestë?
Protesta e ditëve të fundit kishte një kërkesë nga ana e qytetarëve: Largimin e Sali Berishës. I vetmi zhgënjim për qytetarët, dhe që nuk ishte i vogël, ishte që zoti Rama, i cili ishte edhe iniciatori i kësaj proteste, nuk e përmendi asnjëherë të vetme dorëheqjen e Sali Berishës. Kështu që, ku është mesazhi dhe ne jemi gati t’i përgjigjemi këtij mesazhi dhe të punojmë për këtë mesazh. Për të mbajtur Berishën edhe dhjetë muaj të tjerë, për t’i dhënë mundësi Berishës të shtojë numrin e viktimave, për t’i dhënë mundësi Berishës që të dhunojë prokurorinë përmes një ligji të ri që ai ka iniciuar, ne jo vetëm që nuk jemi dakord, por jemi kundër, ashtu sikurse nuk kemi asnjë iluzion që çdo oksigjen që do t’i jepet Berishës deri në zgjedhjet e ardhshme, sipas idesë së zotit Rama, veçse e ndihmon atë që të manipulojë dhe të kërcënojë votën e shqiptarëve e në radhë të pare të opozitarëve në vitin 2009. Këto janë arsyet parimore ku ne kemi dallime të qarta me zotin Rama, por jo me Partinë Socialiste.
Intervistë e kryetarit të LSI, z. Ilir Meta, dhënë gazetares së “Vizion +”