FMN: Kriza ekonomike po rëndohet përditë, qeveria të mos rrisë shpenzimet
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vijuar dje të shprehë shqetësimet në rritje për efektet e krizës ekonomike botërore në ekonominë shqiptare, ku përfaqësuesja e FMN për vendin tonë ka kërkuar shumë kujdes dhe masa konkrete nga qeveria. Përfaqësuesja e FMN për Shqipërinë, Ann Margaret Westin, i ka bërë thirrje qeverisë që të bëjë kujdes me politikat buxhetore, pasi nuk ka më hapësira për shpenzime të tepërta apo për stimuj fiskalë. Kjo, pasi qeveria nuk i zbatoi dy rekomandimet e FMN për të mos rritur pagat e pensionet dhe për të mos ulur kontributin e sigurimeve shoqërore, duke vendosur në vështirësi buxhetin, çka është duke e parë edhe tani me rritjen e deficitit buxhetor. Shqetësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar janë artikuluar kthjellët duke parë edhe të dhënat e tashme që vijnë nga ekonomia vendase. “Ndikimi më i madh që do të shikoni është rënia e eksporteve. Me pakësimin e eksporteve do të ketë vende pune që do të humbasin e ndërmarrje që do të mbyllen. Gjithashtu do të ketë rënie të dërgesave të emigrantëve që janë shumë të rëndësishme për të përballuar konsumin, veçanërisht për familjet e varfra. Një tjetër efekt është ngadalësimi i kreditimit të ekonomisë dhe kjo do të thotë më pak investime”, - sqaroi përfaqësuesja e FMN. Westin ka theksuar më tej se do të negociohet me qeverinë e re që do të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit për një program të ri me FMN. “Është e vërtetë që në këtë moment shumë vende po drejtohen nga ne. Shumica për të siguruar financime, por ka dhe të tjera që vijnë te FMN për të dhënë një sinjal besimi për ekonominë e tyre. Për momentin do të vazhdojmë të mbajmë një dialog të ngushtë me qeverinë për politikat ekonomike, pavarësisht se nuk ka formalisht program. Pas zgjedhjeve mbetemi të gatshëm për të lidhur një program, nëse ka interes”, - vazhdon më tej Ann Margaret Westin. Edhe pse rekomandimet e FMN deri tani nuk janë marrë parasysh nga qeveria, FMN ka edhe një tjetër këshillë për qeverinë në këtë periudhë të krizës globale. Sipas Westin, qeveria duhet të përdorë paratë që sigurohen nga privatizimet për financimin e buxhetit dhe jo për projekte të reja.